Dy të Vdekur: Një në Park Një në Shtëpi

Rreth orës 8 e 30 të mëngjesit të së hënës  një patrullë e policisë ka vërejtur një person të vdekur në park të qytetit në Prishtinë.

Ndonëse identiteti ende nuk është bërë i njohur, policia njoftoi se viktima duket të jetë  i moshuar dhe se mosha e tij mundë të sillet prej 60 deri 70 vjeç.

Sipas policisë, i vdekuri ka lëndime dhe shenja dhune në trup.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti thotë se “viktima ka shenja dhune dhe lëndime trupore” dhe se mund të jetë sulmuar nga qentë, ndonëse sipas saj ende nuk mund të dihen shkaktarët e saktë të vdekjes.

Në një rast tjetër, të dielën policia ka gjetur të vdekur një person në shtëpinë e tij në Prishtinë.

24 vjeçari me inicialet H.M. është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij, në rrugën Marie Shllaku.

Rrethanat dhe motivi i vdekjes nuk është bërë i ditur nga policia, ndërkaq trupi i pajetë është dërguar në Institutin Mjeko Ligjor për obduksion.