Policia Regjistron të Shtënat në Dasma Gjatë Fundjavës

I dyshuari me P. Kurtaj 53-vjeçar ka goditur me thikë në dorë, viktimën femër R. Xhemajli 43 vjeçare.

Ngjarja ka ndodhë të dielën në fshatin Abri e Epërme në komunën e Drenasit.

Polica raportoi se në vend të ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie me leje të skaduar.

Polica nuk njoftoi për motivin dhe relacionin mes viktimës dhe të dyshuarit.

“I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në paraburgim në afat kohor prej 48 orësh”, tha zëdhënësja e policisë Sabrie Kamberi.

Policia raportoi edhe për një rast tjetër të sulmit me thikë që ndodhi të dielën në fshatin Kaliqan të komunës së Istogut.

Personat e përfshirë në ngjarje të dy janë të gjinisë mashkullore, por nuk është bërë i ditur motivi i ngjarjes.

Viktima pas marrjes së ndihmës mjekësore në Qendrën Emergjente në Pejë ishte  transferuar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësorë.

I dyshuari  është  dërguar në Qendër të ndalimit, njoftoi policia.

Poashtu Policia e Kosovës në raportin ditor ka njoftuar se gjatë ditës së diel në Fushë Kosovë janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj pasi që gjatë kontrollit në veturën e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy revole të tipit M-57 TT.

Një tjetër i dyshuar mashkull është arrestuar në Vragoli pasi i njejti kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Nga i dyshuari është konfiskuar një AK-47 prodhim kinez, dy karikatorë të zbrazur dhe një karikator i mbushur me 31 copë fishekë, si dhe 21 copë fishekë.

Pas të shtënave me armë në një dasmë tjetër në Prishtinë policia ka konfiskuar nga dy të dyshuar meshkuj dy revole: një e tipit EKOL e tjetra M-57. Me vendim të prokurorit është bastisur lokacioni ku janë gjetur dhe konfiskuar shtatë gëzhoja, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. 

Sipas raportit të policisë dyshohet se edhe në rrugën Xheladin Hana të kryeqytetit disa dasmorë nga një kolonë me vetura të dasmës kanë shtënë me armë zjarri në ajër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja të kalibrit të vogël. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i cili ka urdhëruar që të bëhet bastisja në lokacionin e fshatit Kpuz – Klinë. 

Në fshatin Kopërrnicë të Kamenicës policia raporton se një i dyshuar mashkull gjatë qëndrimit në një fushë të hapur ka shtënë katër herë me armë zjarri në ajër. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një revole e tipit EKOL.