Mbledhësi i Metaleve në Festivalin e Filmit

Nazik Mujiq, romi boshnjak që fitoi çmimin për aktorin më të mirë mashkull në Festivalin e Filmit në Berlin, do të marrë pjesë në një festival të tillë në Sarajevë më 16 gusht, bashkë me anëtarët e familjes së tij, duke lënë për pak kohë punën e përditshme si mbledhës metalesh dhe fshirës plehrash.

Aktori kryesor dhe fituesi i çmimit “Ariu i argjendttë” në filmin “Një episod nga jeta e një mbledhësi të metaleve”, të regjisorit boshnjak Danis Tanoviq, do ta ndërrojë kërkimin për metale, me ecjen nëpër qilimin e kuq në Sarajevë, pasi ky film do të hapë festivalin në kryeqytetin boshnjak të premten.

“Ne të gjithë do të vijmë në Sarajevë, duke përfshirë edhe Danis-in e vogël”, tha Mujiq, duke folur për djalin e tij të vogël të pagëzuar me emrin e regjisorit Tanoviq.

Filmi bazohet në ngjarje të vërtetë rreth Mujiqit dhe familjes së tij dhe në të luajnë vetë ata. Në vitin 2011 gruaja e Mujiqit, Senada Alimanoviq mbajti për dhjetë ditë në mitër një foshnjë të vdekur, pasi mjekët në Tuzëll, refuzuan ta operojnë pa para. Ajo nuk kishte sigurim shëndetësor.

Kur rrëfimi u bë publik, regjisori Danis Tanoviq vendosi të bëjë film për ngjarjen. Mujiq pastaj fitoi çmimin për aktorin më të mirë në Berlin, në shkurt.

“Unë do të marr pjesë në festivalin e filmit në Sarajevë, edhe pse zakonisht e kaloj kohën e lirë duke mbledhur metale”, tha Mujiq. “Dikush duhet ta mbajë familjen”, vazhdoi ai.

Edicioni i 19-të i Festivalit të Filmit në Sarajevë do të zgjasë nëntë ditë dhe gjatë tij do të shfaqen 250 filma të ndarë në dymbëdhjetë kategori.