Kuvendi nën Hijen e Marrëveshjes (TV)

Deputetët nga partitë opozitare thonë se Kuvendi në këtë 6 mujor nuk ka arritur ta mbikëqyrë punën e qeverisë, ngase në Kuvend kryesisht janë diskutuar tema që kanë të bëjnë me marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërmjet delegacionit kosovar dhe atij serb. 

Arben Gashi, deputet i LDK-së thotë se në këtë gjashtëmujor,  puna e kuvendit ka kaluar nëpër probleme të shumta.

“Kanë qenë probleme të mungesës së ligjshmërisë, respektimit të ligjeve dhe rregullores së Kuvendit, ku në disa situata nuk është respektuar rregullorja e punës, për interesa të Qeverisë, ose njerëzve në Qeveri”, thotë Gashi.

Vlerësim se Kuvendi nuk ka arritur të mbikëqyrë punën  e qeverisë në këtë 6 mujor, japin edhe zyrtarët e dy partive tjera opozitare, AAK-së dhe Vetëvendosje-s.

Deputeti i AAK-së Ardian Gjini mendon se në aspektin e kalimit të ligjeve ka pasur njëfarë dinamike.

“Në aspektin e kontrollit ose mbikëqyrjes së ekzekutivit nuk po arrin kurrsesi, dhe po duket që kjo do ta përcjellë Kosovën, derisa të ketë ndërrim të pushtetit”, thotë Gjini.

Ndërsa Visar Ymeri nga Vetwvendosja thotë se prej se kanë filluar negociatat me Serbinë, krejt çka ka bërë kuvendi ka qenë angazhimi rreth negociatave.

“Shumë pak ka punë që janë të shkëputura nga këto negociata”, thotë ai.

Por, edhe pse opozita e kritikon punën e Kuvendit të Kosovës, ndryshe e vlerëson partia e cila udhëheqë Qeverinë, por edhe Kuvendin , duke e konsideruar këtë peridhë si një gjashtëmujor shumë të rëndësishëm dhe me shumë arritje.

“Ka pasur angazhime jashtëzakonisht të mëdha, sidomos në fushën e miratimit të ligjeve dhe po ashtu edhe në fushën e marrjes së vendimeve, përmes rezolutave dhe deklaratave, si akte politike, në të cilat u kemi dhënë përgjigje shumë çështjeve që janë ngritë nga qytetarët” , thotë Behar Selimi deputet i PDK-së.

Por përderisa Kuvendi i Kosovës e ka për obligim të mbikëqyrë punën e  Qeverisë, deputetët e  opozitës dhe pozitës kanë vlerësime të kundërta.

Sipas opozitës, Kuvendit të Kosovës i pamundësohet puna dhe vlerësimi i tij karshi Qeverisë falë përbërjes së tij.

Visar Ymeri i Vetëvendosjes mendon se vetë përbërja e kuvendit ia pamundëson atij monitorimin e punës së qeverisë.

“I kemi deputetët e koalicionit, veçanërisht disa deputetë të koalicionit, të cilët me çdo kusht punojnë ditë e natë që Kuvendi të mos ketë mundësinë që ta monitorojë Qeverinë, për shkak se janë në shërbim të plotë të Qeverisë”, thotë ai.

Sipas Ardian Gjinit monitorimi i qeverisë nuk duhet të bëhet vetëm nga partitë opozitare.

“Realiteti i sotëm është se deputetët e partisë në pushtet nuk janë të interesuar ta kontrollojnë ekzekutivin e saj në pushtet, ata janë të interesuar të kalojnë gjithçka që vjen prej Ekzekutivit, dhe  në këto rrethana është zor me pritë që parlamenti mundet me e kontrollu Qeverinë”, thotë deputeti i AAK-së.

Ndërsa Arben Gashi thotë se ka pasur disa tendenca të mira prej partive të opozitës në këtë drejtim.

“Por realisht kjo është sfidë në vete, sepse shumica e deputetëve që e përbëjnë qeverinë, veprojnë pa logjikë institucionale”, thotë ai.

Edhe Behar Selimi deputet i PDK-së, thotë se agjenda legjislative ka qenë e ngarkuar me ligje që dalin nga dialogu duke e lënë në plan të dytë mbikëqyrjen ndaj qeverisë.

“Duke pas parasysh që kemi pasur agjendë të ngarkuar legjislative, sipas planit të punës, ndërkohë duke qenë se kemi pasur edhe ligje që burojnë nga proceset e fundit të vendit, ne  sikur e kemi lënë në plan të dytë mbikëqyrjen apo monitorimin e Qeverisë”, thotë Selimi.

Instituti Demokratik i Kosovës, është organizatë që bënë monitorimin e Kuvendit të Kosovës.

Driton Selmanaj nga KDI thotë se detyra  e parlamentit për të mbikëqyrur qeverinë në këtë 6 mujor nuk është përmbushur.

“Duhet të pajtohemi se mbikëqyrja e këtij 6 mujorshi  ka qenë nën hijen e debateve për bisedimeve  për dialogun Kosove-Serbi, ndërsa pjesa tjetër shumë e rëndësishme, për mbikëqyrjen e qeverisë është vendosur nën hije të tërë këtij procesi”, thotë Selmanaj.

Sipas tij pyetjet parlamentare vazhdojnë të jenë një instrument që nuk po arrijnë ta kryejnë qëllimin e tyre.

“Shpesh herë ministrat po i ikin pyetjes parlamentare, ose edhe kur po japin përgjigjie, përgjigjiet po janë periferike. Kështu  Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të vendosë një sistem të përhershëm të kontrollit paralmenatr “, thotë ai.

Deputetët e Kuvendit i Kosovës do të pushojë gjatë muajit gusht për të vazhduar me pjesën e dytë të punës nga muaji shtator!