Kthehen 110 Emigrantë Ilegalë Kosovarë nga Hungaria (TV)

Në pritje të tyre ishte prezent ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Lorant Balla.

Gati të gjithë të kthyerit që dilnin nga autobusi i aeroportit ishin meshkuj të rinj, ndërsa tre nga ta u drejtuan kah grupi i gazetarëve që po priste në aeroport.

“Kemi qenë në Keshkallas në Hungari. Kemi kaluar mjerë. Shumë keq kemi kalu. Keqtrajtime me te mëdhaja ma s’ki çka bën. Ujë të bojlerit kemi pi, shumë e shumë shqiptarë kanë mbet atje”, tha Astriti nga Ferizaj, i cili nuk tregoi mbiemrin.

“Bukë s’ke me hëngër”, tha Gzimi nga Kamenica.

Ata treguan se kanë qëndruar 20 ditë atje dhe se për udhëtimin kishin paguar rreth 500 euro.
 
“Pse s’ka punësim, motër, për atë kemi ik”, tha Astriti.

Pas përcjelljes së qytetarëve të kthyer në aeroport, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, Lorant Balla mbajtën një konferencë për media.

Ministri Rexhepi kërkoi nga qytetarët të mos bien pre e grupeve të krimit të organizuar që abuzojnë gjendjen sociale të tyre, i mashtrojnë me iluzione se do shkojnë në vende ku do të punësohen.

“Koha e azilit ka përfunduar, realisht Kosova në shumicën e këtyre shteteve të BE-së është në listën e bardhë, shtet ku nuk ka diskriminim politik”, tha Rexhepi.

Ai po ashtu ceku se as azili politik dhe as ai për çështje shëndetësore nuk pranohet dhe se çdokush që do marrë këtë rrugë do të përfundojë në këtë mënyrë.

Ministri rikujtoi se policia e Kosovës ka arrestuar 8 individë të dyshuar për kontrabandim me emigrantë dhe premtoi se është duke u zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër krimit të organizuar.

Ai shprehu shqetësimin e tij se numri i madh i azilkërkuesve është armiku më i madh i liberalizimit të vizave.

Ndërsa ambasadori hungarez tha se në Kosovë nuk ka as luftë e as shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe se autoritetet hungareze edhe në të ardhmen do të veprojnë kundër migrimit ilegal.

“Mbeten në gjendje të strehimit 500 qytetarë kosovarë dhe deri tani në këtë vit numri i azilkërkuesve nga Kosova ka kaluar shifrën 5000. Baza për kërkimin e azilit nuk ekziston, është non sense”, tha ai.

Ambasadori hungarez theksoi se vendet e strehimit nuk janë hotele, por ato plotësojnë standarde minimale jetësore. Ai po ashtu tha se këto vendstrehime nuk janë krijuar enkas për kosovarët, por për të gjithë personat që migrojnë ilegalisht duke thyer ligjet hungareze.