Ura e Dëmtuar e Rakovinës Dëmton Bizneset (TV)

Tre muaj pas lëvizjes së Urës së Rakovinës, për shkak të vërshimeve të 14 e 15 marsit, javën e kaluar FSK-ja, ka filluar ndërtimin e urës së metaltë të përkohshme  skaj urës së dëmtuar, për të rilidhur aksin rrugor Gjakovë – Prishtinë.

Për këta tre muaj të pakalueshmërisë së urës më të dëmtuarat del të jenë kompanitë e transportit të udhëtarëve në Gjakovë, ku rreth 20 sosh sa kanë vija të rregullta për Prishtinë, vetëm për një vijë udhëtimi shpenzojnë nga 20 euro më tepër, për shkak të nevojës së devijimit.

Hasan Krasniqi, pronar i agjencionit “Shpatturs” nga Gjakova, thotë se autobusët e Gjakovës kanë më shumë shpenzime në drejtim të Prishtinës, sepse sipas tij rruga përmes Rahovecit dhe Malishevës në drejtim të Prishtinës ka shumë kthesa dhe përpjeta dhe se kështu shpenzimet rriten, duke mos llogaritur këtu amortizimin e mjeteve të tyre të transportit.

“Përveç shpenzimeve të ngarkuara për ne, është edhe problemi i kohës, sepse çdo udhëtim zgjat më shumë për rreth 15 – 20 minuta, e që kjo më shumë u sjellë probleme udhëtarëve, të cilët çdo herë vonohen për shërbimet e tyre, qoftë në Prishtinë apo edhe Gjakovë”, thotë Krasniqi.

Sipas tij nëse llogariten 40 qarkullime në ditë nga të gjitha kompanitë në relacionin Gjakovë-Prishtinë, dhe anasjelltas, me nga minimum 15 minuta vonesë, atëherë i bie që të humben rreth 10 orë në ditë.

Edhe Musli Jaha, pronar i agjensionit “Bledi” në Gjakovë thotë të jetë dëmtuar përgjatë kësaj kohe sa ura qëndron e pakalueshme.

“Për çdo vijë që kemi për Prishtinë, ne jemi minus 20 euro, e unë i kam katër vija në ditë për Prishtinë”, thotë ai.

Ai tutje nënvizon që ka pasur përplasje edhe me pronarët e autobusëve lokalë të komunave të Rahovecit dhe Malishevës, sepse sipas tij këta e kanë akuzuar që po ua marrin udhëtarët, për qartësimin e të cilit problem sipas tij nuk është përkujdesur askush.

Jaha thotë se edhe ura e improvizuar do të jetë problematike për automjetet e mëdha, sepse duhet kaluar nëpër kthesën e rrugës së fshatit Kralan, e cila sipas tij nuk është e përshtatshme për autobusë.

Pal Lekaj kryetar i Komunës së Gjakovës, duke u kërkuar falje qytetarëve, pranon se është vonuar shumë ndërtimi i urës së përkohshme.

Ai premton se brenda dy javësh ura do të jetë problem i zgjidhur për qytetarët e kësaj komune.

“Gjakova, bizneset dhe qytetarët kanë humbur mjaft”, thotë Lekaj duke ua lënë fajin për një mos intervenim më të hershëm edhe kushteve atmosferike, por që sipas tij “[mos intervenimi] prapëseprapë nuk arsyetohet”.

Ai duke falënderuar forcat e NATO-s dhe ato të FSK-së, jep edhe një premtim.

“Fillimi i vitit 2014 lumin Drin do ta gjejë me urën e re mbi”, thotë ai.

Fillimi i ndërtimit të urës së përkohshme nga ana e FSK-së ishte premtuar me 22 prill, por një gjë e tillë nuk ka mundur të fillojë para 17 qershorit.

Ibrahim Shala zyrtar për informim në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës thotë se vonimi i ndërtimit të urës ka ndodhur si shkak i disa procedurave të cilat është dashur të respektohen dhe se ka pasur të bëjë me çështje pronash.

“Është dashur të bëhet edhe përgatitja e mureve mbështetës të betonit të urës metalike, e cila kishte edhe procedurat e pritjes teknike të forcimit të betonit deri në ditën e caktuar”, thotë Shala.

Sipas tij ura metalike do të qëndrojë  në atë vend derisa të përfundojë montimi i urës së betonit. Pastaj ura, e cila është donacion i KFOR-it do të kthehet në depot e FSK-së.

“Ura që është e gjatë 52 metra dhe e gjerë 5 do të përfundojë për 15 ditë. Ajo peshon 75 tonelata dhe mban ngarkesë deri në 30 tonë”,  thotë Ibrahim Shala, zëdhënës i FSK-së.