Familjarët Dëshmojnë Për Vrasjen Mes Vëllezërve (TV)

Gëzimi i Kujtim Kryeziut për dasmën e tij më 1 gusht 2012, vetëm një ditë pas, ishte kthyer në pikëllim të thellë.

Martesa e tij u bë shkak për një rrahje masive me drunj, çekanë e thika, mes familjarësh e miqsh, të nesërmen.

Burimi 32 vjeçar, vëllai i Kujtimit, vdiq nga plagët e marra një javë pas rrahjes. Kurse, pesë të përfshirë në përleshje u lënduan.

Në rrahjen masive në fshatin Reshtan të Suharekës më 2 gusht të vitit 2012, ishin të përfshirë djemtë e Nuhi Kryeziut në njërën anë dhe ata të Jonuz Kryeziut në anën tjetër.

Nuhiu e Jonuzi janë vëllezër dhe fqinj të parë, ndërsa ditën kur ndodhi rrahja Nuhiu organizonte ditën e dytë të dasmës, pasi po martonte djalin.

Në rrahje morën pjesë edhe Izet e Fadil Shala, babë e bir, në anën e Jonuz Kryeziut dhe kundër djemve të Nuhiut.

Dy familjet kishin mosmarrëveshje edhe më parë, ndërsa rrahjen e kishte nxitur parkimi i veturave para shtëpisë ku po zhvillohej dasma.

Të martën e para dëshmoi Zylfije Kryeziu, nëna e Burimit të ndjerë. Ajo gjatë dëshmisë shpeshherë shpërtheu në lotë.

“Ditën kritike kam qenë në shtëpi duke festuar me mysafirë ditën e dytë të dasmës, në një moment kam dëgjuar një zhurmë dhe britma të mëdhaja” tha dëshmitarja-e dëmtuara.

Ajo tregoi se pas dëgjimit të britmave kishte dalë para shtëpisë, për ta parë Jonuz Kryeziun, të kunatin se si qëllonte me çekan në kokë djalin e saj Burimin.

Sipas Zylfijes, Burimin, që më pas vdiq nga plagët, e qëlluan në kokë me shufër hekuri dhe shkopinj druri edhe Artan e Enver Kryeziu dhe Fadil Shala.

Këta të katër akuzohen për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.

Zylfije Kryeziu gjatë së martës, përpos Burimit, tha ta kishte parë në gjendje të rëndë nga lëndimet e shkaktuara gjatë rrahjes, edhe djalin tjetër të saj Njaziun.

Ajo nuk diti ta shpjegojë para trupit gjykues arsyen pse ndodhi kjo tragjedi më 2 gusht të vitit 2012, edhe pse e pranoi se marrëdhëniet mes familjeve që u përfshinë në përleshje, herë kanë qenë të mira, e herë të këqija.

Të martën dëshmoi edhe Xhulie Kryeziu, kunata e të ndjerit, që rrahjen e konsideroi masakër të vërtetë.

“Ditën kritike isha në dhomën e pritjes, kur për një moment kam dëgjuar zhurmë, kam dalë më fëmijën 1 vjeçar te dera e oborrit dhe nga aty kam pa një tmerr, një masakër që ishte duke ndodhur”, tha dëshmitarja.

Të mërkurën në seancën e të njëjtit rast, dëshmoi Sebahate  Kryeziu, e reja e Jonuz Kryeziut.  Ajo dha një version të kundërt të ngjarjes.

Tha se kishte parë të gjakosur Izet e Fadil Shalën gjatë përleshjes së tyre me djemtë e Nuhi Kryeziut.

“Burri dhe kunetërit e mi [djemtë e Jonuz Kryeziut] kanë dalë për ta qetësuar situatën, e jo për t’u rrahur”, tha Sebahate Kryeziu.

Ajo e pranoi se Fadil Shala e kishte qëlluar në kokë Burimin tash të ndjerë, ndërsa tha se i vjehrri i saj Jonuz Kryeziu mbante në dorë një çekan të vogël me të cilin [në ditët tjera] thyente arra.

Të mërkurën dëshmoi edhe Ismet Shala, njeriu që Nuhi Kryeziu e kishte dërguar te shtëpia e Izet Shalës, tri-katër orë para se të ndodhte rrahja.

Izet Shala jeton në Peçan, në një fshat tjetër të komunës së Suharekës.

“Unë me kërkesën e Nuhi Kryeziut kam shkuar në shtëpinë e Izet Shalës. Nuhiu ka kërkuar nga unë që t’i them Izetit, që të mos ta provokojë, të mos sillet rreth shtëpisë së tij se mund të bëhet keq” tha Ismet Shala gjatë dëshmisë.

Në këtë proces gjyqësor për vrasje të rëndë akuzohen Jonuz, Artan e Enver Kryeziu dhe Fadil Shala. Të njëjtët akuzohen edhe për lëndim të rëndë trupor.

Nga këta të katër vetëm Fadil Shala ndodhet në burg, ndërsa të tjerët po gjykohen nga gjendja e lirisë.

Për lëndim të rëndë trupor akuzohen edhe Et’hem, Mehdin, e Driton Kryeziu, ndërsa me veprën penale lëndim i lehtë trupor ngarkohen Njazi Kryeziu dhe Izet Shala.

Fitim Kryeziu akuzohet për lëndim të rëndë dhe të lehtë trupor, ndërsa për pjesëmarrje në rrahje po gjykohen Adem, Nuhi, Blerim e Besnik Kryeziu dhe Bajram Shala.