Reklamat i Fusin në Kundërthënie Zyrtarët e Suharekës (TV)

Asambleja Komunale e Suharekës në shkurt të viti 2012 kishte dhënë pëlqimin për të zhvilluar tenderim për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike përgjatë rrugës “Brigada 123”, e cila përshkruan qendrën e  Suharekës, për vendosjen e tabelave dhe panove reklamuese.

Lidhur me këtë komuna në tetor 2012 kishte bërë ofertë publike.

Fitues ishte zgjedhur firma NTSH “DHHED”, me pronar Ramdan Limajn, që sipas ofertës do t’i paguajë komunës 401 euro në muaj për shfrytëzimin e hapësirës publike për reklamim.

Por jo çdo gjë ka shkuar kaq rrjedhshëm deri në fund, sepse kjo ofertë ka krijuar mosmarrëveshje ndërmjet drejtorit të urbanizimit Kurtesh Fondaj dhe shefit të prokurimit Bujar Kuqi në Suharekë.

Sipas drejtori të urbanizmit, panotë duhet të vendosen vetëm në rrugën “Brigada 123”, ndërsa sipas prokurimit panotë reklamuese përpos në “Brigadën 123” mund të vendosen edhe në rrugët në drejtim të Reshtanit dhe në disa rruga tjera – që lidhen me “Brigadën 123”.

Drejtoria e urbanizmit ka dhënë pëlqimin zyrtar që të vendosen panotë reklamuese vetëm për rrugët përgjate Brigades 123, përkatësisht për Rrugën Xhavit Sylaj gjer te Ura e Madhe drejtimi Suhareke-Prizren, nga Ura e Madhe gjer te hyrja e ambulancës  drejtimi Suhareke – Prizren, nga Zek Bajraktari e gjer te rruga Vinston Çerçill, nga rruga e Ambulancës gjer te rruga Vinston Çerçill në vendet në gjelbërim (ana e djathtë), nga rruga Vinston Çerqilli gjer te Ura e Madhe në vendet me gjelbrim (ana e djathtë), nga Ura e Madhe e gjer te rruga Endrit Kavaja.

Por Bujar Kuqi nga prokurimi mendon që përpos këtyre rrugëve fituesi ka të drejtë edhe në rrugët tjera të vendos panot reklamuese, si psh: përgjatë rrugës Hajdin Berisha gjer te rruga Mulla Nura, nga rruga Mulla Nura ana e majtë gjer te transiti, nga rruga Xhavit Bajraktari përgjatë rrugës Skënderbeu gjer te vendi i quajtur Dardhat e Ramës, drejtimi Suahrekë – Reshatan, dhe nga Ura e Madhe gjer te rruga Indrit Cara.

Në vendimin e Asamblesë Komunale të Suharekës me numër 01- Nr.16-1049,  ku jepet pëlqimi për të zhvilluar tenderimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër deri në 10 vjet, përmenden vetëm hapësirat publike përgjatë rrugës “Briga 123” në Suharekë, njejtë sikur në pëlqimin e Drejtorisë së Urbanizmit.

Po ashtu edhe në dokumentet e Ofertës Publike të Komunës së Suharekës ceket hapësira publike përgjatë rrugës “Brigada 123”.

Edhe në kontratën e lidhur në mes fituesit të tenderit dhe Komunës së Suharekës, ceket se objekt i kontratës është “vendosja e tabelave dhe panove reklamuese në rrugën Brigada 123 për 10 vjet”.

Por Bujar Kuqi nga zyra e prokurimit, megjithatë, mendon se pëlqimi duhet të jepet  edhe për rrugët tjera, edhe pse titulli i dosjes së tenderimit ka qenë vetëm “Brigada 123”, sepse, sipas tij, në titull nuk kanë mundur të përfshihen edhe rrugët tjera.

Fituesi i ofertës NTSH “DHHED” nga Suhareka tashmë ka vendosur panot edhe në drejtim të Reshtanit, për të cilat drejtori i urbanizmit, Kurtesh Fondaj, mendon se janë ilegale.

Fondaj thotë se deri sa t’i vjen një interpretim nga zyra e kryetarit, për këtë paqartësi të krijuar, mbetet prapa pëlqimit të dhenë vetëm për rrugën “Brigada 123”, ndërsa çdo vendosje e panove në rrugët tjera, e konsideron ilegale.

Fituesi i tenderit, Ramdan Limaj, pretendon se tenderin e ka fituar edhe për rrugët jashtë brigadës 123.

“Sipas tenderit, kam të drejtë edhe në rrugët tjera që ceken në dosjen e tenderit, e jo sipas pëlqimit që ka dhenë drejtoria e urbanizimit”, thotë Ramadan Limaj

Ai thotë se pas një takimi që kanë pasur me kryetarin Blerim Kuqi, pas mosmarrëveshjes që është krijuar në mes drejtorisë së urbanizimit dhe asaj të prokurimit, ka mbetur që zyra e kryetarit të bie një interpretim se kush ka drejtë në këtë rast.

“Pano tjera nuk do të vendos deri sa të vjen sqarimi nga zyra e kryetarit”, thotë Limaj.

Kryetari i komunës së Suharekës, Blerim Kuqi, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se i ka udhëzuar të dy drejtoritë që të veprojnë sipas ligjit dhe sipas dokumentave që kanë në dispozicion.

“Për fajin e komunës nuk mund të dëmtohet biznesi, por unë për momentin e kam lënë ashtu siç e ka dhënë pëlqimin drejtoria e urbanizimit, por kjo çështje do të diskutohet edhe në asamblenë komunale, pasi ata duhet të japin një sqarim”, tha Blerim Kuqi.