Bllaca në Rend

“Nazim Bllaca ka vrarë Ibush Kllokoqin duke e qëlluar për vdekje me gjashtë plumba. Kjo ka ndodhur në Prishtinë më 6 gusht 1999”.

Kështu thuhet në aktakuzën e rastit Bllaca III të ngritur nga prokurori special i Misionit Europian për Sundim të Ligjit Maurizio Salustro.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar aktakuzën dhe sjell detaje të saj. Sipas aktakuzës, vrasja e Ibush Kllokoqit ka qenë e organizuar. 

Nazim Bllaca ka pasur dy nofka në periudha të ndryshme kohore. Gjatë viteve 1998-1999 ai është quajtur “Gjeografi” ndërsa prej 1999-ës deri më 2007 është quajtur “Seiko”.

“Fahredin Gashi është personi që ia ka dhënë Nazim Bllacës revolen “Scorpion”  për të vrarë Ibush Kllokoqin. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë së viktimës derisa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima është paraqitur në derë Bllaca e ka qëlluar”, përshkruhet në aktakuzë mënyra si është vrarë Kllokoqi. 

Nazim Bllaca e ka pranuar fajin, thuhet në aktakuzë. “Siç dihet, Nazim Bllaca fillimisht ka pranuar vrasjen e viktimës Ibush Kllokoqi në një deklaratë të xhiruar. Më 30 nëntor 2009, kur ai është intervistuar si i pandehur z. Bllaca përsëri ka pranuar përgjegjësinë e tij.

Sipas prokurorit, dy gjykimet — ai ku Fahredin Gashi është akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe tjetri, ku pesë persona janë gjykuar për vrasje –janë zhvilluar bazuar në deklaratat e Bllacës. 

Në të dyja rastet, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shpallur Bllacën dëshmitar bashkëpunues.

Deklaratat e tij, sipas aktakuzës, janë shqyrtuar me kujdes nga dy panele gjyqësore dhe janë konsideruar të sakta, të besueshme dhe kanë rezultuar edhe në sigurimin e dëshmive shtesë.

Sipas aktakuzës, lidhur me këto dy raste ku Bllaca ishte i përfshirë, gjykata ka ndaluar inicimin, zhvillimin e ndjekjes penale dhe shqiptimin e dënimit kundër tij.

Mirëpo, gjykata nuk e ka liruar atë nga akuza për vrasje të rëndë të Ibush Kllokoqit [për të cilën vrasje është ngritur kjo aktakuzë], thuhet tutje në aktakuzë. 

Aktakuza prej vetëm pesë faqesh mban datën prill 2013 dhe emrin e prokurorit special të Misionit Europian për Sundim të Ligjit Maurizio Salustro.

Salustro në aktakuzë nuk ka propozuar ndonjë dëshmitar por ka shfaqur si dëshmi procesverbalin e rastit Bllaca II.

“Atij nuk i është premtuar asgjë”

Prokurori Salustro ka përshkruar në gjashtë pika arsyet pse mendon se Bllaca është person i besueshëm.

“Z. Bllaca është person i arsimuar, është arsimtar” thuhet në aktakuzë.

Sipas prokurorit, ai është i vetëdijshëm për seriozitetin e akuzave të tij dhe ndikimin që mund të kenë  ato në jetën e të akuzuarve dhe të tij dhe ai gjithmonë haptazi ka pranuar përgjegjësinë për krimet që ka treguar, vazhdon aktakuza.

Si arsye tjetër prokurori ka përmendur faktin që Bllaca “gjithnjë hapur ka pranuar që është i gatshëm të ballafaqohet me atë që ka bërë” dhe se “Bllaca nuk ka përfituar asgjë nga vendimi për të bërë publik akuzat e tij”.

Bllaca e ka ditur që kur xhirimi i tij ishtë bërë publik ai do të arrestohej dhe kështu ka ndodhur, thuhet në aktakuzë. “Atij nuk i është premtuar asgjë”.

“Bllaca ka kujtesë të mirë”

Në aktakuzë përshkruhet edhe besueshmëria e rrëfimit që ka bërë Bllaca në proceset gjyqësore.

Prokurori beson se ngjarjet që rrëfen Bllaca janë bindëse dhe sipas tij “është reale të mendosh që kanë ndodhur në mënyrën se si i përshkruan ai”.

Vrasja e Kllokoqit është pjesë e kontekstit të vrasjeve të pasluftës të të ashtuquajturve bashkëpunëtorë dhe anëtarë të LDK-së, që kishte filluar gjatë luftës për të vazhduar edhe pas saj.

Lidhur me këtë, thuhet në aktakuzë, janë mbajtur shumë gjykime që merren me këto episode.

Aktakuza nxjerr pikat kryesore të tregimit të Bllacës. “Takimi me Azem Sylën, makinat të cilat janë përdorë, personat që ishin prezentë gjatë gjithë kohës dhe ata që u larguan, biseda që u bë në veturën “Opel Omega”, derisa po shkonin në shtëpinë e Kllokoqit, pozicionet e secilit nga sulmuesit kur shkuan te shtëpia e Kllokoqit, biseda me gruan, dredhia që u përdor për ta nxjerrë viktimën jashtë nga shtëpia. Ai tha se kurrë më parë nuk e kishte parë viktimën dhe se Sadik Abazi i kishte treguar atij kë ta vriste në momentin kritik”.

Sipas prokurorit, tregimi i Bllacës është i besueshëm pasi që është i detajuar, koherent dhe pa ndonjë kontradiktë thelbësore. “Bllaca ishte gjithmonë konsistent në atë që thoshte, edhe pse e ka përsëritur disa herë”.

“Ai ka kujtesë të mirë sepse ka marrë pjesë [në vrasje]” thuhet në aktakuzë.

Sipas prokurorit,  deklarimet e Bllacës mbështeten edhe në prova të tjera si deklarimi i gruas së Ibush Kllokoqit, numri i gjuajtjeve dhe raporti i KFOR-it për vendin e ngjarjes, tipi i armës dhe rezultatet e forenzikës, pjesa e goditur e viktimës, vendi i sulmit, koha e kryerjes së krimit dhe raporti i KFOR-it për ngjarjen, si dhe përshkrimi i personit që hapi derën. 

Shtyhet seanca fillestare për Bllaca III

Të martën edhe pse u paralajmërua mbajtja e një seance fillestare në mes të prokurorit, kryetares së trupit gjykues dhe të pandehurit Nazim Bllaca, ajo nuk u mbajt. 

Seanca u anulua për shkak të mosardhjes së Bllacës në gjykatë.

I kontaktuar nga gazeta, Nazim Bllaca thotë se nuk ka shkuar në gjykatë për shkak të mungesws së koordinimit nëmes të mbrojtës së afërt të policisë së EULEx-it dhe gjykatës.

“Unë dje kam qenë i gatshëm që nga ora 12” tha Bllaca për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kryetarja e trupit gjykues Mariola Plasnik (gjykatëse e EULEX-it), së bashku me prokurorin special Maurizio Salustro pritën më shumë se një orë ardhjen e Bllacës në gjykatë.  

Seanca e radhës dhe fillimi i procesit gjyqësor kundër Nazim Bllacës i njohur me nofkat ‘Gjeografi’ dhe ‘Seiko”, pritet të fillojë gjatë këtij muaji.

Edhe pse vetë Bllaca ka deklaruar se ka kryer vrasjen, tash thotë se nuk e di ende “nëse do të shpallet fajtor”. 

Lidhur me angazhimin e avokatit, Bllaca nuk ka bërë të ditur emrin e tij. “Avokati im dëshiron të mbetet anonim tash e tri vjet”. 

Bllaca I

Gjykimi për rastin Bllaca I ka përfunduar më 23 nëntor 2011ku Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se Fahredin Gashi ka kryer vrasjen e anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sali Gashi, duke kryer kështu krime lufte kundër popullatës civile.

Fahredin Gashi në kohën e kryerjes se veprës ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se sipas një raporti të NATO-s, lufta në terren ende nuk kishte përfunduar, prandaj edhe veprimet e tyre kanë qenë krime lufte. 

Gjykimi në rastin Bllaca I është bazuar kryesisht në deklaratat e Nazim Bllacës i cili ka treguar të gjitha rrethanat e vrasjes së Sali Gashit.

Fahredin Gashi është shpallur fajtor dhe është dënuar me 18 vjet burg nga gjykata. 

I akuzuar tjetër në këtë rast ishte edhe Hysri Rama që është shpallur fajtor dhe është dënuar me gjashtë muaj burg me kusht, për ndihmën e kryesit në fshehjen e krimit.

Bllaca II

Më 17 dhjetor 2012 Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka përfunduar gjykimin për rastin Bllaca II ku Sadik Abazi, Shaban Syla, Driton Hajdari, Bekim Syla dhe Shpresim Uka janë shpallur fajtorë për vrasje.

Hajdari, Syla dhe Uka ende gjenden në arrati që nga ajo datë kur nuk ishin paraqitur as në gjykatë. 

Ata akuzoheshin që në bashkëkryerje me dëshmitarin bashkëpunues Nazim Bllaca kanë vrarë Ibush Kllokoqin. Për këtë pikë të aktakuzës gjykata të tre të pandehurit i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me burg.

Sadik Abazi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla akuzoheshin po ashtu edhe për vrasjen në tentativë të Ismet Arifit në bashkëkryerje me Nazim Bllacën. 

Gjykata e kishte rikualifikuar veprën penale në rrëmbim të personit të mbetur në tentativë, vepër e cila ishte parashkruar dhe akuza për pikën dy qe refuzuar.

Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Shaban Syla në bashkëpunim me Nazim Bllacën akuzoheshin edhe për vrasjen e rëndë të mbetur në tentativë të Adem Salihajt ish kryetarit të Ferizajt nga radhët e LDK-së. Secili ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burg. 

Të pandehurit morën një dënim total prej 54 vjetësh burg. Dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues Nazim Bllaca ishte bazë e aktgjykimit.