Një Zë Mashkulli Kërcënon Avokatin (TV)

Avokati thotë se kërcënuesi përmes telefonatës anonime i ka kërkuar të tërhiqet nga mbrojtja e klientit të tij I.M. nga fshati Shtrubullovë e Drenasit, në procedurën gjyqësore që ka të bëjë me një kontest pronësor.

Avokati Hasi tregon se kërcënimet kanë qenë shumë serioze, ndërsa i kanë ardhur nga një zë mashkulli.

“Sekondat e fudit për ju dhe për familjen tuaj po ecin. Duhet patjetër të largoheni nga përfaqësimi i kësaj lënde, sepse kjo është lëndë e karakterit kanunor dhe këtë duhet ta zgjidh kanuni i Lekë Dukagjinit, e jo ligjet e Republikës së Kosovës”, kanë qenë fjalët e kërcënuesit, sipas avokatit Arif Hasi.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci thotë se një qytetar i Drenasit ka lajmëruar një rast kërcënimi.

Ai thotë se në kuadër të hetimeve policia ka bërë kërkesë pranë prokurorisë përkatëse për të marrë lejen e shikimit të telefonatave në telefonin e personit ankues.

Sipas tij të dyshuar specifik nuk ka, megjithëse policia ka bërë disa intervistime të personave, që është dyshuar se mund të jenë të lidhur me rastin, por që nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Borovci tha se puna hetimore do të vazhdojë deri në identifikimin e personit që ka kërcënuar avokatin.

Në fund, kërcënimi me jetën e tij dhe të anëtarëve të familjes detyroi avokatin Arif Hasi që të tërhiqet nga përfaqësimi i klientit të tij gjatë ditës së enjte.

Ai nuk ka pranuar të deklarohet pas këtij vendimi.