I Akuzuari Tenton të Arratiset nga Gjykata (TV)

Të akuzuarit për grabitje në kazinon “Merkuri” në Gjilan kanë prishur rendin të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan dhe njëri prej tyre ka tentuar të ikë nga gjykata, për t’u ndaluar brenda pak çastesh nga policia në brendësi të ndërtesës.

Në departamentin e krimeve të rënda në Gjykatën Themelore në Gjilan,  të martën ishte paraparë të mbahej gjykimi kundër Njazi Spahiut, Azem Spahiut, Ardian Bajramit, Shkëlzen Uruqit dhe Rasim Sylës.
 
Ata akuzohen se në muajin shkurt të vitit 2012 rreth ores 04:00 të mëngjesit kanë kryer grabitjen në kazionon “Merkuri“ në Gjilan, duke i marrë nga arka 16.000 euro.

Seanca u shty në mungesë të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve .

Kryetarja e kolegjit gjyqësor Emine Salihu i tha Gazetës Jeta në Kosovë se pas shtyrjes së gjykimit, i akuzuari Njazi Spahiu pa asnjë arsye refuzoi ta nënshkruajë procesverbalin, dhe në moment ka kapur tavolinën duke e përplasur atë, ndërsa i akzuari tjetër Azem Spahiu iku nga salla e gjykimit.

Togeri Ismet Hashani e konfirmoi rastin për gazetën Jeta në Kosovë, duke thënë se derisa po zhvillohej një procedurë penale pranë gjykatës themelore në Gjilan disa të akuzuar e kanë prishur rendin dhe qetësinë në gjykatore, duke shkaktuar rrëmujë dhe njëri prej tyre ka tentuar të arratiset.

Polica e Kosovës ka dal në vend ngjarje dhe e ka bërë shikimin. 

Fatmir Jashari pjesëtarë i shërbimit korrektues të Kosovës ka pësuar lëndime në dorë derisa e ka prangosur njërin nga të akuzuarit.