Rreshteri i Policisë me Veturë Pa Letra (TV)

Rreshterit Përparim Aliu  i është konfiskuar vetura nga ana e Policisë së Kosovës pasi që ai ishte zënë nga kolegët e tij duke drejtuar makinën “Opel Zafira” me tabela të huaja – të padoganuar dhe të paregjistruar në Kosovë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 13 prillit, ndërsa sipas policisë ndaj eprorit tashmë është hapur procedurë kundërvajtëse.

Edhe zëdhënësi i  Policisë së Kosovës Agim Gashi ka konfirmuar se rreshteri i uniformuar derisa po shkonte në punë është zënë duke vozitur veturën në fjalë.

“Arsyeja kryesore pse rreshterit i është konfiskuar vetura ka qenë se ai nuk ka poseduar autorizim për ta drejtuar automjetin në Kosovë, pasi ajo kishte tabela të Francës”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, policia e ka konfiskuar makinën ndërsa ndaj rreshterit është iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatë.

Gazetës Jeta në Kosovë ka kuptuar se polici i cili e kishte hapur rastin ndaj eprorit të tij për momentin nuk është duke punuar në stacionin policor të Ferizajt.

Gazeta mësoi se ai është transferuar për në stacionin policor të Shtërpcës.

Zëdhënësi i policisë Agim Gashi mohon se transferimi ka lidhje me rastin e konfiskimit të makinës.

Sipas tij, vendimi për transferimin e këtij polici ishte marrë një ditë më herët, përkatësisht më 12 prill.