KPM: Ipko Shkelje me KTV-në

(E plotësuar)

“Ipko ka bërë shkelje, ngase nuk ka respektuar Kushtet dhe Termet e Përgjithshme të Licencës së KPM-së”, thuhet në reagimin e KPM-së, lëshar të premten.

Sipas kësaj rregullore, Ipko obligohej që të informonte KPM-në shtatë ditë me herët për ndryshimin e renditjes së kanaleve, gjë që operatori nuk e ka bërë.

Komisioni i Pavarur i Mediave lëshon dhe mbikëqyrë licencat edhe për operatorët kabllorë edhe për transmetuesit.

Ky rregullator i kërkon Ipko-së që televizionin nacional KTV ta kthej në pozicionin rendor me numrin tre të platformës së saj kabllore.
 
“Politika e transmetimit duhet të jetë në pajtim me legjislacionin përkatës të Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe praktikat që… parandalojnë monopolizimin e transmetimit në Kosovë, duke promovuar konkurrencë të drejtë për ofrimin e shërbimeve mediave audio-vizuale”.

Ipko tha një ditë më parë se vendimin e mori pas një kërkese të Grupit Koha që operatori kabllor të paguante për transmetimet e KTV-së 10 mijë euro në muaj dhe se vetëm ajo ishte përgjegjëse për renditjen e kanaleve.

Grupi Koha e ka quajtur vendimin e operatorit Ipko irracional.
 
Gjej Interaktivin në Kanalin 83 (Video)

Ipko thotë se pas kërkesës së Grupit Koha që operatori kabllor t’ia paguante 10 mijë euro në muaj për transmetimet e KTV-së, e ka vendosur televizionin kombëtar në kanalin 83. Gazetari Nehat Islami thotë se shqetësuese është që rirenditja bëhet në kohën e polemikës për pagesë, ndërsa AMPEK-u bën thirrje që autorizimet e renditjes të rregullohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave që është rregullator i frekuencave televizive dhe operatorëve kabllorë.

11 prill, 19:30 Emisionin e popullarizuar “Interaktiv” të gazetarit Xhemajl Rexha tani mund ta shikoni në kanalin 83, nëse jeni me rrjetin kabllor Ipko. 

Derisa emisioni i tij i mbrëmjes së vonë ishte në transmetim, Rexha njoftoi të mërkurën se platforma kabllore Ipko ka zhvendosur për tetëdhjetë vende më lartë KTV-në — produkt i Grupit Koha — nga kanali 3 në 83. 

“E di që na gjeni”, shkroi Rexha në faqen e tij në Facebook. “Ipko na dërgoi në numër 83. Ama jemi këtu”.

Veprimi i Ipko-së vjen dy javë pas fillimit të një mosmarrëveshjeje në mes të kësaj kompanie dhe Grupit Koha.

Drejtoresha Ekzekutive e Grupit Koha, Flaka Surroi, më 15 mars u kishte drejtuar letra kompanive Ipko dhe Kujtesa përmes së cilave kërkonte që ato, si operatorë kabllorë, të kompensonin Kohën me nga dhjetë mijë euro në muaj për përmbajtjen e programit që ofronte Koha Vizioni në pakot e tyre.

Surroi shkruante se Koha do të largohej nga operatorët kabllorë në rast se nuk do të bëhej kompensimi financiar më 1 prill. Letrat janë publikuar më 27 mars 2013 nga gazeta Express. 

Drejtori i IPKO-s, Robert Erzin dhe i Kujtesës, Arbër Arifi, kishin deklaruar në Express se kompanitë nuk mund të paguanin këto shuma financiare. 

Më 28 mars 2013, Koha lajmëronte që nuk do të largohej nga platformat kabllore. 

Koha nuk mohonte negociatat me rrjetet kabllore dhe thoshte se nuk do të tërhiqej nga qëllimi që të “bisedohet me operatorë kabllorë për statusin e mëtejmë të transmetuesve në platformat kabllore”.

Ipko, megjithatë, kishte paralajmëruar se “mund t’ia përmbushte dëshirën” kompanisë Koha.

Hapësirat e KTV-së

Tani, pas veprimit të saj të mërkurën duke e rirenditur KTV-në, Grupi Koha reagoi të enjten duke e quajtur irracional zhvendosjen në kanalin 83.

“Veprimi i IPKO-s nuk është fare i lidhur për logjikën afariste, por është keqpërdorim i pozitës në treg për motive që nuk kanë të bëjnë as me ndershmërinë në treg e as me respektimin e kushteve të barabarta për televizionet me licencë kombëtare”. 

Por zëdhënësi i Ipko-së, Alban Kastrati, thotë se “mosmarrëveshjet kanë filluar prej momentit kur Grupi Koha ka kërkuar kompensim financiar për prezencën e KTV-së në platformë”. 

“Kjo ka qenë arsyeja e mosmarrëveshjes sonë”, tha Kastrati. “Ne edhe publikisht jemi ankuar për presionin medial që na është bërë nga Grupi Koha në mediat e saj”.

Sipas tij, pozita e tretë në renditje deri më tash ka qenë në favor të KTV-së ndërsa kompania nuk obligohet me ligj që t’ia lëjë asaj kanalin 3. “Ndonëse ne jemi të hapur për bashkëpunim… nëse transmetuesi nuk e sheh vlerën e pozitës, atëherë as ne nuk dëshirojmë t’i krijojmë favore askujt”. 

“Si operatorë të shërbimeve digjitale, ne jemi të obliguar ta mbajmë KTV-në në platformën tonë, mirëpo jo edhe të ia ruajmë pozitën”, shtoi Kastrati. “Mirëpo, arsyeja e riorganizimit të rirenditje nuk ka qenë vetëm KTV-ja”.

Baza ligjore aktuale obligon IPKO-n që t’i sigurojë hapësirë KTV-së në platformën e saj, por nuk e parasheh çështjen e renditjes së kanaleve.

Rregullorja e distribuimit kabllor të programeve radio-televizive e Komisionit të Pavarur të Mediave, përkatësisht neni pika 3.3 e nenit 12, për shkak të sigurimit të diversitetit, parasheh obligimin që operatorët kabllorë të bartin pa asnjë ndryshim ose modifikim programin e “transmetuesit të obligueshëm”.

KTV është transmetues i obligueshëm.

Mënyra e renditjes së kanaleve televizive është duke i dëmtuar mediat, tha Ardita Zejnullahu, drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), një organizatë jo-qeveritare që përfaqëson 73 transmetues dhe merret me rregullimin e politikave të mediave. KTV është pjesë e asociacionit.

“KPM duhet t’i rregullojë operatorët kabllorë duke përfshirë këtu edhe renditjen edhe numërimin e kanaleve brenda platformave kabllore në pakon bazike”, tha Zejnullahu. 

Sipas saj, renditja nuk duhet t’i lihet në dorë operatorëve kabllorë. “Ata në fund të fundit mund t’i kenë edhe interesat e tyre private monopoliste”, tha Zejnullahu.

Gazetari Nehat Islami tha se ndryshimi i vendeve është problematik pasi ai u bë në një kohë kurë shikuesit kanë parasysh polemikën mes Grupit Koha dhe Ipko-së.

“Ky ndryshim ka ngjarë në një moment kur të gjithë shikuesit e kanë parasysh mosmarrëveshjen në mes të IPKO-s dhe KTV-së për pagesën e dhjetë mijë eurove. Prandaj kjo bie në sy”, tha Islami. “Rrjetet kabllore duhet të vendosin kanalet në marrëveshje me palën tjetër”.

“Është e çuditshme që po ndodhë në kohën kur Koha Visionit nuk po i paguhen kërkesat financiare”.

<iframe width=”480″ height=”360″ src=”http://www.youtube.com/embed/JIL1odwB4sc” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>