Prishtina Çel Sheshin

Inspektorati i Komunës së Prishtinës me mbështetje të  policisë, të hënën në sheshin “Nëna Tereze”, në qendër të Prishtinës, ka filluar një aksion për lirimin e hapësirave publike duke konfiskuar frigoriferë dhe elemente të tjera përcjellëse të shitësve ambulantë.
 
Sipas përgjegjëses për Protokoll në Kabinetin e Kryetarit të Komunës, Burbuqe Thaçi, inspektorati ka filluar aksionin për largimin fillimisht të objekteve lëvizëse të vendosura pa leje në qendër të kryeqytetit.

“Ky aksion do të vazhdojë gjatë javës, me ç’rast do të largohen të gjithë shitësit ambulantë që tregtojnë pa leje në sheshe dhe pjesë të tjera të qendrës”,  i tha ajo Gazetës Jeta në Kosovë.

Edhe Drejtori i Inspektoratit në komunën e Prishtinës, Muhamet Gashi i tha gazetës se aksioni i filluar nuk do të ndërpritet.

“Janë duke u konfiskuar frigoriferë dhe elementet tjera përcjellëse të shitësve ambulantë në sheshin “Nëna Tereze”, tha Gashi.

Gashi më tutje shtoi se aksioni që ka filluar  në sheshin “Nëna Terezë” do të vazhdojë edhe në pjesë tjera të kryeqytetit përfshirë këtu rrugët “George W. Bush”,  “Agim Ramadani” dhe “Luan Haradaniaj”.

Aksionin e komunës e mbështeti edhe një numër policësh.

Zëdhënësi i policisë Agron Borovci i tha gazetës se komuna e Prishtinës ka një marrëveshje me policinë e cila thotë që varësisht nga nevojat e komunës, “rreth 20 policë janë në gjendje gatishmërie të shërbejnë gjatë aktiviteteve të saj, kurdo që është e nevojshme”.


Shitësit ambulantë janë kthyer në shesh, menjëherë pas largimit të policisë

Shitësit ambulantë megjithatë në shesh

Përkundër aksionit dhe motit me shi, shitësit ambulantë janë kthyer menjëherë pas largimit të inspektorëve komunalë dhe kanë vazhduar të qëndrojnë në shesh.

Në shesh qëndruan pa u penguar librashitësit e shumtë.

Kosovar Zuka, shitës i librave në shesh, tha se shitja e librave dhe luleve është e lejuar.

“Libri nuk ngucet kurrë”, tha ai. “As libri as lulet”.

Zyrtarja e komunës Thaçi tha se shitësit e tillë posedojnë leje të përkohshme.

“Janë disa shitës që tregtojnë me leje të përkohshme si: librashitësit dhe luleshitësit, të cilët paguajnë taksën për shfrytëzimin e hapësirës publike”, tha ajo.

Drurët e vjetër zëvendësohen me të rinj

Paralelisht me aksionin e inspektoratit, punëtorë të Hortikulturës nxirrnin drunjtë e vjetër ekzistues, për t’i zëvendësuar me të rinj.

Burbuqe Thaçi i tha gazetës se projekti për gjelbërimin e qytetit, përveç shesheve, parasheh edhe rrugët e tjera të kryeqytetit.

“Nesër (e martë) do të fillojë mbjellja e drunjve fillimisht në sheshin ‘Nëna Tereze’, për të vazhduar më pas edhe në rrugët tjera të kryeqytetit”, tha ajo duke përmendur rrugët “Bill Klinton”, “Agim Ramadani”, “Enver Maloku” etj.

Sipas arkitektit  të pavarur Ylber Vokshi, mbjellja e drurëve i jep një pamje të mirë sheshit.

Por, ai tha se mbjellja është vetëm fillimi i punës.

“Nuk është vetëm mbjellja, ata duhet mirëmbajtur”, tha Vokshi.

Zyrtarja komunale Burbuqe Thaçi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se punimet në sheshin “Nënë Tereza” pritet të përfundojnë në fund të muajit maj të këtij viti.