AKK: Gjashtë Zyrtarë Me nga Pesë Vende të Punës

Raporti vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsion për vitin 2012, i prezantuar të enjten, zbuloi shumë shkelje ligjore të zyrtarëve institucionalë kosovarë.

Kryetari i agjencisë Hasan Preteni tregoi se institucioni që ai drejton, gjatë vitit 2012 hetoi 244 lëndë, duke përfshirë edhe tetëdhjetë të trashëguara nga viti 2011. Nga këto lëndë gjykatat ngritën 52 kallëzime penale ndaj 159 zyrtarëve.

Sipas Pretenit në mesin e zyrtarëve për të cilët janë ngritur kallëzime penale ka udhëheqës të institucioneve qendrore, ndërmarrjeve publike, zyrtarë të lartë komunalë, dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të Kosovës jashtë vendit.

Preteni më tutje tregoi se 869 zyrtarë kanë më shumë se një vend pune. 670 prej tyre punojnë në dy vende, 177 në tri, 26 mbajnë katër pozita, ndërsa 6 zyrtarë mbajnë pesë vende pune.

Kreu i Agjencisë kundër Korrupsion nuk pranoi të japë për medie emrat e këtyre gjashtë zyrtarëve, ndërsa dha të dhëna se edhe deklarimi i pasurisë nuk po shkon si duhet.

Shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë se deklaruar

Te çdo i teti formular i plotësuar për deklarim të pasurisë, AKK-ja ka gjetur mospërputhje të pajustifikueshme sa u përket raportit të të hyrave dhe pasurisë së deklaruar.

Rreth 300 zyrtarë të lartë deklarojnë vazhdimisht pasurinë që nga viti 2008 deri në vitin 2012. Sipas AKK-së, 38 prej tyre janë identifikuar se kanë pasuri që nuk justifikon të hyrat që deklarojnë.

Nëntë nga këta zyrtarë të lartë kanë të hyra shumë më të vogla, në raport me pasurinë që paraqesin në formular.

“Më e keqja  është se 9 zyrtarë nga 2008-ta deri në vitin 2012 deklarojnë pasuri ku diferenca (mes të hyrave dhe pasurisë së deklaruar) është milionëshe” tha Preteni.

Numri i zyrtarëve të identifikuar si të përfshirë në korrupsion kalon numrin prej 850.

Gjatë vitit 2012, 307 zyrtarë nuk kanë kryer obligimin ligjor të deklarimit të pasurinë dhe ndaj të gjithëve është iniciuar procedura në gjykatat kompetente për kundërvajtje. Për mosdeklarim të pasurisë që nga viti 2010 Agjencia ka realizuar 471 paraqitje në gjykata për kundërvajtje.

EULEX-i më bashkëpunues se prokuroritë vendëse

Preteni gjatë prezantimit të raportit ka lavdëruar bashkëpunimin e AKK-së me prokurorinë e EULEX-it që sipas tij është shumë i mirë, por ai ka akuzuar prokuroritë vendore për siç tha hedhje poshtë të kallëzimeve penale pa kurrfarë justifikimi.

“Ne vlerësojmë se shumica e tyre janë hedhur në mënyrë të pajustifikueshme, prokuroritë vendore nuk i ftojnë zyrtarët e agjencisë që i kanë punuar lëndët për t’i mbrojtur kallëzimet penale të ngritura nga ata, ose nuk ua mundësojnë që të ofrojnë informacione më të detajuara rreth natyrës së veprës” tha Preteni.

Ai tha se prokuroritë kërkojnë nga agjencia të bëjë diçka që nuk i takon për misionin që ka, duke kërkuar nga ajo që të provojë veprat penale, një gjë që u takon vetë prokurorive.

Shumica e shkeljeve lidhen me prokurimin

Sipas Pretenit, në rastet më të shpeshta veprimet ose mosveprimet u referohen shkeljeve të procedurave të prokurimit, apo në rastet më të këqija anashkalimit të tërësishëm të këtyre procedurave duke iu shmangur në këtë mënyrë transparencës dhe konkurrencës lojale.

“Shkeljet paraqiten në të gjitha fazat duke filluar nga përgatitja e dosjeve, përcaktimi i kritereve të kundërligjshëm, favorizimi, kohëzgjatja e lidhjes së kontratës përbërja joligjore e komisioneve, vazhdimi i procedurave edhe pse paraqiten numër i vogël i ofertave, pranimi i dokumentacionit të falsifikuar, korrigjimi i çmimit lidhja e kontratave me operatorë ekonomikë kur pronarët janë në lidhje interesi me zyrtarët e institucioneve si dhe shkelje të shumta gjatë realizmit të kontratave mbikëqyrjes dhe pagesave” tha kreu i AKK-së.