KTV Nuk Tërhiqet Nga Platformat Kabllore

“Për të shmangur çfarëdo keqkuptimi, e informojmë opinionin se Koha nuk do ta tërheqë KTV-në nga platformat Ipko dhe Kujtesa”.

Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar të enjten vonë nga grupi medial Koha, një ditë pasi gazeta online Express ka publikuar një shkrim ku thuhet se “KTV me vetëdëshirë tërhiqet nga sistemi kabllovik”.

Sipas Express-it, KTV-ja do të largohet nga dy rrjetet kabllore më 1 prill 2013. 

Shkrimi bazohet në deklaratat e përfaqësuesve të Ipko-s dhe Kujtesës, sipas së cilëve Grupi Koha ka kërkuar dhjetë mijë euro në muaj për programet që ofron, por se këto dy kompani nuk kanë mundësi t’i paguajnë. 

Grupi Koha nuk  mohoi negociatat që janë duke u zhvilluar me rrjetet kabllore dhe deklaroi se nuk do të tërhiqet nga qëllimi që të “bisedohet me operatorë kabllorë për statusin e mëtetjmë të transmetuesve në platformat kabllore”.

“Është arritur pika në të cilën duhet avancuar statusin e transmetuesit televiziv kombëtar Kohavision në po ato platforma” thuhet në komunikatë.

Aty thuhet edhe se KTV ka ndikuar në rritjen e qarkullimit financiar të platformave kabllovike por për këtë nuk është kompensuar financiarisht. 

Ndërsa sa i përket informatës së publikuar nga Express, e cila financohet nga kompania Ipko, grupi Koha tha se informata “më së buti thënë, është e pavërtetë”.

Express ka cituar drejtorin e IPKO’s, Robert Erzin, dhe atë të Kujtesës, Arbër Arifin.

Në letrën e grupit Koha thuhet se “KTV-ja gëzon statusin e ‘transmetuesit të obligueshëm’, pra të transmetuesit që patjetër duhët të transmetohet nga platformat në fjalë”.

Rregullorja e distribuimit kabllor të programeve radio televizive, përkatësisht neni pika 3.3 e nenit 12, për shkak të sigurimit të diversitetit, parasheh obligimin që operatorët kabllor të bartin pa asnjë ndryshim apo modifikim programin e “transmetuesit të obligueshëm”.

Letra vazhdon duke theksuar se “heqja eventuale e sinjalit të KTV-së nga cilado prej këtyre platformave, do të bëhej në kundërshtim me vullnetin e Grupit Koha si dhe në kundërshtim me aktet relevante juridike të Komisionit të Pavarur për Media.”

Por sipas rregullores, transmetuesit kanë mundësi të zgjedhin të qëndrojnë jashtë rrjeteve kabllovike. 

Koha Vision është televizion kombëtar i cili ka filluar të transmetohet në shtator të vitit 2001 dhe prodhohet nga Grupi Koha e themeluar në vitin 1990.