Paraburgim për Pronarin dhe Mjeshtrin e Shtëpisë Ku Vdiqën Dy Punëtorë

Gjykata Themelore e Gjilanit u shqiptoi masën e paraburgimit prej tridhjetëditësh të premten personave që dyshohet se janë përgjegjës të shkaktimit të vdekjes së dy punëtorëve, të mërkurën në Rogaqicë të Kamenicës.

Me kërkesë të prokurorit Agron Uka, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sahit Boroci vendosi t’i mbajë në paraburgim njëmuajsh, pronarin e shtëpisë ku vdiqën dy punëtorët dhe mjeshtrin kryesor të punimeve.

Të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “punime ndërtimore të kundërligjshme”.

Një pllakë betoni e një shtëpie që po ndërtohej është rrënuar të mërkurën në fshatin Rogaqicë të Kamenicës duke shkaktuar vdekjen e dy punëtorëve.

Punëtorët po gërryenin dheun nën pllakë për të hapur një bodrum, kur pllaka ka rënë mbi  ta duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore që nuk kanë mundur t’I përballojnë.

Ekipet policore, mjekësore ato të zjarrfikësve dhe të emergjencës e shpëtimit, më pas i nxorrën viktimat, por nuk mundën t’ua shpëtonin jetën.

Njëri nga punëtorët vdiq në vend, ndërsa tjetri pasi u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për hapjen e këtij bodrumi po punonin gjashtë persona, punëtorë krahu që nuk i takonin ndonjë kompanie për kryerjen e punëve ndërtimore.

Pllaka ua shkaktoi vdekjen 50 vjeçarit E.Rr. dhe 40 vjeçarit I.G, derisa katër punëtorët tjerë po pushonin duke pirë cigare.

Pronari i shtëpisë ku ndodhi aksidenti,50 vjeçari E. Rr, e kishte të afërm njërin nga të vdekurit. Varrimi i të ndjerëve u bë të mërkurën pasdite.