Baba e Bir Rrihen Me Bisht Shati në Gjilan

Sabit Syla, 38-vjeçari nga fshati Bresalc i Gjilanit, të martën rreth orës 10:00 derisa babai i tij Halili ishte duke punuar tokën, e kishte ngacmuar duke e fyer rëndë me fjalët “kam me ta q… nënën”,  “kam me të mbytë” etj. dhe pastaj e kishte goditur në gjoks e pjesë të tjera të trupit. 

Gjatë përleshjes, në vetëmbrojtje i dëmtuari Halil Syla, prindi i të pandehurit, e kishte goditur me bisht të shatit të birin duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, prokurori Kujtim Munishi ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit për Sabit Sylën me arsyen se i njëjti mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek dëshmitarët.

Ai po ashtu tha se nëse i njëjti gjendet ne liri mund ta përsëris veprën penale, sepse nga databaza e prokurorisë shihet se ai edhe më parë ka kryer vepra të  kësaj natyre . 

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kushtrim Musa e kundërshtoi  kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, sepse, sipas tij, ligji parasheh se për caktimin e paraburgimit duhet të ekzistojnë prova dhe rrethana të cilat e justifikojnë dyshimin e bazuar.

I pandehuri Sabit Syla përkrahu fjalën e mbrojtësit të tij duke shtuar se është i pafajshëm dhe u betua se nuk do të hakmerret nëse mbrohet në liri.

Në fund, gjyqtari Behar Ymeri, i caktoi Sabit Sylës masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.