Ndërmjetëson të Motrën në Prostitucion

Sh.Z. u dënua të martën me 180 ditë burgim dhe 400 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega Viti, për veprën penale mundësim ose detyrim në prostitucion.

Personi në fjalë kishte ndërmjetësuar në prostitucion mes motrës së saj dhe një klienti.

E dënuara akuzohej nga prokuroria e Gjilanit sepse me datë 13 shkurt 2013, te qendra tregtare “Agmia”, e më pas edhe ne rrugën e Ferizajt te “Shaqa Petroll”, ka organizuar takimin në mes të M.D mashkull nga Kamenica, dhe F.Z, motra e të akuzuarës, duke ndërmjetësuar për qëllime prostitucioni..

E akuzuara e kishte kontaktuar së pari në telefon M.D dhe pas takimit ishin marrë vesh për çmimin prej 50 eurosh për shërbimet seksuale që do t’i ofronte e dëmtuara.

E dëmtuara i dorëzohet M.D, i cili më pas niset për të kryer aktin seksual në një motel në fshatin Radivojcë -Viti.
 
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Bahtije Ademi , e akuzuara Sh.Z e pranoi fajësinë për këtë vepër.

Meqë e akuzuara e pranoi  fajësinë, gjykata konstatoi se nuk ka nevojë të shtjellohen provat, por shkoi direkt në fjalën përfundimtare .

Në fjalën përfundimtare prokuroja Bahtije Ademi kërkoi nga gjykata që të akuzuarën ta shpallë fajtore, sepse ka prova të mjaftueshme, përfshirë këtu edhe përgjimet telefonike, e që e vërtetojnë bazën e aktit akuzues.

Ajo kërkoi që me rastin e matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese, si pranimi i fajësisë dhe fakti se është hera e parë që e akuzuara bie ndesh me ligjin, ndërsa si rrethanë rënduese prokurorja kërkoi të merret fakti se e akuzuara ka kryer veprën ndaj një familjari të saj.

Mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Ajvaz Islami, kërkoi që me rastin e matjes së dënimit të merret si rrethanë lehtësuese se vepra është kryer në lajthim juridik, duke menduar se nuk është duke kryer ndonjë vepër e cila është e dënuar me ligj.

Ndërsa e dëmtuara F.Z  tha se nuk ishte për atë që të dënohet motra e saj, pasi që nuk ka pasur përfitim dhe pasi ka qenë vetë-propozim .

E akuzuara në fund i kërkoi falje publike së motrës dhe tha se nuk e ka ditur se kjo vepër është e sanksionuar dhe i premtoi gjykatës se në të ardhmen nuk do të përsëris vepra të tilla.

Mbrojtësi paralajmëroi ankesë , ndërsa prokurorja do të deklarohet në afatin ligjor lidhur me ankesën .