Një Votë Kundër Thaçit Akt Simbolik i Demokracisë

E vetmja votë e cila ishte kundër rizgjedhjes së Hashim Thaçit në krye të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), erdhi nga Mirsad Shkreta, delegat i kësaj partie, i cili vjen nga komuna e Hanit të Elezit.

Shkreta, udhëheqës i grupit të këshilltarëve në Asamblenë Komunale në Han të Elezit, me profesion stomatolog, ishte i vetmi nga 719 delegatët e pranishëm që mori “guximin” të ngrejë dorën kundër shefit të pakontestueshëm të partisë.

Një ditë pas Kuvendit, Shkreta shpjegon se “gjesti” i tij ishte më shumë kundër mënyrës së votimit, jo pse ka pasur ndonjë kandidat tjetër të preferuar.

Ai ka thënë se vota e tij është vendim subjektiv, duke mos dhënë arsye të qarta se pse nuk dëshiron që Thaçi të rizgjidhet në krye të partisë.

Veprimin e tij e ka arsyetuar, me mënyrën se si u bë votimi. “Kam shprehur mendim kundër, për shkak se nuk më ka pëlqyer mënyra e hapur dhe unanime e votimit”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, delegati Shkreta.

“Një mendim ndryshe mendoj se ka tregu një akt demokratik gjatë procesit”, theksoi Shkreta.

Ai nuk ka ndonjë emër tjetër, që do të donte ta shihte në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.
 
Anëtari i Komisionit të Punës, Hajredin Kuçi, para votimit për kandidatin e vetëm i pyeti delegatët e pranishëm për mënyrën se si dëshironin të jetë votimi.

Të gjithë delegatët ishin pro votimit për kryetarin e partisë në mënyrë të hapur.

Por, ai i cili e ngriti dorën kundër votimit të hapur ishte vetë kryeministri Hashim Thaçi. Dhe, kjo e shtyri Kuçin që edhe njëherë t’i pyes delegatët e pranishëm, që prapë u shprehën pro votimit të hapur.

Hashim Thaçi, si i vetmi kandidat, u rizgjodh kryetar i PDK-së duke marrë 718 vota të delegatëve, me vetëm një kundër.