Lladrovci Kërkon Shtyerjen e Iniciativës së Tij

Deputeti nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, të hënën më 17 dhjetor, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit shtyerjen e diskutimit të rastit Kiqina në seancën parlamentare. 

Ai këtë kërkesë e ka bërë disa orë para se të mbahej mbledhja e Kryesisë.

 “Përmbajtja e rastit e Kiqina ka rreth 4,000 faqe dhe më duhet kohë ta analizoj tërë këtë” ka thënë Lladrovci për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Lladrovcit, rasti Kiqina do të diskutohet në një mbledhje të rradhës, e cila mund të jetë pas festave të fundvitit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar javën e kaluar se më 3 dhjetor 2012, deputeti Lladrovci i kishte propozuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të fusë në rend dite diskutimin e rastit Kiqina.

Iniciativa e diskutimit të rasteve gjyqësore nga ana e Parlamentit ishte kundërshtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Në vendimet gjyqësore nuk mund të ndërhyjë askush. Kjo është rregull. Jo vetem legjislativi, por asnjë palë tjetër e interesit nuk mund ta bëjë këtë. Rigjykimi mund të ndodhë, vetëm nëse ankohen palët e përfshira në atë rast dhe nëse ka fakte të reja”, kishte thënë Enver Peci, gjykatës në Gjykatën Supreme dhe kreyesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në një prononcim të mëhershëm.

Rasti Kiqina është një ndër rastet më të gjata gjyqësore i cili ka të bëjë me vrasjen e familjes së Hamëz Hajrës në gusht të vitit 2001. Gjykata e Qarkut, ajo Supreme dhe Kushtetuese kanë shpallur fajtor Burim e Arsim Ramadanin dhe Arben, Blerim e Jeton Kiqinën për këtë vrasje.

Ramiz Lladrovci beson se gjykimi i rastit Kiqina është bërë në mungesë të argumenteve faktike.

“Procesi gjyqësor në rastin ‘Kiqina’ është zhvilluar në mungesë të argumenteve faktike, ka kaluar nëpër instanca gjyqësore në bazë të rrethanave fiktive dhe janë shkelur të drejtat kushtetutese të të akuzuarve”, thuhet në arsyetimin e propozimit të Lladrovcit.