Dy Muaj Burgim se Uzurpoi 8 Metra Tokë

Gjyqtari Memim Syla mori aktgjykim me të cilin e shpalli fajtor të akuzuarin Ragip Maliqi për veprën penale “Marrje në posedim e tokës në pronësi shoqërore në mënyrë të paligjshme”, dhe i shqiptoi dënimin me 60 ditë burgim, me kusht qe brenda një viti mos të kryejë vepër penale tjetër, si dhe pronën e uzurpuar ta kthejë në gjendjen e mëparshme.

Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin se në vitin 2011, në vendin e quajtur “Kodra Bose” në fshatin Busavatë, në mënyrë të kundërligjshme ka pushtuar/ marr në posedim pronën e paluajtshme të pasurisë shoqërore të Komunës së Kamenicës, në sipërfaqe prej 8 m2, në atë mënyrë që kishte ndërtuar mur rrethues prej betoni dhe në këtë sipërfaqe kishte mbjellë barë.

I akuzuari, pas leximit të aktit akuzues, deklaroi se parcelën e ka blerë nga një banor serb. “Aty më herët ka qenë gardh. E kam prishë gardhin dhe e kam thurë me tel. E mandej një fqinj imi ka derdhur dhe, me ç’rast janë fshehur gurët e mexhës dhe nuk kam mundur ta dijë se ku është mexha. Dhe është e vërtetë se kam mundur të ik pak prej mexhës sime. E ndiej veten fajtor, por nuk e kam bërë me qëllim”, ka thënë Maliqi.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Esat Ademi kërkoi nga gjykata që i akuzuari të shpallët fajtor dhe t’i shqiptohet një dënim sipas ligjit. Ai, po ashtu, kërkoi që gjykata të akuzuarin ta obligojë që sipërfaqen e uzurpuar ta kthejë në gjendjen e mëparshme.

Edhe përfaqësuesja e Komunës, Naziktere Spahiu, iu bashku ndjekjes penale dhe kërkoi që sipërfaqja e uzurpuar t’i kthehet përsëri Komunës.