Policët e Shpërthimit te “Sekiraqa Bar” Kërkojnë Rigjykim

Në Gjykatën Supreme të Kosovës për të dytën herë gjatë kësaj jave u mblodh kolegji i gjykatësve të kësaj gjykate që të gjykojë ankesat e prokurorit dhe mbrojtësve kundër aktgjykimeve të shkallës së parë dhe të dytë në çështjen e Besnik Hasanit, Shpend Qerimit dhe Nysret Cenës.

Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, ish-pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ishin dënuar me nga 33 vjet burgim, për një vrasje të trefishtë të kryer në shtator të vitit 2007. Ndërsa Nysret Cena ishte liruar nga të gjitha akuzat.

Prokuroria Speciale ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljeve esenciale të Kodit Penal.

Gjatë deklaratës së dhënë para kolegjit të gjykatësve, Besnik Hasani tha se ai ishte i involvuar por se “Shpend Qerimi nuk është i involvuar aspak në këtë çështje”.

Edhe avokati Tahir Rrecaj në paraqitjen e tij ndër të tjera tha se gjykata e shkallës së dytë gjatë shqyrtimit të lëndës nuk e ka lexuar ankesën e mbrojtjes e as të prokurorit. Ai disa herë përmendi faktin se kolegji i shkallës së dytë thjeshtë kishte injoruar ata dhe kishte vërtetuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Avokati Rrecaj u ndal edhe në shkelje esenciale e në shkelje të ligjit penal. Ai po ashtu kritikoj disa herë kryetarin e kolegjit-gjykatësin raportues, për raportin e shkurtër që i kishte bërë ankesës së tij. Avokati Rrecaj për këtë fakt tha se kolegji i gjykatësve ka pas rastin që vetëm disa rreshta të ankesës së tij t’i dëgjojë nga gjykatësi raportues. Në fund avokati kërkoi që çështja të kthehet në rigjykim.

Këtë vërejtje kryetari i kolegjit-gjykatësi raportues e pranoi por shtoi se secili anëtar i kolegjit e ka para vetës ankesën dhe se secili e ka lexuar me vëmendje.

Edhe mbrojtësi i Shpend Qerimit, avokati Avni Ibrahimi, analizoi edhe një herë ankesën dhe pretendimet e tij. Ai tregoi se aktgjykimi i shkallës së parë është i pakuptueshëm, njëjtë sikurse edhe aktgjykimi i shkallës së dytë, në të cilin, sipas tij, nuk dihet sa vite burg i kanë të pandehurit.

Në seancë foli edhe Shpend Qerimi, ai në mes lotëve para kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës, kërkoi rigjykimin e çështjes. Ai tha se nuk i do që të lirohet por vetëm do që të dënohen fajtorët të cilët sipas tij “në këto momente janë jashtë e po festojnë”. 

“Më mirë të jenë të lirë 100 të fajshëm sesa të dënohet një i pafajshëm, e unë në këtë rast jam i pafajshëm”, përfundoi i pandehuri Qerimi.

Edhe prokurori i shtetit, Isuf Mejzini, kërkoi nga kolegji që çështja të kthehet në rigjykim kjo pasi që prokuroria ka prova të reja. Ai shtoi se nga kolegji i shkallës së dytë nuk është marrë për bazë asnjë nga vërejtjet dhe kërkesat që i kishte bërë prokuroria speciale dhe që i kishte mbështetur prokuroria e shtetit.

Avokati Azem Vllasi, mbrojtës i Nysret Cenës, deklaroi se të gjitha pretendimet e prokurorit dhe mbrojtjes janë të kota pasi që nuk është e lejuar të bëhen ankesat. Ai përmendi në pika të shkurtra gabimet e mbrojtjes e prokurorit.

Në fund kolegji vendosi që shpallja e vendimit në këtë rast do të jetë të hënën në ora 14, në Gjykatën Supreme.

Hasani dhe Qerimi, dy ish-policë të njësive speciale të Kosovës, të njohur edhe si shokët e Triumf Rizës, qenë shpallur fajtorë me nga 33 vjet për vrasjen e Urim, Neshat e Sylejman Baftiut dhe plagosjen e Sadik e Bujar Baftiut në shtator të vitit 2007.

Ata qenë dënuar pasi, sipas trupit gjykues, më 27-28 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë, Ferizaj, i kishin zënë pritën një automjeti që po bartte pesë udhëtarë, duke shtënë në drejtim të tyre nga dy armë automatike AK 47. Si pasojë e kësaj prite tre udhëtarë qenë vrarë, i katërti qe lënduar rëndë, ndërsa personi i pestë kishte shpëtuar pa lëndime.

I akuzuari Nysret Cena, i cili fillimisht ishte arrestuar si i dyshuar, ishte liruar nga të gjitha akuzat.

Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë speciale të Kosovës, dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, po ashtu në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe dënuar me nga 25 vjet burgim për tri vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Ata janë shpallur fajtorë për shpërthimin e 24 shtatorit 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë ku patën humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë qenë lënduar. Besohet se cak i sulmit me eksploziv ka qenë lokali i Enver Sekiraçës në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Trium Riza, më 30 gusht të atij viti.