Jahjaga Nikoqire e Samitit Ndërkombëtar të Gruas

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të jetë nikoqire e Samitit Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas”, i cili do të mbahet prej 4 deri më 6 tetor, në Prishtinë.

Në këtë Samit janë ftuar të marrin pjesë mbi 200 gra lidere nga Kosova, vendet fqinje, si dhe nga rajone të tjera të Evropës, Amerikës Veriore, Lindjes së Mesme, Afrika Veriore dhe më gjerë.

Samiti, që në këtë nivel organizohet për herë të parë në rajon, do të trajtojë zhvillimin ekonomik, pjesëmarrjen politike dhe sigurinë e gruas, si dhe do të adresohen faktorët që ndikojnë në rolin e gruas në shoqëri, fuqizimin ekonomik të saj. Gjithashtu, do të identifikohen dhe barrierat kushtetuese e elektorale të pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe vendimmarrje, thuhet në një komunikatë shtypi të Zyrës së Presidentes.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se “siguria e gruas është siguri për shoqërinë”, dhe përmes këtij samiti synon që me ekspertizën dhe përvojën e grave lidere nga gjithë bota të ofrojë zgjidhje për sfida të veçanta me të cilat përballen gratë.

Samiti Ndërkombëtar i Gruas synon krijimin e urave të bashkëpunimit, komunikimit e partneritetit ndërmjet sektorit publik dhe privat, akademisë dhe politikëbërësve, jo vetëm brenda kufijve të një shteti por dhe ndërmjet popujve, shteteve fqinje dhe përtej, thekson njoftimi i Presidencës.

Samiti organizohet me mbështetjen financiare të popullit amerikan, nëpërmjet USAID-it dhe me mbështetjen organizative të NDI-së.