Tre Muaj Burgim për Kërcënuesin e Gjyqtarit

Gjyqtari Hajriz Lubishtani, në atë kohë ishte dhe kryetar i Gjykatës Komunale në Viti, bashkë me gjeometrët e Komunës së Vitisë, më 12 maj 2009, zyrtarisht kishte dalë në vendngjarje për rregullimin e sinorëve (mexhave) në një fshat në Viti.

Shaban Shefkiu ishte afruar rreth 10-15 metra, duke e fyer dhe kanosur seriozisht gjyqtarin. “Nuk kam me lanë me kaq”, i kishte thënë ai gjyqtarit, e po ashtu e kishte sharë me nënë. Gjithë këtë e kishte bërë në prezencë të policisë, por që pastaj ishte ndaluar nga policia.

Meqë palët ishin nga Vitia dhe i dëmtuari gjyqtar i Gjykatës Komunale në Viti , si gjykatë për procedimin e kësaj lënde ishte caktuar Gjykata e Kamenicës.

Shaban Shefkiu e pranoi se e kishte fyer – sharë dhe kërcënuar gjyqtarin, por tha se është penduar. Ai e luti gjyqtarin e Kamenicës që të ketë durim dhe ta lejojë t’i thotë “dy-tri fjalë”.

“Më vjen keq që Kosova ka kësi gjykatësish”, tha ai, duke aluduar për Hajriz Lubishtanin.
 
Në fjalën përfundimtare, prokurori kërkojë që i akuzuari të dënohet me një dënim meritor.

“Të vendosë gjykata sipas qefit të vet; më dënoni sipas ligjit, veç ky (Lubishtani) ma ka bërë me qëllim”, tha në fund, i akuzuari.

Gjykata e dënoi Shaban Shefkiun me tre muaj burgim, me kusht që brenda dy vjetësh të mos kryejë vepër të ngjashme.

Prokurori paralajmëroi ankesë, ndërsa Shefkiu tha nuk do të ankohet kundër këtij aktgjykimi.