AKK: Ejup Qerimi në Konflikt Interesi

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka proceduar në gjykatë për kundërvajtje rastin e drejtorit të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, PTK Ejup Qerimi për shkak se përveç kësaj pozite mban edhe pozitën e anëtarit të Bordit të Drejtorëve të Trustit Pensional të Kosovës.

AKK përmes një komunikate publike, ka njoftuar se në fillim të hapjes së këtij rasti Qerimi kishte shprehur gatishmëri të bashkëpunojë me Agjencinë për t’iu shmangur konfliktit të interesit. 

Por, edhe përkundër paralajmërimeve të AKK-së dhe afatit të dhënë për të heqë dorë nga njëri funksion, ai edhe më tutje ka vazhduar të ushtrojë dy funksionet. 

Gazeta “Jeta në Kosovë”, ka shkruar javë e kaluar për konfliktin e mundshëm të interesit nga ana e Qerimit, i cili figuron edhe si bashkëpronar dhe aksionar i disa kompanive private. 

Qerimi, megjithatë, ishte shprehur se në rastin e tij nuk ekziston asnjë element i konfliktit të interesit. 

Në një shkresë që ai i ka dërguar Agjencisë Kundër Korrupsionit, më datën 11 maj 2012, e që i është dhënë e njëjta përgjigje lidhur me këtë çështje edhe “Jetës në Kosovë”, Qerimi thotë se në qershor të vitit 2011 me konkurs është zgjedhur anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit Pensional të Kosovës, në cilësi të Përfaqësuesit Profesional të Punëdhënësve. 

Kurse, me datë  24 shkurt 2012 është përzgjedhur në pozitën e kryeshefit ekzekutiv. Tutje, në atë shkresë të Qerimit, thuhet se Agjencia është njoftuar për këto lëvizje. 

Qerimi iu referohet Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ku pretendon që qëllimi është parandalimi i konfliktit ndërmjet interesit publik dhe privat. 

Andaj,shton se në asnjërin nga funksionet e tij, nuk paraqitet elementi privat, pasi që të dy këto institucione janë publike. 

E në anën tjetër, zyrtarët e AKK-së insistojnë se Ligji për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik (nr.04/L-051, neni 16 pika 1), precizon qartë se pozitat e tilla janë të papajtueshme dhe paraqesin konflikt interesi.