Granatë në Kampin e KFOR-it në Bërnjak

(E plotësuar) Njëra nga granatat ka shpërthyer, kurse tjetra ka mbetur e pashpërthyer në mes të rrugës, duke bllokuar trafikun, ka njoftuar KFOR-i, nëpërmes një komunikate shtypi. Një ekip i deminimit i KFOR-it është informuar. 
 
“Një ushtar i KFOR-it ka pësuar humbje të lehtë të dëgjimit; nuk është raportuar ndonjë dëmtim i madh material”.
 
Për arsye sigurie dhe për t’i ndihmuar hetimet Vendkalimi Kufitar 31 në Bërnjak mbetet i mbyllur deri në lajmërim të mëtejmë, konfirmon KFOR-i.
 
KFOR-i edhe një herë dënon përdorimin e papranueshëm të dhunës, e cila do të luftohet fuqishëm.

Qeveria Dënon Sulmin Ndaj KFOR-it

Qeveria e Kosovës dënon ashpër sulmin me granate dore ndaj KFOR-it, që ndodhi sot në mëngjes në vendkalimin kufitar në Bërnjak, si pasojë e të cilit u lëndua një ushtar i KFOR-it.

“Ky sulm i radhës mbi forcat paqëruajtëse të KFOR-it që bëhet nga strukturat kriminale në veriun e Kosovës, është i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Qeveria e Republikës i jep mbështetje të plotë KFOR-it në përmbushjen e misionit të tij për sigurimin e lëvizjes së lirë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Edhe njëherë, Qeveria fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe të bashkëpunojnë me KFOR-in.

“Largimi i barrikadave nga KFOR-i dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për gjithë qytetarët”.

Qeveria i dëshiron shërim sa më të shpejtë ushtarit të lënduar në këtë sulm, duke kërkuar që incidentet si ky të zbardhen menjëherë.