Kosova Kritikohet për Financimin e Partive

Pa marrë parasysh se sa të dobëta ose të mira i kanë ligjet për financimin e subjekteve politike, vendet anekënd botës në mënyrë të njëjtë kanë dështuar që në mënyrë të efektshme të rregullojnë qarkullimin e parasë në subjektet politike, këto janë të gjeturat më të reja të Raportit të “Global Integrity” për vitin 2011. Ky raport është një hulumtim i 31 vendeve, dhe është paraqitur nga “Global Integrity”, një organizatë jofitimprurëse ndërkombëtare, që ka fituar shumë çmime dhe që përcjell trendët e qeverisjes dhe korrupsionit në aspektin global.

Njëzet e nëntë nga 31 vende mostër kanë shënuar 60 nga 100 pikë në pyetjet që kanë të bëjnë me vlerësimin e  efektshmërisë së ligjeve që rregullojnë donacionet individuale dhe të kompanive për subjektet politike, si dhe auditimin e këtyre donacioneve dhe shpenzimet gjatë fushatave.

Agjencitë Qeveritare që kanë mandat për të zbatuar këto ligje zakonisht kanë mungesë të kompetencave për hulumtimin dhe hetimin e këtyre rasteve, dhe nuk kanë autoritet për të vënë sanksione.

Kosova është vlerësuar me vetëm 25 pikë prej 100 pikëve në efektshmërinë e ligjit për financimin e partive politike, edhe pse ka një serë rregullash nga ligjet që kanë arritur deri në maksimumin që është (100 pikë). Vendi ka shënuar më së paku (0 nga 100 pikë) në rregullimin e financimit të kandidatëve individualë në mungesë të rregullave ligjore në këtë fushë. Publikimi i informacionit për financimin e partive gjithashtu ka shënuar pak (25 nga 100 pikë).

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga mungesa e përparimit në nivel global që do të rregullonte në mënyrë të efektshme qarkullimin e shumave të mëdha të mjeteve financiare që derdhen në proceset zgjedhore nëpër shumë shtete”, tha drejtori Ekzekutiv i “Global Integrity”, Nathaniel Heller.

“Financimi i aktiviteteve politike mbetet rreziku numër një për korrupsion në tërë botën, dhe mungesa e reformave të mirëfillta do të vazhdojë të pengojë edhe më shumë qeveri të hapura si dhe do të pengojë nismat për transparencë”, citohet të ketë thënë Heller, në një komunikatë shtypi të organizatës me seli në Washington.

Raporti i “Global Integrity” për vitin 2011, tenton që të vlerësojë ilaçin për kundër-korrupsion, më përpara se sëmundjen e korrupsionit në nivel lokal, gjithashtu vlerëson edhe fusha të tjera të qeverisjes sikurse janë transparenca dhe llogaridhënia. Këto përfshijnë kornizën ligjore për konfliktin e interesit, lirinë e medieve dhe llogaridhënien e zbatuesve të ligjit.

Raporti mbulon vendet e zhvilluara sikur SHBA-të, Irlandën, dhe Gjermaninë ashtu sikur edhe disa shtete në botë që konsiderohen si tregje në zhvillim dhe vendet në zhvillim, duke u nisur nga Algjeria te Ukraina, e deri te Kina. Përveç matjes së perceptimeve për korrupsionin, raporti vlerëson edhe mekanizmat e llogaridhënies si dhe masat e transparencës që janë nxjerrë apo që duhet nxjerrë për të parandaluar korrupsionin përmes 320 “Indikatorëve të Integritetit” gjithashtu edhe përmes raportimeve të korrupsionit. Zbrazëtirat në këto masa mbrojtëse sugjerojnë se ku ka mundësi të shfaqet më shumë korrupsion.

Një nga të gjetura e raportit është se Agjencitë Anti-korrupsion që zakonisht dështojnë t’i përmbushin pritjet e tyre. “Shumë prej Agjencive Anti-Korrupsion që janë vlerësuar në vitin 2011 janë shumë të politizuara dhe nuk janë të pavarura prej Qeverisë, ato janë kinse të ngarkuara vetëm me monitorim. Mungesa e kapaciteteve dhe e pavarësisë nga politika shumë shpesh përcillet edhe me një mungesë të ankesave nga ana e qytetarëve në Agjenci, në shumicën e rasteve mbrojtja e ‘informatorëve’ është e dobët ose nuk ekziston fare në shumë vende”.

Po ashtu, në 29 nga 31 vendet e vlerësuara, burokracia qeveritare është konsideruar sikur një mjet i partisë në pushtet apo që shfrytëzohet rregullisht për qëllime partiake. Kufiri në mes të buxhetit publik dhe aktiviteteve partiake mbetet i mjegullt në shumicën e vendeve që janë matur, me përjashtim të SHBA (100 pikë) dhe Irlandës (75 pikë).

“Disa vende kanë arritur të bëjnë përmirësime të vogla ose ka ulje në rezultatin e përgjithshëm në masat kundër-korrupsion pasi që ata kanë qenë të fundit që janë matur në vitin 2009. Liberia, Armenia dhe Taxhikistani tregojnë të arritura, përmirësime dukshëm më të mëdha, deri sa Sierra Leone, Zimbabve, dhe Meksiko kanë shënuar ulje në performancën e tyre”, thuhet në raport.

“Vlerësimet e shteteve që janë pjesë e Raportit na ofrojnë të dhëna të hollësishme, vlerësime të bazuara në fakte për mekanizmat kundër-korrupsionit që ofrohen në terë botën”, tha Heller.

“Ata i ofrojnë politik-bërësve, aktivistëve dhe qytetarëve informata për t’i kuptuar sfidat e qeverisjes, në mënyrë unike për secilin shtet në mënyrë që të ndërmarrin veprime”.

Raporti i “Global Integrity” është nxjerr si rezultat i një pune disa mujore në terren përmes mbledhjes së të dhënave nga ekipet që përbehen nga gazetarë dhe hulumtues në më shumë se 100 vende, të cilët kanë përgatitur afër një milion fjalë dhe më shumë se 10,000 të dhëna për shtetet e tyre.