Edi Ramës i Kërkohet Ndihmë në Gjetjen e Biznesmenit të Zhdukur

I biri i biznesmenit maqedono-shqiptar, Remzi Hoxha, i zhdukur 20 vjet më parë, pasi u rrëmbye nga katër pjesëtarë të shërbimit sekret shqiptar, ShISh, kanë kërkuar nga kryeministri Edi Rama për të vënë përgjegjësit pas hekurave dhe për të ndihmuar familjen për t’i gjetur eshtrat e tij.

Pas disa thirrjeve të bëra Ramës për këtë çështje, djali, Ardian Hoxha, ka nisur një fushatë peticioni në tri qytete : Tiranë, Prishtinë dhe Shkup duke u kërkuar qytetarëve që ta nënshkruajnë dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e misterit të gjatë.

Peticioni do të dorëzohet në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë i shoqëruar me një kërkesë që ai të veprojë shpejt për këtë çështje.

Duke folur për BIRN-in, Hoxha tha se familja e tij i kishte kërkuar Ramës dhe organeve të tjera të qeverisë që të nxisin qeverinë britanike dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL, që ta gjejnë dhe ekstradojnë Ilir Kumbaron, ish-oficer sekret i cili u gjet fajtor për tortura ndaj babait të tij dhe vdekjes së supozuar.

“Pas këtij udhëtimi të gjatë ne duam të dimë se ku janë eshtrat e babait tonë. Ky është qëllimi ynë kryesor dhe në qoftë se Ilir Kumbaro është pas hekurave, ne do kemi gjasa për t’i gjetur ato”, tha Hoxha.

Ai tha për BIRN-in se ai tashmë kishte informacion se kryeministri do ta marrë atë dhe do ta bëjë një deklaratë në lidhje me këtë çështje.

Ai shtoi se kërkesa ishte nënshkruar nga rreth 3500 qytetarë në Tiranë, 4.500 në Prishtinë dhe 2.700 në Shkup, dhe 900 nënshkrime të tjera në internet.

Remzi Hoxha u rrëmbye në tetor të vitit 1995 në Tiranë nga katër oficerë të ShISh. Prokurorët besojnë se më pas duke u vendosur në një shtëpi të ShISh-it në Lezhë, në veri të Shqipërisë, Hoxha vdiq si pasojë e plagëve të shkaktuara gjatë torturës.

Arsyet për rrëmbimin dhe torturimin mbeten të paqarta. Disa njoftime të medias kanë pohuar se Hoxha ishte dëshmitar në një bisedë në Maqedoni në mes të Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ish-liderit serb Slobodan Milosevic, në të cilën ata ranë dakord mbi kontrabandimin e naftës gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje.

Ish-kryeministri Berisha ka refuzuar t’u përgjigjet akuzave të bëra nga familja e Remzi Hoxhës.

Në nëntor të vitit 2012, një gjykatë shqiptare gjeti fajtor Kumbaron, njërin prej katër oficerëve të ShISh-it i akuzuar për rrëmbimin, dhe e burgosen atë në për 15 vjet.

Kumbaro kërkoi azil në Britani të Madhe në vitin 1996 duke u paraqitur si refugjat kosovar, megjithatë,  pastaj jetonte nën një identitet fallco, si Shaqë Shatri.

Pasi u zbulua identiteti i tij i vërtetë nga një gjykatë britanike dhe pasi  Shqipëria e kërkoi ekstradimin e tij, Kumbaro u zhduk dhe që atëherë nuk është gjetur as nga autoritetet britanike.