Hekurudhat, Prokuroria Ngre Aktakuzë pas Raportimit të Gazetës Jeta në Kosovë

Sipas komunikatë së Prokurorisë, i pandehuri, në mars të vitit 2014, si drejtor i Departamentit Ligjor dhe Licencimit të ARH, ka tejkaluar kompetencat e tij duke lejuar ndërmarrjen “Trainkos” si operator të vetëm për transportin hekurudhor në Republikën e Kosovës.

Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, ia ka shkaktuar dëmi material kompanisë “Railtrans në vlerë rreth 1.2 milion euro, duke i sjell përfitim operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”.

Për këtë temë, kishte shkruar edhe gazeta Jeta në Kosovë, në maj të vitit 2014.

Në shkrimin e gazetës tregohej se si Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave shfuqizoi vendimin për licencimin e operatorit të parë privat për menaxhim të transportit hekurudhor vetëm trembëdhjetë ditë pasi që vendosi ta lejonte të operonte në Kosovë.

Në atë kohë ARH kishte marrë vendim bazuar në dëshmitë e ofruara nga ndërmarrja publike “Trainkos”, një gjë e tillë në vitin 2014 kishte shqetësuar Zyrën e BE-së në Prishtinë.

Afrim Kuleta nga Zyra për Informim e ndërmarrjes “Trainkos-it”, në vitin 2014, i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ata ishin ankuar ndaj vendimit të ARH-së, kur ata e kishin licencuar kompaninë “Railtrans”, pasi që sipas tyre, kompania nuk kishte reputacion të mirë për të qenë pjesë e tregut të menaxhimit të trenave.

“Kemi vlerësuar se kompania ‘Railtrans’ nuk i ka plotësuar kërkesat e këtij ligji (Ligjit për Hekurudhat e Kosovës) për t’u pajisur me licencë”, thuhet në deklaratën e atëhershme të AfriI Kuleta.

Ndërkohë i pandehuri Avdylkadër Muçaj, kryesues në Departamentin Ligjor të Licencimit në ARH, pati thënë për gazetën se faktet e dorëzuara nga “Trainkos-i” ishin të rëndësishme.

“ARH-ja nuk bën hulumtime ex officio (sipas detyrës zyrtare), sepse nuk ka mandat të tillë. Por ARH-ja bazuar në Rregulloren e Licencimit 01/2012 neni 30, mund të hulumtojë ndonjë shqetësim apo ankesë”, pati thënë Muçaj.

Muçaj në atë kohë pati deklaruar se për ta nuk kanë rëndësi pretendimet e “Trainkos-it”, por faktet që ata kanë sjellë te ARH-ja.

“Brenda së njëjtës ankesë, ‘Trainkos’ ka pretenduar se ‘Railtrans-i’ ka probleme financiare dhe është e zhytur në borxhe. Si rezultat, nuk e plotëson njërin nga kushtet e licencimit siç kërkohet për përshtatshmërinë financiare. Një gjë e tillë nuk është mbështetur me fakte dhe ARH-ja nuk e ka marrë parasysh”.

Ndërsa sipas komunikatës së Prokurorisë, i pandehuri në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ka lëshuar Vendimin Nr. 02/14, të datës 31.03.2014 me të cilin ka revokuar në mënyrë të kundërligjshme Licencën Nr. 01/2014, të dt. 10.03.2014 për transport hekurudhor të mallrave të ndërmarrjes “Railtrans” L.L.C me pronar Besir Çmega.

Këtë licencë e kishte lëshuar vet i pandehuri në emër të ARH.

“Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Të kontaktuar në vitin 2014, nga gazeta Jeta në Kosovë, zyra e BE-së pati thënë se revokimin e licencës, e cilësojnë si jashtëligjor që pamundëson konkurrencë në treg, duke i lejuar pozitë dominuese ndërmarrjes publike “Trainkos”.

“Ky vendim nuk dërgon një sinjal pozitiv”, kishte deklaruar Syzana Bytyqi –Jagxhiu, zëdhënëse në Zyrën e BE-së në Prishtinë.