Filmi Kosovar në Kolonë Festivalesh

Melbourne Film Festival në Australi do të jetë nikoqir edhe i filmit të shkurtër nga Kosova “Kolona”. Këtë vit është edicioni i 61-të i këtij festivali, që është një ndër festivalet më të vjetra botërore. Ky festival është i akredituar nga Akademia Amerikane e Filmit – Oscar dhe nga Bafta Awards. Filmi ‘Kolona’ është pranuar në garën zyrtare për film të shkurtër.

Në kritikën e australianit Thomas Caldwell, filmi “Kolona” është radhitur në mesin e 5 filmave më të rekomanduar për t’u shikuar në Melbourne Film Fest. “(Kolona) është një vepër e fuqishme rreth një njeriu që ik nga Kosova me familjen e tij në 1999” shkruan Caldwell. Në këtë listë është edhe filmi i shkurtër “Silent” fitues i Palme d’Or ne Cannes Film Festival 2012.

Ujkan Hysaj, regjisori i filmit “Kolona”, do të udhëtojë në Melbourne për ta prezantuar filmin para audiencës australiane.

Sipas Qendrës Kinematografike të Kosovës, “filmi ‘Kolona’ do të shfaqet edhe në festivale tjera anekënd globit”. “Ky film është pranuar në kompeticion zyrtar edhe në Monterrey Film Festival / Meksikë që mbahet prej 16-26 gusht 2012, si dhe në Warsaw Film Festival në Poloni që mbahet prej 12 – 21 tetor 2012” shprehet Fatos Berisha, drejtor i QKK-së. 

Ky festival është një ndër festivalet më të mëdha evropiane, dhe po ashtu i akredituar nga Akademia Amerikane e Filmit – Oscar  dhe e antarësuar në FIAPF (International Federation of Film Producers Associations)”, thotë Berisha. 

Dhe së fundi, filmi “Kolona” pranohet edhe ne Izmir Short Film Festival në Turqi, që mbahet prej 20-25 nëntor dhe është edicioni i 13-te.

Filmi ‘Kolona’ është tregim për një familje që ikin nga Kosova në kohën e luftës. Ademi duhet të marrë me vete gruan dhe djalin e vëllait, ngaqë vëllai i tij mbetet në Kosovë. Rrugës, ushtria serbe e detyrojnë që njërin nga djemtë ta dorëzojë tek ata. Një tregim i dhimbshëm për ngjarjet e vitit ’99 në Kosovë është pasqyruar nga kasti i aktorëve Sunaj Raça, Arbnesha Grabovci, Irena Cahani, Don Raça, Enis Krapi, Vllado Jovanovski, Bislim Muqaj. 

Ky film është bashkëprodhim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe produksionit vendor ‘Ajo Pictures’. Regjia Ujkan Hysaj, skenari Besian Hysaj. Drejtor fotografie: Samir Karahoda.