Lëvizja Lustron Imazhin në Turneun Amerikan

Albin Kurti thotë se Vetëvendosja ka problem me imazh. 

“Nëse i shikon lajmet, sidomos televizionin publik, ndodh që një qytetar i painformuar mendon që Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet”, u tha rishtazi deputeti dhe lideri i partisë opozitare një grupi të shqiptarëve të diasporës në New York. “Por paralelisht thonë që ‘ah, këta janë të vegjël, të parëndësishëm’”. 

Vetëvendosja ka zgjuar shumë vëmendje në vend, por jo domosdoshmërish krejtësisht pozitive. Për shembull, derisa Kurti dhe liderë tjerë të Vetëvendosjes përfundonin një vizitë dyjavore në Shtetet e Bashkuara javën që shkoi, aktivistë të këtij subjekti ngjyrosën me sprej Mercedes Benz-in e zëvendësministrit të zhvillimit ekonomik në Hotelin Grand, në Prishtinë, lajm që u transmetua në televizione dhe u shfaq në faqet e para të disa gazetave. 

“Nëse i shikon lajmet, sidomos televizionin publik, ndodh që një qytetar i painformuar mendon që Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet” Albin Kurti

Kjo performancë ishte projektuar për të tërhequr vëmendje rreth marrëveshjeve të dyshimta të privatizimit, një veprim ky identifikues i Vetëvendosjes edhe pse paksa i zbutur krahasuar me standardet e lëvizjes. 

Në dekadën e kaluar, kur ajo u shfaq si një lëvizje radikale, njihej për protesta të llojllojshme nëpër rrugë dhe retorikë nacionaliste.

Veprimet e tilla inkurajojnë mbështetësit por edhe irritojnë të tjerët të cilët i konsideronin ndonjëherë si veprime rrugaçësh. Ato kanë tendencë që gjithashtu t’ia eklipsojnë aktivitetet në parlament, ku mban 12 vende. 

Që nga hyrja në parlament më 2011, Vetëvendosje në një farë mënyre ka mbajtura kursin e saj origjinal kundër establishmentit – i cili pjesërisht kundërshton mënyrën se si Kosova u bë e pavarur në vitin 2008 nën mbikëqyrjen ndërkombëtare – ndërsa në anën tjetër merr pjesë drejtpërdrejt në bërjen e ligjeve të vendit.

Si duket kjo strategji po funksionon. Një studim i bërë në muajin maj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tregon se 20 për qind e të anketuarve kanë ndërmend të votojnë për Vetëvendosjen në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Ajo ende gjendet pas partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, dhe partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK.

Por 20 për qind është mjaft mirë krahasuar me 12.7 për qind sa kishte marrë kjo parti në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë në vitin 2010.

“VV është një forcë me potencial qeverisës. Ka rritje në mbështetje, ka edhe prurje në individë, siç ka edhe dobësim të partive që kanë qenë më të mëdhatë gjatë periudhës së pasluftës”, tha Shinasi Rama, profesor i shkencave politike në Universitetin e New Yorkut. 

“Ka rritje në mbështetje, ka edhe prurje në individë, siç ka edhe dobësim të partive. Shinasi Rama

Rama duke iu referuar turneut dy-javor të liderëve të subjektit në Amerikë – i pari i këtij lloji për ta – thotë se ai është i rëndësishëm pasi “tregon se Vetëvendosja është një forcë e cila do të merret seriozisht”.

Dhe përderisa imazhi i Vetëvendosjes ndërlidhet me protesta, tani udhëheqësit e saj duket se ndjehen si në shtëpi edhe duke biseduar me anëtarët me veshje serioze të diasporës shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria e gjetkë.

Në SHBA, Kurti pinte birra dhe pozonte për fotografët së bashku me mbështetësit e tij gjatë vizitës me disa ndalesa në Bregun Lindor dhe veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, ku edhe jeton shumica e shqiptaro-amerikanëve.

Rreth 200,000 amerikanë janë deklaruar si shqiptarë në regjistrimin e popullatës në vitin 2010. Numri i qytetarëve amerikanë në SHBA me prejardhje nga Kosova nuk dihet megjithëse besohet se ata janë me dhjetëra mijëra. Disa prej tyre janë mjaft të pasur.

Gjatë vizitës në SHBA, udhëheqësit e Vetëvendosjes, lideri Kurti, zëvendës-kryetari i partisë Shpend Ahmeti dhe deputeti Florin Krasniqi u takuan edhe me disa politikanë në Washington.

Prej tyre ishin edhe Eliot Engel, distrikti  i të cilit në New York ka një popullsi të madhe shqiptare, dhe senatori Chris Murphy nga Connecticut.

Kurti herën e fundit vizitoi  SHBA-të në vitin 1997, gjersa udhëhiqte protestat studentore kundër regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit.

Sipas Vetëvendosjes, Kurtit i është refuzuar viza për SHBA disa herë, gjë për të cilën mbështetësit e  partisë  fajësojnë marrëdhëniet jo të mira të tij me ambasadorët e ndryshëm amerikanë dhe Qeverinë e Kosovës.

Departamenti amerikan i shtetit nuk pranoi të komentonte nëse Kurtit i ishte refuzuar disa herë viza  ose pse mori një të tillë në vizitën e tij të fundit.

Përmbajtja e mesazhit

Visar Ymeri, kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se vizita në SHBA i mundësoi subjektit ta riformulojë mënyrën se si është parë.

“Kjo vizitë është e rëndësishme për shkak se ua mundëson të gjithëve në SHBA, qofshin ata shqiptarë ose zyrtarë të SHBA-së, ta kuptojnë dhe të informohen direkt me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje, për angazhimin politik të lëvizjes dhe synimet e vizionin që e ka për të ardhmen e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, e jo t’i dëgjojë këto të shtrembëruara nga persona tjerë, qoftë ata të pushtetit vendor [të Kosovës] ose diplomatë të caktuar që shërbejnë në Prishtinë”. 

“Kjo vizitë është e rëndësishme për shkak se ua mundëson të gjithëve në SHBAta kuptojnë  qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Visar Ymeri

Vetëvendosja ka organizuar dy tubime në New York. Njërin në një klub luksoz nate ndërsa tjetrin në një restorant. Gjersa zbukurimet e vendosura me kujdes ishin në kontrast me veprimet e rrugës për të cilat njihet kjo parti, Kurti nuk e uli tonin e mesazhit. 

Para një turme përplot me shqiptarë, Kurti përsëriti bindjen e tij se të gjithë shqiptarët në Ballkan duhet të jetojnë në një vend.

“Kombi shqiptar në Ballkan ka nevojë që në këtë dekadën e dytë të shekullit XXI të forcohet”, tha ai.

“Dhe forcimi nënkupton jo vetëm demokracinë cilësore, jo vetëm shtet të së drejtës, që e lufton korrupsionin… por nënkupton edhe zhvillim ekonomik bazuar në prodhim e ushtri të fuqishme kombëtare”.

“Ne të Vetëvendosjes nuk kemi frikë ta themi një gjë të tillë, sepse jemi të vetëdijshëm që pikërisht dobësia jonë [e shqiptarëve] i rrit gjasat për konflikte e gjakderdhje të reja në Ballkan”, shtoi ai.

Bashkimi kombëtar është ndoshta pjesa më e tërheqëse e platformës së Vetëvendosjes, e cila përfshin elemente më pak të diskutueshme të tilla si nevoja për zhvillim dhe pavarësi ekonomike më të madhe.

Komuniteti ndërkombëtar refuzon thirrjet për bashkimin shqiptar duke i cilësuar ato si një orvatje të papranueshme për të rishkruar kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Tracey AnnJ acobson, ambasadorja amerikane në Kosovë, tha për Radio Televizionin i Kosovës në janar se “ideja e një Shqipërie të madhe nuk është e dobishme”.

Ahmeti, njëri prej zërave më të moderuar të partisë, shpreh më me butësi ambiciet e Vetëvendosjes. “Shpresojmë që edhe të tjerët do ta shohin ‘Lëvizjen’ si kanalizim të dëshirave e kërkesave që njerëzit i kanë për të pasur një jetë të mirë në trojet shqiptare”, tha ai.

Vlerësime të ndryshme

Tubimet në New York tërhoqën turma të mëdha mbështetësish. “Sa herë që dëgjoj Albinin, i cili është i njohur për qartësinë e mendimeve dhe koncepteve të tij, ai e përforcon besimin tim se ajo [Vetëvendosja] është e ardhmja”, tha Blerim Arifi, mjek i cili mori pjesë në një nga tubimet.

Por, duke reflektuar me delikatesë detyrën e zgjerimit të ndikimit të partisë dhe duke ruajtur njëkohësisht idealet bazë, Burim Ljutas, një elektricisti nga Maqedonia, nuk i pëlqeu shumë nga ajo që pa e dëgjoi.

“Më pëlqente më shumë Vetëvendosjes nga ajo që kam parë në media se sa tani që pata mundësi t’i shoh drejtpërdrejt”, tha ai. 

“Më pëlqente më shumë Vetëvendosjes nga ajo që kam parë në media se sa tani që pata mundësi t’i shoh drejtpërdrejt. Burim Ljutas

Ljuta ka frikë se në përpjekje për të fituar shumë vota në afat të shkurtër, liderët e Vetëvendosjes gjithnjë e më shumë po ngjasojnë me politikanët që ata kundërshtojnë.  “Shumë njerëz kanë dalë në shumë protesta dhe ata meritojnë më shumë”, tha ai.