Probleme Kontrolli në AUV

Kosova është ndër konsumuesit më të mëdhenj të grurit për kokë banori, me rreth 250 kg në vit, sidomos shkaku i përdorimit të lartë të bukës, por kualiteti i këtij produkti të preferuar mbetet i dyshimtë.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, në një intervistë për Jeta në Kosovë, ka thënë se kjo vjen shkaku i mungesës së punëtorëve adekuat për të punuar në laboratorin e këtij institucioni.

Ky laborator, që funksionon në kuadër të AUV-së në rrugën nga Prishtina në Fushë-Kosovë, ka kushtuar afër 3 milionë euro, por aty kryhen vetëm disa analiza të qumështit.

“FMN-ja nuk po lejon që të pranohen punëtorë të rinj në punë”, ka thënë Gjinovci.

“FMN-ja nuk po lejon që të pranohen punëtorë të rinj në punë” Valdet Gjinovci

Për mosfunksionimin e laboratorit të AUV-së ka folur edhe një raport i Komisionit Europian i vitit të kaluar ku thuhet se “edhe pse laboratori është i akredituar me ISO 17025, performanca e përgjithshme e tij për kryerjen e testimeve sipas planit të monitorimit të mbetjeve nuk ofron garanci të mjaftueshme dhe të besueshme”.

Sidoqoftë, Gjinovci ka premtuar se shumë shpejt qytetarët do të kuptojnë nëse buka që ata përdorin ka më shumë tharm (adetiv) se sa është e lejueshme me standarde të ushqimit.

Gjinovci ka folur edhe për zgjedhjen e drejtorëve të departamenteve në këtë agjenci ku që nga viti 2010 funksionojnë katër ushtrues detyre të drejtorit – gjë që është në kundërshtim edhe me ligjin për shërbyesit civil pasi ky nuk lejon ushtruesit më shumë se gjashtë muaj. Bëhet fjalë për ushtruesin e detyrës së drejtorit të shëndetit publik Flamur Kadriu, ud të drejtorit të administratës Gani Kamberi, të ud të drejtorit të shëndetit publik dhe mirëqenies së kafshëve Bafti Murati, të ud të drejtorit të inspektoratit Iliriana Zymberaj si dhe të ud të drejtorit të laboratorit Xhemail Dervishi.

Kryeshefi i agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë thotë se së shpejti do të fillojnë procedurat për zgjedhjen e drejtorëve dhe premton se kjo do të bëhet brenda dy muajsh.

Gjinovci ka thënë se moszgjedhja e drejtorëve në detyrë të përhershme është në kundërshtim me ligjin, por ka shtuar se kjo nuk ka mundur të bëhet shkaku i “punëve të shumta”.

Por nëse për përzgjedhjen e drejtorëve ai arsyetohet se nuk ka pasur kohë, duket se koha i ka mjaftuar për të shkarkuar e riemëruar zyrtarë të tjerë.

Prej ardhjes së tij në krye të AUV-së në gusht 2011, Gjinovci ka bërë me dhjetëra emërime e riemërime brenda stafit të kësaj agjencie. Për shembull, Fatmire Morina nga shefe e prokurimit ka kaluar në certifikuese. Jeton Gashi nga certifikues në shef prokurimi. Madje ka pasur raste kur një punëtoreje i është ndërruar tri herë vendi i punës. Luljeta Ramosaj nga asistente administrative ka kaluar në arkiviste dhe pastaj në asistente për identifikim dhe regjistrim të kafshëve.

Në këtë rast Gjinovci thotë “kjo është bërë për shkak të efikasitetit në kryerje të punës”.

Gjinovci ka larguar nga puna edhe 54 punëtorë teknikë dezinfektues të veturave në pikat kufitare nga të cilët buxheti i Kosovës ka pranuar rreth 58 mijë euro në vit. Përveç që ato të hyra më nuk kanë shkuar në buxhet, i njëjti ka humbur edhe duke iu paguar këtyre punëtorëve paga për rreth dy vjet ndonëse nuk kanë punuar asgjë si të larguar.

Këtë vendim Gjinovci e kishte marrë si ushtrues detyre i AUV-së, detyrë që e kishte kryer për një vit e gjysmë para se të emërohej kryeshef, me arsyetimin se kishte qenë pjesë e një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve.

Mirëpo Këshilli i Lartë Mbikëqyrës kishte vlerësuar se këta punëtorë janë larguar pa bazë ligjore.

“Unë e kam zbatuar këtë vendim të këshillit”, ka thënë Gjinovci, duke shtuar se deri tash 2 prej tyre janë sistemuar në AUV. Edhe 56 të tjerë do të duhej të rivendoseshin.

Drogë në veturën e AUV-së

Për shkak se dyshohet se në vitin 2010 kanë dhënë leje të importit për produktet e mishit në mënyrë kundërligjore, dy zyrtarë të lartë të AUV-së janë arrestuar më 2011 dhe në mars të këtij viti janë akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë.

Bëhet fjalë për shefin e Inspekcionit Fitosanitar-Kufitar Milazim Xani dhe asistentes së tij Elmaze Ahmeti për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare nën dyshimin se duke dhënë leje të këtilla kanë përvetësuar afër 70 mijë euro në mënyrë të jashtëligjshme. 

“Është e vërtetë se zyrtari është arrestuar nga policia dhe ai është suspenduar. Tash ai nuk është më pjesë e AVUK-t” Valdet Gjinovci

Valdet Gjinovci edhe pse e ka dajë Milazim Xanin thotë se nuk e ka ditur se çfarë ka bërë ai.

Gjinovci thotë se Xanin e ka gjetur në AVUK.

“Para ligjit të gjithë do të përgjigjen”, ka thënë Valdet Gjinovci.

Ndërkohë, gjatë vitit 2011, Policia e Kosovës ka gjetur substanca narkotike në veturën zyrtare të një inspektori tjetër të AUV-së.

“Është e vërtetë se zyrtari është arrestuar nga policia dhe ai është suspenduar. Tash ai nuk është më pjesë e AVUK-t. Ky inspektor në orarin zyrtar të punës është nisur për Kamenicë ndërsa ai është ndaluar në rrugën Prishtinë-Pejë”, ka thënë Gjinovci.