Marrëveshja Fitimprurëse nga Autostrada për Miqtë e Thaçit

Arena Invest, një kompani gurëthyese në pronësi të figurave të afërta me liderin e partisë në pushtet në Kosovë, PDK-në, kishte siguruar marrëveshjen për furnizimin me 80, 000 tonë materiale për asfalt për projektin më të madh infrastrukturor të vendit, sipas dokumenteve që janë parë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Marrëveshja që ka kapur vlerën prej 8 milionë eurosh ka lënë të kuptohet që Arena Invest do të ishte furnizuesi i vetëm i gurëve për shtresën e sipërme të asfaltit për së paku gjysmën e autostradës 77 kilometërshe.

Pronarët e Arena Invest përfshijnë Akan Ismailin, ish-ambasadorin e Kosovës në Uashington DC, Bujar Musën, qiradhënësin dhe mikun e Hashim Thaçit, kryeministrin e atëhershëm dhe udhëheqësin e partisë më të madhe politike të Kosovës, PDK-së.

Ky zbulim ka ngritur shqetësime për mënyrën se s’i qindra miliona euro të parave të taksapaguesve nga kontraktuesi kryesor, konsorciumi amerikano-turk Bechtel – Enka, u janë dhënë bizneseve lokale pa mbikëqyrje publike dhe transparencë.

Gurëthyesi, Arena Invest, që gjendet në veriun problematik të Kosovës, kishte hasur në probleme në korrik të vitit 2011, kur u bllokuan rrugët në regjionin me shumicë serbe, në një tentativë për të penguar Qeverinë e udhëhequr nga Shqiptarët në Prishtinë që të vendosnin kontrollin atje.

Ironikisht, BIRN ka mësuar që një nga udhëheqësit e revoltës serbe, Zvonko Veselinoviq, po ashtu po transportonte gurë në emër të Arena Invest te Bechtel-Enka.

Disa nga pronarët e Arena Invest, insistojnë që revolta në Kosovën veriore nuk e ka dëmtuar kontratën, e në vend të kësaj pretendojnë që marrëveshja me konsorciumin Amerikano-Turk është ndërprerë ngase të dyja palët nuk kanë mundur të pajtohen për një çmim, dhe si pasojë vetëm 12, 000 tonë materiale janë dorëzuar.

Veselinoviqi, megjithatë ka deklaruar publikisht që transportimi nuk është ndërprerë për shkak të barrikadave që i ka vendosur ai duke përdorur zhavorr dhe kamionë që sipas vendimit të një gjykatë në Beograd, ishin vjedhur nga Dragan Çurçiq, drejtor i kompanisë transportuese Euro-Kop dhe një nga bashkëpunëtorët e Veselinoviqit.

Çurçiq ishte dënuar me dy vite burg pasi që ishte shpallur fajtor për shpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e vjedhjes së kamionëve. Veselinoviqi ishte liruar nga akuzat.

Pronarët në pozita të larta 

Që nga maji i vitit 2010, Kosova kishte nisur ndërtimin e seksionit të autostradës që lidh Prishtinën me kufirin shqiptar duke u përballur me kundërshtime të shumta që ndërlidheshin me faktin nëse projekti përfaqësonte vlerën e duhur në krahasim me paratë e dhëna.

Marrëveshja ishte strukturuar ashtu që kontraktori kryesor, Bechtel-Enka mund të nënkontraktonte punë në vlerë të qindra miliona eurove te kompanitë private dhe gurëthyesit pa pasur ndonjë mbikëqyrje publike.

Arena Invest, e themeluar në vitin 2009, ishte një nga gurëthyesit që po shikonte të merrte para në këtë nguti për asfalt.

E regjistruar nga një grup figurash me ndikim dhe lidhje me operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, IPKO dhe me partinë e Thaçit, PDK-në, kompania ishte në pozitë të mirë për të ofertuar për një pjesë të aksionit.

Arena Invest është pjesërisht në pronësi të themeluesit të IPKO-s, Akan Ismailit, që ishte emëruar nga Thaçi për të shërbyer që nga viti 2012 e deri në fillim të vitit 2015 si ambasador i Kosovës në Uashington DC, që konsiderohet si një nga punët më të rëndësishme në diplomacinë e jashtme të Kosovës.

Bashkë me Ismailin, hise kishte edhe drejtori i IPKO-, Bujar Musa, mik dhe qiradhënës i Thaçit.

Pronari i tretë, Fadil Demiri, ishte një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëheqësia e së cilës, duke përfshirë edhe Thaçin, e kishte themeluar PDK-në si parti, pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.

Hisedari i fundit që posedon aksione edhe aktualisht, sipas regjistrave zyrtarë është Aleksandar Mihajloviq, i cili në mënyrë të pasuksesshme kishte garuar në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar në Kosovë, për partinë pro-Beogradit, Listën Serbe. Ai është një ish-drejtor i shërbimeve publike në komunën e Gracanicës, një enklavë serbe në periferi të Prishtinës.

Gazetari Berat Buzhala, deputet i parlamentit të Kosovës për partinë e Thaçit, PDK-në, deri në vitin 2014, e që ka lidhje të afërta me Ismailin dhe Musën, po ashtu ishte i listuar si bashkë-pronar i kompanisë në vitin 2009, për një kohë të shkurtër, para se të fillonin punët në minierë.

Zyrat kryesore në Kosovën veriore 

Leposaviqi, një qytezë e vogël me shumicë serbe në veri të Kosovës që i ka rezistuar kontrollit nga Qeveria në Prishtinë, ka qenë një zgjidhje e pazakontë që Arena Invest t’i vendoste zyrat e saj në vitin 2009.

Megjithatë, ishte vetëm një hedhje guri larg nga gurëthyesi shumë i vlefshëm në pronësi shtetërore në pikën kufitare të Jarinjës e cila ishte para privatizimit.

Në pranverën e vitit 2010, një vit pas themelimit të Arena Invest, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kishte njoftuar që do t’ia shiste kompaninë shtetërore NewCo Kristal Basalt Quarry LLC  që gjendej në Jarinjë, e cila ishte e vendosur në rezerva të mëdha të basaltit, një përbërës kyç i asfaltit të kualitetit të lartë.

Reklama për blerësit potencial e prodhuar nga AKP vinte theksin në faktin që ky ishte gurëthyesi i vetëm i këtij lloji në regjion, në gjendje për të ofruar gur vullkanik të kualitetit të lartë për të rritur biznesin e ndërtimit të rrugëve.

Aty theksohej se “tregu i ndërtimtarisë në regjion pritej të kishte rritje për shkak të punëve publike në ndërtim (veçanërisht ne ndërtimin e rrugëve)”.

Përkundër potencialit të dukshëm me fillimin e ndërtimit të autostradës, gurëthyesi i ishte shitur në vitin 2010 kompanisë Arena Invest për një shumë modeste prej 111 mijë eurosh.

Siç duket, Arena Invest kishte filluar punën menjëherë, duke nxjerr 9,410 kub metër të basaltit në vitin 2010 dhe 15,000 në vitin 2011, kur puna në punishte ishte ndërprerë, sipas informacioneve të ofruar nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

BIRN nuk ka arritur të precizoj kohën e saktë se kur Arena Invest ishte nënkontraktuar nga Bechtel-Enka për ta furnizuar me 80,000 tonë materiale nga gurëthyesi, por marrëveshja në formë të sigurt kishte ndodhur në vitin 2011 më së largu, sipas kompanisë kroate Ramtech, e cila ishte përgjegjëse për testimin e kualitetit të asfaltit për Bechtel-Enkan.

Ramtech ka thënë që Arena Invest ka qenë furnizuesi kryesor i shtresës së sipërme të asfaltit për tri seksionet e para të autostradës, përkatësisht të 40 kilometrave, apo më shumë se gjysmës së tërë gjatësisë së saj, duke shtuar se gurët e ofruar nga Arena Invest ishin të vetmit në regjion që i përmbushnin kërkesat për kualitet të vendosura nga Bechtel-Enka.

Një kopje e kontratës në mes të Bechtel-Enkas dhe Qeverisë së Prishtinës, që ka rrjedhur e që është siguruar nga BIRN, zbulon që aty është parashikuar nevoja për 100,000 ton të materialit për asfalt që do të kushtonte 8.2 milionë euro, apo 82 euro për ton.

Bashkëpronari i Arena Invest, Aleksandar Mihajloviq i ka thënë BIRN-it që nuk i kujtohen saktësisht shifrat që lidhen me këtë marrëveshje, por që ai beson që kompania kishte furnizuar Bechtel-Enkan me vetëm 12,000 tonë nga 60,000 tonët e diskutuar fillimisht. Megjithatë, kjo do t’i kishte sjellur Arena Investit 1 milionë euro bazuar në çmimet e kuotuara në kontratën e Bechtel-Enkas.

“Bechteli ka qenë një negociues i vështirë kështu që ata nuk janë pajtuar në çmimin për material dhe ata e kanë ndërprerë bashkëpunimin pasi që i kemi furnizuar ata me rreth 11 apo 12, 000 tonë” ka thënë ai.

Zyrtari i Arena Invest ka deklaruar që shitjet përgjatë pesë viteve deri më 2013, kanë qenë 1.3 milionë euro por aty janë shënuar edhe humbjet vjetore për shkak të çmimit të investimeve.

Lidhjet me PDK-në “jo relevante” 

Drejtori i Arena Invest Artan Lahaj, duke folur në emër të hisedarit Akan Ismaili, ka thënë që kompania ka dështuar të lulëzoj dhe është dëmtuar, duke dëshmuar që lidhjet me qeverinë kanë shërbyer pak.

“Sa i përket lidhjeve tona me PDK-në– kjo dëshmohet më së miri me faktin që biznesi ynë me gurëthyes tash e sa kohë është mbyllur” ka thënë ai.

Bashkëpronari Bujar Musa ka shtuar që biznesi i “dështuar” do të shitej dhe që miqësia e pronarëve me Thaçin ka qenë më shumë një disavantazh se sa lehtësi.

“Ne kemi investuar shumë dhe kemi ndaluar punën para se barrikadat në veri të vendoseshin”, ka thënë ai.

“Ne kemi dështuar sepse kemi qenë të rinj në këtë biznes”.

Ai po ashtu ka thënë që biznesi ka mbetur prapa ngase ai kishte tentuar të shmang konfliktin e interesit.

“Biznesi nuk ka pasur në asnjë formë lidhje me Qeverinë. Për shkak të miqësisë me ish-kryeministrin Hashim Thaçin, ne kurrë nuk kemi marrë pjesë në tender. Marrëdhëniet janë minimizuar veçanërisht kur Akani [Ismaili] është bërë ambasador”.

Megjithëse Bechtel-Enka dhe qeveria nuk kanë pasur obligime ligjore për të ndërmarrë procedurat tenderuese apo për t’i publikuar nënkontraktuesit, mungesa e transparencës ka ngritur shqetësime që figura të afërta me Qeverinë mund të kenë përfituar nga derdhja masive e fondeve të taksapaguesve.

Fidan Kalaja, zëvendësdrejtor i organizatës jo-qeveritare kundër korrupsionit, FOL, i ka thënë BIRN-it, që mungesa e transparencës në shpenzimin e parave publike nga Bechtel-Enka i ka hedhur një hije të gjithë procesit.

“Mungesa e transparencës u ka mohuar qytetarëve të Kosovës të drejtën për ta ditur se për çfarë dhe cilat kompani janë nënkontraktuar nga Bechtel-Enka, duke lënë dyshime [dhe shqetësime] që ka pasur keqpërdorime [të mundshme] në këtë proces” i ka thënë ai BIRN-it.

Zëdhënësi i PDK-së nuk është përgjigjur në kërkesën e BIRN-it për komente.

BIRN më herët kishte zbuluar se s’i një kompani e lidhur me vëllain e Thaçit, Idrizin, kishte furnizuar Bechtel-Enkan me zhavorr.

Problemet financiare 

Arena Invest ka qenë subjekt i një hetimi nga Policia e Kosovës në vitin 2013, pas dyshimeve të importit ilegal të gurëve nga Serbia.

Hetimet ishin hedhur poshtë, pasi që testet kishin dëshmuar që materiali ndërtimor e kishte origjinën nga gurëthyesi në Kosovën veriore.

Si pjesë të hetimeve policore, zyrtarët kishin kërkuar nga inspektorët e tatimit që të shikonin librat e kompanisë. Ata kishin zbuluar që Arena Invest kishte mbi deklaruar humbje për mbi 100,000 euro, megjithëse kjo kishte rezultuar me vetëm një gjobë prej 125 eurosh.

Megjithatë, kompania i ka borxh Komisionit për Miniera dhe Minerale një shumë të përgjithshme prej më shumë se 10, 000 eurosh për licenca, për shkak të nxjerrjes së basaltit në mes viteve 2010 e 2012.

Ivan Angelovski ka kontribuuar në këtë artikull

Ky hulumtim është prodhuar nga BIRN si pjesë e projektit ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’.