Maratona e Parave të Paarsyetuara

Vetëm një herë kishte ndodhur që Ballkani të vizitohej nga një kryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Sarajeva që kishte organizuar lojërat olimpike dimërore më 1984 ishte vizituar nga kryetari i atëhershëm i Komiteti Olimpik.

Tash këtë privilegj e pati Prishtina.

Tomash Bach, kryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, erdhi në Prishtinë më 17 prill të këtij viti.

Ai  u bë kështu zyrtari i dytë më i lartë i kësaj organizate që viziton Ballkanin sipas Besim Hasanit, kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Kosova, shteti i dytë në Ballkan për këtë lloj privilegji ka tridhjetë e katër federata sportive.

Tetëmbëdhjetë prej tyre janë pranuar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik, ndërsa dhjetë janë me të drejta të kufizuara.

Vetëm gjashtë federata ende nuk janë pranuar në familjen më të madhe sportive në botë-Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

Kreu i kësaj familjeje sportive premtoi se Kosova është anëtari më i vogël dhe rritja e tij do të jetë e monitoruar nga KON-i.

“ Si ‘fëmija ynë më i ri’, ne do të ndjekim progresin e Komitetit Olimpik të Kosovës me shumë kujdes. Nëse atletët tuaj do të kenë fatin të fitojnë medalje në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro, do bëj më të mirën që të jem vetë aty për t’ua dorëzuar personalisht,” ishin fjalët e Bach-ut për Komitetin Olimpik të Kosovës, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Federatat kosovare të sportit po përgatitën që të jenë pjesë e lojërave të ardhshme olimpike.

Por sa janë të rregullta ato për sa i përket anës financiare?

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar të ardhurat e tyre vjetore. Federatat aktualisht varen prej subvencioneve që u ndahen nga shteti- përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ministria që u ndan subvencione vjetore këtyre federatave ka probleme me mosarsyetimin me kohë të parave të shpenzuara gjatë vitit.

Kur Gazeta Jeta në Kosovë i dërgoi pyetje Ministrisë së Sportit më 17 prill të këtij viti, shuma e avancave të pambyllura ishte 1 milion e 196 mijë e 93 euro. Këto para federatat i morën gjatë vitit 2011-2014.
Federatat gjatë gjysmës së dytë të prillit lëvizin drejt mbylljes së avancave. Tash në muajin maj shuma e avancave të pambyllura është 516 mijë e 447 euro.

Ndërkaq vlera totale e subvencione shtetërore të dhëna për të gjitha federatat përgjatë vitit 2011-2014 është në shumën prej 5 milionë e 712 mijë e 43 euro.
Kjo ministri gjatë këtyre viteve udhëhiqej nga Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës që tash drejton atë të Bujqësisë.

Krasniqi, përmes zëdhënësit të tij Shkëlzen Dragaj i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se mbështetjet edhe pa mbyllje avanci kanë ardhur si nevojë për përkrahje që federatat të ecin përpara.

“ Natyrshëm që mund të ketë pasur mbështetje edhe në raste kur ata nuk kanë pasur të mbyllur një avancë. Sepse me thoni ju, a do të ishte normale që Majlinda Kelmendi, Driton Kuka, e Federata e Hendbollit, ose ajo e Futbollit te mendojnë për medalje e prezantim dinjitoz apo për burokraci”, tha Dragaj.

Ai  tha se kjo ka qenë edhe arsyeja pse  janë bërë përjashtime sepse ka qenë në interes të sportit.

“Edhe ashtu mbështetja nuk është se ka qenë sa ata (sportistët) kanë merituar”, shtoi ai.
Sipas Dragajt nëse  MKRS-ja do ta ndalte mbështetjen  për këto federata atëherë do të kishte edeh rrezik që ato të mbylleshin.

“Federatat e klubet janë ata që e mbajnë gjallë sportin”, tha ai.

Federatat në proces të arsyetimit të subvencioneve

Katër prej 34 federatave llogaritet se kanë më së shumti avance të pambyllura.

Federata e Xhudos  është ajo që ka më së shumti avance të pambyllura sipas dokumenteve që posedon Gazeta Jeta në Kosovë.

Kjo federatë përkah avancat e pambyllur pasohet nga ajo e volejbollit, e hendbollit dhe e shahut.

Por federata që ka më shumti avance të pambyllura i solli Kosovës edhe sukseset më të mëdha të arritura ndonjëherë.

Majldina Kelmendi, xhudistja pejane, në gusht të vitit 2013, u shpall kampione botërore në xhudo, në kategorinë 52 kilogramë, nga lojërat  olimpike në Rio de Janeiro, ku mposhti xhudisten nga Brazili Erika Miranda.

Kjo federatë gjatë viteve 2011-2014  mori nga shteti një shumë prej 129 mijë eurosh e cila figuron si avancë e pambyllur.

Driton Kuka, trajneri i Majlinda Kelmendit, është edhe selektor i kombëtarës së Kosovës në xhudo.
Ai thotë se deri më tash kjo federatë ka arsyetuar të gjitha mjetet e shpenzuara për udhëtime dhe nevoja të kësaj organizate sportive.

 “Ka disa avance që si kemi mbyllë sepse s’i kemi shpenzuar krejt mjetet e dhëna në avancë, por ato janë shuma të vogla që ne normal jemi ofruar t’i kthejmë ose t’i ridestinojmë”, tha Kuka

Por për Driton Kukën është e paqartë se si ka mbetur shuma prej 129 mijë eurosh e pambyllur.
“Gjendja me ne është reale. Kanë mbetur një deri tri projekte pa mbyllur, tjerat janë kryer.  Janë pesë mijë euro të pambyllura,  po edhe ato shumë shpejt mbyllen”, shtoi ai.

Departamenti i Sportit nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka arsyetuar  mbështetjen për këtë federatë por nuk ka komentuar për avancat e pambyllura.

“Federata e Xhudos është mbështetur në cikël olimpik për kampionen e botës Majlinda Kelmendi. Cikli olimpik nënkupton programin katërvjeçar për sportistë si në realizimin e përgatitjeve stërvitore, pjesëmarrjes në kampe ndërkombëtare si dhe pjesëmarrjen në gara zyrtare ndërkombëtare për arritje të normës olimpike”, tha Iber Alaj, drejtues i këtij departamenti.

Ai shpjegoi se shteti ka vazhduar të japë subvencione edhe në rastet kur marrësi nuk i ka arsyetuar ato të mëhershme.

Kjo, sipas tij, ka ndodhur pasi që nuk ka ndonjë rregullore të miratuar nga Qeveria që përcakton se federatat nuk mund të marrin subvencione në të ardhmen pa mbyllur ato paraprake.

Ndihmat shtetërore në hendboll, shah e vollejboll

Federata e Hendbollit nuk i ka sjellë Kosovës shumë medalje ndërkombëtare sikurse ajo e xhudos.
Megjithatë ngjason me këtë federatë përkah mosarsyetimi i mjeteve të marra nga shteti.
Shtëpia sportive e hendbollit ka fituar ndër vite nga shteti një shumë prej 89 mijë e 690 eurosh.

Kjo shumë figuronte si avancë e pambyllur në prill të këtij viti.

Eugen Saraçini, kryetar i saj, i tha  Gazetës Jeta në Kosovë në prill se janë në proces të arsyetimit të parave të shpenzuara.

“Na kanë mbetur shumë pak mjete që ende s’i kemi deklaruar se si i kemi shpenzuar në Ministri. Ka nga ato që edhe pse i kemi deklaruar, figurojnë edhe të pambyllura, nuk e di se pse”, tha Saraçini.
Ministria e Sportit i tha Gazetës Jeta në Kosovë në maj të këtij viti se kjo federatë tashmë ka arsyetuar të gjitha mjetet e shpenzuara.

Ndërkohë dy federatat tjera, ajo e volejbollit dhe e shahut, janë në proces të mbylljes së avancave.
Federata e Volejbollit ka shpenzuar  93 mijë e 370 mijë euro, që nga viti 2011 e deri në vitin 2014.

Kjo shumë në muajin prill figuronte si avancë e pambyllur.

Kryetari i kësaj Federate, Abedin Ibrahimi, tha në prill se ata janë në proces të mbylljes së kësaj avance.

“…po i mbyllim të gjitha dhe do të barazohemi”, tha Ibrahimi.

Ngjashëm deklaruan edhe në Ministrinë e Sportit që konfirmuan se kjo federatë është në proces të arsyetimit të mjeteve të marra nga shteti.

Në proces të arsyetimit të shpenzimeve është edhe Federata e Shahut e cila më 27 prill të këtij viti u pranua në Federatën Ndërkombëtare të Shahut.

Kjo federatë mori nga shteti 72 mijë euro gjatë viteve 2011-2014.

Nysret Avdiu, kryetar i kësaj federate, tha se për të është e pakuptimtë se si Ministria nuk ka bërë kurrë presion që të mbyllen këto avance, deri tash.

“Unë para pak ditësh e kuptova që ne kemi avance të pambyllura, sepse më herët është marrë sekretari me to dhe të gjitha mbylljet që nuk janë bërë ishin për gjëra të pakuptimta, sepse Ministria nuk i ka proceduar, ose sepse ka munguar një dokument dhe kështu është shtyrë procesi me vite”, tha Avdiu.

Ai tha se do të kishte qenë shumë më mirë, nëse Ministria bënë rregullore, se pa u mbyllur një projekt ose avancë të mos jepet tjetri.

“Në këtë mënyrë edhe ne do i kryenim këto obligime me shpejt, por edhe s’do na mbetej historia se ne jemi të papërgjegjshëm, sepse edhe ashtu s’është që fitojmë ndonjë shumë milionëshe si Federatë e Shahut”.

Iber Alaj nga Departamenti i Sportit tha se në mungesë të një rregulloreje ose ligji kanë ardhur edhe shuma të tilla të cilat janë të pambyllura.

Sipas tij do të ishte mirë që në të ardhmen të kishte një rregullore që ndalon subvencionimin e projekteve të reja pa u arsyetuar mjetet në projektet paraprake.