Zbrazëtitë Ligjore që Favorizuan Laboratorin e Naftës

Një lëvizje taktike e bërë nga kompania e naftës “Ex Fis” ka mjaftuar që të shmanget shkelja e ligjit dhe të licencohet laboratori i naftës “Ex Fis Labs”.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë refuzoi fillimisht për të licencuar këtë laborator me arsyetimin se ligjërisht nuk lejohet që kompania e naftës të ketë në pronësi edhe laborator të cilësisë së derivative pasi që kjo përbën konflikt interesi.

Ligji për Kërkesat Teknike për Produkte dhe Vlerësim të Konformitetit (laboratorë) i miratuar në shkurt të vitit 2011 parasheh këtë ndalesë.

“Trupi për vlerësim të konformitetit nuk mund të jetë subjekt ekonomik për ato produkte të cilat janë objekt i vlerësimit të tij, si dhe nuk mund të jetë i përfshirë direkt në projektimin, prodhimin, përpunimin, tregtimin, instalimin, përdorimin dhe mirëmbajtjen e atyre produkteve”, thuhet në këtë ligj.

Laboratori “Ex Fis Labs” ishte në pronësi të kompanisë importuese të naftës “Ex Fis”.

Bazuar në raportin e komisionit vlerësues të MTI-së të bërë më 11 korrik të vitit 2014 kur “Ex Fis Labs” kishte aplikuar për këtë licencë nuk kishte bashkëngjitur në dosje dokumentin e regjistrimit të biznesit.
Raporti thekson se komisioni vlerësues i ngritur nga MTI-ja e kishte kuptuar këtë kur kishte kërkuar informata nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve që operon në kuadër të kësaj ministrie.

Por pesë muaj më vonë, në 2 dhjetor të vitit të kaluar, komision vlerësues i MTI-së konkludoi se kompania “Ex-Fis Labs” i plotëson kriteret që të punojë si laborator i naftës.

Dy ditë më vonë, më 4 dhjetor të vitit 2014, Ismet Mulaj atëherë ushtrues detyre i ministrit për Tregti dhe Industri mori vendim për të autorizuar këtë kompani.

Mulaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë se mori vendim për autorizimin e laboratorit në mënyrë që të ketë sa më shumë kompani të tilla në treg.

“Ai (Ex Fis Labs) i ka plotësuar kushtet ligjore dhe e jona ka qenë që të mos kritikohemi pë krijim të monopoleve si ministritë tjera. Më mirë të ketë sa më shumë laboratorë në treg”, tha Mulaj.
Kjo kompani është e treta që licencohet në këtë fushë. Më parë janë licencuar edhe “Sierra Lab” dhe “Kos Lab”.

Megjithatë vendimi për licencimin e “Ex Fis Labs” u mor pasi situata në aspektin ligjor kishte ndryshuar pasi që ishte ndërruar emri i pronarit të laboratorit.

Një prej importuesve më të mëdhenj të naftës në Kosovë kishte lëvizur drejt ndryshimit të statusit ligjor të laboratorit të naftës.

Laboratori ishte regjistruar për herë të parë në Agjencinë për Regjistrimine Biznesit më datën 23 prill të vitit 2013. Vlera e aksioneve të biznesit është 50 mijë euro.

Këto aksione kompania “Ex Fis” ia fali Muhamet Ukës.

Marrëveshja për faljen e aksioneve e lejuar me legjislacionin e Kosovës u bë më 31 korrik të vitit 2014.
Derisa pronësia u ndryshua, megjithatë i njëjti njeri mbeti drejtor në “Ex Fis Labs”.
Valdet Teneqja ishte person i autorizuar i kompanisë edhe kur laboratori figuronte në pronësi të “Ex Fis” e edhe tash kur është në pronësi të Muhamet Ukës.

Teneqja nuk i dha përgjigje Gazetës Jeta në Kosovë kur nëpërmjet -emailit iu kërkua një koment lidhur me ndryshimet ligjore në laboratin e licencuar nga MTI-ja dhe angazhimin e tij në të njëjtën pozitë, përkundër këtyre ndryshimeve.

Po ashtu edhe kompania “Ex Fis”, pronë e biznesmenit Isa Muharremi, nuk dha përgjigje se pse pikërisht Muhamet Ukës iu falën aksionet e laboratorit “Ex Fis Labs”.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi me Besa Muharremin, punëonjëse në “Ex Fis” e cila premtoi se kompania do të japë përgjigje, por një gjë të tillë nuk e ka bërë ende.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi përgjigje edhe nga Muhamet Uka, por ende nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e dërguara në e-mailet kontaktuese të laboratorit “Ex Fis Labs”.

Kundër Korrupsioni rekomandon që të forcohet rregullativa ligjore

Lidhur me këtë situatë ka dhënë opinionin e saj Agjencia Kundër Korrupcion që ka konkluduar se këtu nuk ka shkelje ligjore, por ka rekomanduar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të rregullojë më mirë fushën e autorizimeve, në mënyrë që të shmangen situata të tilla të konfliktit të mundshëm të interesit.

AKK-ja këto rekomandime ia dërgoi më 20 mars të këtij viti Hykmete Bajramit, ministre për Tregti e Industri pas kërkesës së saj që ky institucion të japë një opinion lidhur me këtë çështje.

AKK-ja konkludoi se nuk ka konflikt interesi faktik mes këtyre bizneseve pasi që pronësia e laboratorit u ndryshua ndërkohë.

“Ndërsa dyshimi që vjen nga personat kompetentë nga MTI-ja e që bazohet në atë se dikur ‘Ex Fis’ ka qenë themelues i ‘Ex Fis Labs’ do të duhej të ishte i rregulluar me kritere për dhënien e autorizimeve”, thuhet në opinionin e AKK-së të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.

AKK-ja i rekomandon MTI-së që të krijojë një sistem rregullativ për autorizimin e Trupave të Vlerësimit të Konformitetit në mënyrë që të shmanget çdo situatë e konfliktit të interest dhe po ashtu të hartohen kode të etikës në të cilat pjesë të rëndësishme do të zinte edhe rregullimi i situatave të konfliktit të interest.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se do të marrë parasysh rekomandimet e AKK-së.

“Rekomandimet e dhëna lidhur me rastin e ‘Ex Fis’-it, do të merren parasysh dhe do të nxjerren udhëzimet administrative që do ta rregullojnë edhe konfliktin e interesit brenda tre muajve”, thotë Vjollca Dibra, këshilltare për media në MTI.

Ministres Bajrami i është kërkuar ndërmarrja e masave edhe nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës.
Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate dhe pronar i kompanisë së naftës “Dilloni Benz”, ishte anëtar në komisionin vlerësues të ngritur nga MTI-ja për shqyrtimin e aplikacionit të “Ex Fis Labs”.

“Unë si anëtar i komisionit kam refuzuar dhe kam kundershtuar autorizimin e kompanisë në fjalë, por isha i mbivotuar”, thotë Berjani.

Katër anëtarë tjerë të komisionit kanë votuar për autorizimin e laboratorit “Ex Fis Labs”.
Igballe Rexha, drejtuese e Departamentit të Industrisë në MTI, ishte kryesuese e komisionit në korrik kur u refuzua licencimi, e po ashtu edhe në dhjetor kur u licencua “Ex Fis Labs”.

Në arsyetimin e raportit të muajit dhjetor të bërë nga kryetarja Rexha thuhet se ‘“Ex Fis Labs” kishte sjellë dokumentacionin e nevojshëm për licencim dhe plotëson kushtet për këtë veprimtari”.
Rexha ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me akuzat e ngritura ndaj saj nga Berjani, anëtari i komisionit që votoi kundër licencimit të kësaj kompanie.

Berjani thotë se procesi përveç konfliktit të interesit pati edhe parregullsi tjera.

“Në takimet e komisionit neve na u kanë sjellë dokumentet e hapuara nga kryetarja  e komisionit, Igballe Rexha, dhe këtë e kam kundërshtuar”, thotë Berjani.

Sipas tij, anëtarëve të komisionit është dashur t’u shpërndahen në zarfe të mbyllura dokumentet me të cilat ka konkurruar “Ex Fis Labs”.

Berjani thotë se kryetarja e komisionit ka komunikuar direkt me bankën private e cila i ka lëshuar “Ex Fis Labs”-it garancionin bankar në vlerë prej 20 mijë eurosh që shërben për aplikim për licencimin si laborator i naftës.

Edhe në raportin e komisionit të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë konfirmohet ky veprim i kryetares Rexha.

Ajo tregon në raport se ka komunikuar me bankën private pasi që në garancion mungonte adresa dhe numri i biznesit dhe këtë e kishte bërë për të verifikuar të dhënat e aplikuesit.
Banka, sipas deklarimit në raport të kryetares, kishte dërguar garancionin me përmirësime pas kontaktimit nga kryetarja Rexha.