Brezovica- Shkelet Afati për Nënshkrimin e Kontratës

Edhe 29 ditë pas kësaj date zyrtarët qeveritarë deklarojnë se ende nuk janë gati për nënshkrimin e kontratës.

Vjollca Dibra-Ibrahimi, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se kontrata dhe draft-masterplani janë duke u përfunduar dhe pritet të nënshkruhen në muajin prill.

Në pyetjen e Gazetës Jeta në Kosovë se pse ende nuk janë plotësuar të gjitha parakushtet deri më datën e përcaktuar 3 mars 2015, gazeta nuk ka marrë përgjigje konkrete.

“Sipas Ligjit të Prokurimit, autoriteti kontraktues duhet të sigurohet se janë plotësuar të gjitha parakushtet para se të nënshkruhet kontrata”, thuhet në përgjigjen e përgjithësuar të Ministrisë.

Ndërsa, Paskal Roux, drejtor i kompanisë “MDP Consulting”, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se palët janë duke punuar që të finalizojnë të gjitha kushtet e nevojshme të formulimit të kontratës.

“Në pajtim me dokumentacionin e prokurimit dhe ligjeve relevante, palët janë duke punuar që të finalizojnë të gjitha kushtet e nevojshme të formulimit të kontratës”, tha Roux që foli në emër të konzorciumit që ka në përbërje edhe kompanitë tjera siç janë: “Compagnie des Alpes”, “SA”, “PGI  Managmanet” dhe “Outdoor Kosovo”.

Ky konzorcium u shpall fitues më 25nëntor  të vitit 2014 në tenderin “Propozimi për Zhvillimin, Financimin dhe Operimin e Qendrës Turistike në Brezovicë”.

Ky konzorcium do të shfrytëzojë këtë resurs natyror për 99 vjet.

Për shfrytëzimin e 3364 hektarëve tokë, konzorciumi do t’i paguajë Qeverisë së Kosovës rreth 9.9 milionë euro për 99 vjet.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, konzorciumi fitues do të investojë në tri faza.

Kompania fituese në fazën e parë ka paraparë që të investojë 164 milionë e 287 mijë euro. Në fazën e dytë do të investohen edhe 152 milionë e 541 mijë euro, në fazën e tretë në bazë të kontratës është planifikuar që të investohen edhe 92 milionë e 681 mijë euro tjera.

Ngjashëm si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, edhe drejtori i kësaj kompanie private nuk e ka dhënë ndonjë datë se kur do të nënshkruhet kontrata mes tyre.

“Data e nënshkrimit të kontratës do të përcaktohet nga Komiteti Drejtues,  meqë ky është akt-veprim administrativ (në pajtim me Ligjin e Prokurimit)”, tha Roux.

Përgjigjen e njëjtë e ka kthyer edhe ministria, se data e formalizmit të kontratës do të caktohet nga Komiteti Drejtues Ndërministror i Qeverisë së Kosovës për Projektin Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës.

“Data e formalizmit të kontratës do të caktohet nga Komiteti Drejtues Ndërministror dhe nga ofertuesi i përzgjedhur (konsorciumi) sapo të miratohet kontrata finale / përfundimtare”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas MTI-së autoriteti kontraktues është në proces të shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga konsorciumi për Projektin për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës (PZhQTB).

Por, përmbajtjen e dokumentacionit nuk e kanë komentuar.

 Komuna e Shtëprcës pro, e Lista Srpska kundër

Bratislav Nikoliq, kryetar i Komunës së Shtërpcës, ka thënë se ka kaluar afati kohor që e ka pasur kompania fituese për ta paraqitur masterplanin e saj për Brezovicën dhe për garancionet bankare.

“Ende nuk ka asgjë. Kanë kaluar 90 ditë të afatit kohor që e ka pasur kompania fituese për të paraqitur masterplanin e saj për Brezovicën dhe garancionet bankare”, ka thënë ai.

Nikoliq ka theksuar se nuk janë pengesë komuniteti serb e as Beogradi që ky projekt të mos vazhdojë.

Ai thekson se ky projekt është në dobi të komunitetit të Shtërpcës dhe se për të në vend të parë është interesi i popullit të tij.

Ai theksoi se për të të rëndësishme janë dy çështje: “shpronësimi i tokave atje dhe çfarë do të ndodhë me njerëzit që kanë punuar atje më herët”.

Edhe sipas MTI-së, Komuna e Shtërpcës nuk ka deklaruar se ka ndonjë kundërshtim sa i përket formalizimit të kontratës.

Përderisa Komuna e Shtërpcës e ka përkrahur këtë projekt, kundër ka dalë Lista Serbe me kryetar Aleksandar Jabllanoviqin.

Lista Serbe duke u thirrur në mbrojtjen e interesave të komunitetit serb në komunën e Shtërpcës, pati deklaruar se është kundër ekzekutimit të këtij projekti ku edhe e ka humbur betejën e parë ligjore në përpjeke të rikthimit të këtij projekti në pikën zero.

Jablanoviq ishte ankuar në OSHP për vendimin e dhënies me koncesion të Brezovicës, i cili sipas tij është marrë pa e marrë parasysh interesin e komunitetit lokal serb në Komunën e Shtërpcës.
http://oshp.rks-gov.net/repository/docs/vendimet/2014/Qendra-turism-Brezovic.pdf.

 Por, OShP-ja kishte refuzuar shqyrtimin e ankesës së Aleksandar Jablanoviqit të datës 28 nëntor 2014, duke i lejuar autoritetit kontraktues-Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që të vazhdojë më tutje me projektin për partneritet publiko – privat.

 Refuzimi është bërë për shkak se Jabllanoviq, sipas OSHP-së, nuk ka marrë pjesë si operator ekonomik në tenderin për Brezovicën që do t’i mundësonte që të ankohej në OSHP më pas.