Spitali Privat Që Shihet si Rrezik

Kanë kaluar gati dhjetë vjet qëkur nisi ndërtimi i një spitali në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Për gati një dekadë pati përplasje mes atyre që kërkuan lejimin e ndërtimit të spitalit dhe atyre që kundërshtuan ndërtimin e një biznesi privat në afërsi të spitalit publik.

Historia e këtij rasti nisi më 31 dhjetor të vitit 2005  kur doktori Fatmir Dalladaku kishte nënshkruar kontratë me Komunën e Prishtinës për marrje në shfrytëzim të tokës prej 15000 metrash katrorë në afërsi të QKUK-së.

Dalladaku planifikonte të hapte një spital privat për kardiokirurgji dhe kontrata me Komunën e Prishtinës i mundësonte atij shfrytëzimin e kësaj toke në kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh me mundësi vazhdimi edhe dhjetë vjet të tjera.

Në emër të komunës kontratën e kishte nënshkruar ligjvënësi lokal i LDK-së në Prishtinë Sami Hamiti, atëkohë kryeshef ekzekutiv i komunës.

Hamiti thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se qëllimi i dhënies së parcelës tashmë është degraduar.

“Projekti qysh e shoh unë ka degraduar totalisht, sepse ai është ndarë për kardiokirurgji, ndërsa sot shoh reklama se do të hapet një spital i përgjithshëm”, tha Hamiti.

Madje ai tregoi se as qiramarrësi i asaj kohe Fatmir Dalladaku nuk ka pasur të drejtë të ndryshojë destinacionin por as ta japë në shfrytëzim te personat tjerë.

“Spital i përgjithshëm nuk ka qenë ideja të bëhet dhe as nuk mund të bëhet. As Dalladaku si mjek ligjërisht nuk ka mundur të bartë të drejtën te dikush tjetër, sepse i jepet vetëm për destinim dhe e drejta e shfrytëzimit nuk mund t’i jepet një personi tjetër”, thotë Hamiti.

Ai tha se do ta kundërshtojë hapjen e një spitali të përgjithshëm në po atë parcelë që është dhënë për kardiokirurgji.

“Realisht kurdo që vjen në Kuvend të Prishtinës do ta kontestoj dhe nuk do ta votoj, sepse edhe me ligj dhe me udhëzime nuk guxon të ketë spital të përgjithshëm brenda, nuk ka logjikë. Sigurisht që votën nuk do të jap në kuvend dhe sigurisht që do ta kontestoj deri në fund që të ketë spital të përgjithshëm”, thotë Hamiti.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me Fatmir Dalladakun i cili aktualisht është duke punuar në Institutin Heart në Baden të Gjermanisë.

Ai tha se nuk mund të bisedojë për çështjen e spitalit në afërsi të QKUK-së.

Megjithatë vëllai i tij pranoi të fliste për Gazetën Jeta në Kosovë.
Faton Dalladaku, vëllai i Fatmir Dalladakut, tha se kishin pasur në plan që të ndërtojnë spital të kardiolokirurgjisë dhe ndërrimin e natyrës së biznesit e vlerëson si një të keqe.

Ai thotë se nuk e vazhduan këtë biznes, pasi që u dëmtuan nga vendimet e Qeverisë që ndalonin punimet në afërsi të QKUK-së.

Këto vendime thotë se i kanë dëmtuar materialisht duke u shkaktuar pamundësi të hapjes së biznesit.
 Ai kishte nisur ndërtimin e spitalit kardiologjik gati dy vjet pas nënshkrimit të kontratës me Komunën e Prishtinës.

Më 3 shtator të vitit 2007 Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte lëshuar aktvendim për lejimin e ndërtimit të spitaleve private në afërsi, apo brenda hapësirave të QKUK-së.

Por një muaj më vonë niveli qendror vendosi që të ndalojë ndërtimin.

Agim Çeku, atëkohë kryeministër, më 3 tetor të vitit 2008 mori vendim që asnjë spital privat të mos ndërtohej në afërsi të QKUK-së.

Vendimi i Çekut u përkrah edhe nga Hashim Thaçi, pasardhësi i tij në krye të Qeverisë, më  12 qershor të vitit 2008.

Por më 25 qershor të vitit 2009 Thaçi i kishte rënë pishman dhe vendosi të shfuqizojë vendimin e Çekut të marrë më 2007 dhe vendimin e tij të marrë më 2008.

Në vendimin e ri të Thaçit shkruhet se përkrahet aktvendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës i marrë më 2007.

Pas këtij vendimi vazhduan punimet dhe spitali u ndërtua gjatë vitit 2009.  Ai nuk u hap për gjashtë vjet deri më 2015.

Tek tash është paralajmëruar hapja e tij. Por nuk është Dalladaku ai që po e hapë spitalin.

Është Spitali Amerikan ai që ka paralajmëruar hapjen e një spitali të përgjithshëm përkundër që kontrata e vitit 2005 me Komunën e Prishtinës specifikonte që duhej të ndërtohej spital i kardiokirurgjisë.

Përfaqësuesit e këtij spitali nuk kanë dhënë ende përgjigje për  Gazetën Jeta në Kosovë, edhe përkundër që një gjë e tillë është kërkuar që nga data 5 mars e këtij viti.

 “Mua më vjen shumë keq për vonesën në kthimin e përgjigjes, por ende jam në pritje të ‘feedback-ut’ nga bordi i Spitalit Amerikan. Posa të kem diçka të kontaktoj”, është e vetmja përgjigje e Driton Ukmatës,  drejtorit ekzekutiv të Spitalit Amerikan, përgjatë një javë që gazeta ka kontaktuar me të.

Spitali Amerikan aktualisht zhvillon veprimtarinë e tij në Hajvali të Prishtinës. Ky spital ofron të gjitha shërbimet mjekësore përfshirë edhe ato të kardiokirurgjisë. I njëjti spital funksionon që nga viti 2007 edhe në Republikën e Shqipërisë.

QKUK-ja kundër Spitalit Amerikan

Kundër nisjes së punës nga Spitali Amerikan është çuar spitali publik.
Bordi drejtues i Qendrës Klinike Universitare konsideron se kjo përbën shkelje të Udhëzimit Administrativ për Shërbimin Spitalor të Kosovës.

“Objektet private spitalore duhet të jenë në largësi së paku 1.5  kilometra nga spitalet publike”, thuhet në këtë udhëzim.

Bordi i QKUK-së më 19 shkurt 2015 në mbledhjen e rregullt ka kërkuar që të respektohet ky udhëzim dhe ka kundërshtuar nismën për ndryshimin e tij.

Propozimi për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ është bërë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Bordi i QKUK-së ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të mos ndryshohet ky udhëzim administrativ.

Kjo tash është çështje e ministrisë se si do të vendosë”, tha Shpend Faziu, zëdhënës i QKUK-së.
Por Ministria e Shëndetësisë tha se kërkesa e bordit të QKUK-së imponon nevojën që të qartësohen disa aspekte të cilat, sipas tij, bordi duhet ëti ketë marrë parasysh kur i ka bërë ministrisë një kërkesë të tillë.

“ E para, nëse Ministria lë në fuqi udhëzimin e vjetër administrativ, i cili thotë se spitalet private nuk mund të ndërtohen në distancë më të afërt se 1.5 km prej QKUK-së, a do të mund ta ndryshojë kjo gjendjen faktike në terren, ku në afërsi të QKUK-së është ndërtuar një objekt i destinuar për spital, për të cilin leje përmes një vendimi kishin dhënë më parë dy -ish Kryeministra të vendit?”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Në fakt vendim për lejimin e ndërtimit të spitalit privat ka marrë vetëm një kryeministër. Ishte ish-kryeministri Thaçi që më 25 qershor 2009 vendosi që të lejohet ndërtimi në afërsi të spitalit publik.
Hoti thotë se pjesë e hartimit të udhëzimit administrativ kanë qenë edhe vetë anëtarët e Bordit të

QKUK-së të cilët kanë marrë pjesë në grup punues.

 “Disa prej anëtarëve vijnë pikërisht nga QKUK-ja si pjesë e ShSKUK-së (Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës), kur kanë propozuar heqjen e një neni që në praktikë s’ka funksionuar asnjëherë, sepse në afërsi të QKUK-së ka me dhjetëra institucione private shëndetësore”, thotë Hoti.

Ai nuk dha përgjigje se cilët janë anëtarët të cilëve u referohet.

Ky udhëzim administrativ ende nuk është miratuar.

“Pavarësisht se si do të duket ky udhëzim në formën finale, ditën që do të nënshkruhet, ai do të publikohet në vebfaqe të Ministrisë  dhe do të jetë absolutisht i qasshëm për publikun”, pohoi Hoti.

Spitali Amerikan në afërsi të QKUK-së temë edhe në Kuvend

Çështja e Spitalit Amerikan është diskutuar disa herë edhe në Kuvendin e Kosovës.
Kjo çështje fillimisht është hapur nga deputeti Arben Gashi nga LDK-ja, subjekt ky prej nga vjen edhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani.

Në seancën e 26 shkurtit 2015, deputeti Arben Gashi kishte drejtuar pyetje dhe kritika për ministrin Imet Rrahmani për çështjen e Spitalit Amerikan. Ndërtimin e këtij spitali në afërsi të QKUK-së, deputeti Gashi e pati vlerësuar si të kundërligjshëm në raport me Ligjin për Shëndetësi dhe Udhëzimin Administrativ.

“Duke marr parasysh se po dëmtohet interesi i qytetarëve, pyetja  ime parlamentare është: cilat janë veprimet që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen e interesit publik dhe QKUK-së për të parandaluar hapjen e spitalit të përgjithshëm privat, Spitali Amerikan në hapësirat e QKUK-së në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe udhëzimin administrativ si dhe në kundërshtim me Kuvendin Komunal të Prishtinës. Po ashtu si do të veprohet me këtë çështje?”, pati pyetur Gashi, por që në mungesë të ministrit të Shëndetësisë ai nuk kishte marrë përgjigje.

Disa javë më pas, pikërisht më datën 12 mars 2015 në seancën e Kuvendit, deputeti Arben Gashi kishte kërkuar të dijë sërish për Spitalin Amerikan.

“Kohëve të fundit aty shihen zhvillime dhe planifikohet që të ndërtohet dhe të hapë aktivitetin e tij Spitali i Përgjithshëm Amerikan në Kosovë. Cilat janë masat që ministria e juaj i ka ndërmarrë dhe a ka shkuar inspektorati shëndetësor të shihet se çka po punohet aty, sepse dhënia në shfrytëzim e hapësirës publike është bërë me destinim specifik, qendër kardiale dhe jo spital i përgjithshëm”, ishte pyetja e deputetit Gashi.

Kësaj radhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahamani u përgjigj duke i thënë se rasti i Spitalit Amerikan është një çështje e rëndësisë së veçantë për shkak të kompleksitetit të problematikës.

“Aty është ndërtuar një spital i cili ende nuk është funksional dhe ende inspektorati shëndetësor nuk ka pasë arsye të shkojë të inspektojë, sepse nuk kemi të bëjmë ende me veprimtari mjekësore aty”, tha ministri Rrahmani.

I pari i Shëndetësisë tregoi që Spitali Amerikan ka bërë kërkesë për ndryshimin e veprimtarisë në ministri.

“Është bërë një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë nga i njëjti spital për ndryshim të veprimtarisë, por ende nuk ka marrë përgjigje nga kompetentët e ministrisë”, tha Rrahmani

Ai ka folur edhe për problemin e Komunës së Prishtinës me Spitalin Amerikan për çështjen e shfrytëzimit të kësaj prone në QKUK.

“Problemi i Komunës së Prishtinës me lejen ose mosshfrytëzimin apo mospërmbushjen e kritereve të kontratës besoj që është problematikë e Komunës së Prishtinës me qiramarrësin”, tha ministri Rrahmani.
Komuna e Prishtinës në përgjigjen dhënë  Gazetes Jeta në Kosovë tha se ky rast duhet të jetë temë e diskutimit në Kuvendin e Kosovës.

“Komuna, nuk mund të vazhdojë kontratën kur kanë ndryshuar kushtet e kontratës, ngaqë asokohe fjala ka qenë për spitalin e kardiokirurgjisë, ndërsa tani bëhet fjalë për një spital të përgjithshëm. Mendoj se kjo është çështje që duhet të diskutohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duhet të diskutohet me sindikatat e shëndetësisë si dhe me QKUK – në”, tha zyrtarja për informim e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.

Ajo tha se Komuna e Prishtinës nuk mund ta vazhdojë kontratën, meqë bie ndesh me Ligjin për Shëndetësi, i cili nuk lejon hapjen e spitaleve në largësi prej 1.5 kilometrash nga QKUK-ja.

Sindikata e Punëtorëve të QKUK-së kundër hapjes së Spitalit Amerikan

Kundër ndërtimeve të spitaleve private në afërsi të QKUK-së kanë dalë disa herë edhe Sindikata e Punëtorëve të QKUK-së.

Nënkryetari i kësaj sindikate Sabri Caka tha se mbrapa këtij rasti fshihet një interes i madh i njerëzve të pushtetit.
“ Ai objekt është brenda QKUK-së, është brenda institucionit publik. Ne konsiderojmë se këtu është një interes i madh, prapa këtij spitali ka edhe njerëz të mëdhenj të politikës, por ne njëherë nuk do të flasim me emra. Këtu ka interesa për përfitime materiale”, tha Caka.

Ai tregoi se Sindikata e Punëtorëve të QKUK-së do të vazhdojë të protestojë për të mbrojtur degradimin e institucioneve publike.

“Ne jemi shumë të vendosur ta mbrojmë institucionin publik. Protestat janë vetëm masat e para që i kemi ndërmarrë. Për veprimet e mëtutjeshme ne do të shohim”, tha Caka duke kritikuar kështu Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë për degradim të sistemit shëndetësor.

“Është i qëllimeshëm degradimi i këtij institucioni, fillimisht ta dobësojnë dhe pastaj të mendojnë të tjerët se këtu nuk ka shërbime dhe të lejohen spitalet private për shkak të shërbimeve”, theksoi Caka.

Sindikata e Punëtorëve të QKUK-së deri më tani ka mbajtur vetëm një protestë duke kundërshtuar hapjen e spitaleve private në afërsi të QKUK-së, ndërsa paralajmërojnë që shumë shpejt do ta organizojnë një protestë në nivel të Kosovës. Sipas tyre ndërtimi i këtij spitali privat do t’i bënte konkurrencë të drejtpërdrejtë spitalit publik.

“Së bashku me Federatën e Shëndetësisë shumë shpejt do të jeni dëshmitarë që do të kemi protestë për këtë çështje, por edhe për të tjera. Do të ketë një protestë në nivel të Kosovës”, tha Caka.

E zyrtari për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka kritikuar Sindikatën e Punëtorëve të QKUK-së.

“Sindikata e di  mirë që Ministria nuk ka dhënë leje për ndërtimin e atij spitali. Sindikata po reagon me disa vjet vonesë. Ministrisë nuk i kujtohet që Sindikata ka bërë një reagim të këtillë kur ish- kryeministrat kanë marrë vendim për lejimin e ndërtimit të spitalit të cilit i referohen. Prandaj, kjo tani reagimit të tyre u jep njëfarë karakteri josindikal”, tha Hoti.

Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve të QKUK-së, Sabri Caka ka thënë se nuk dëshiron të komentojë deklaratat e përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, por tha se ata kanë reaguar edhe më herët dhe tash për ndërtimin e spitalit privat në pronën e QKUK-së.

Ai tregoi se ka mbledhur nënshkrime nga drejtorët e klinikave dhe punëtorëve të tjerë të QKUK-së për të kundërshtuar hapjen e spitaleve private në pronën e QKUK-së.