Hulumtimi- Rruga e Dyshuar e Milionave nga Norvegjia në Drenas

(Artikulli u botua fillimisht në gazetën norvegjeze Aftenposten)

Sipas policisë, Shkëlzen Shala dhe kompania e tij kishin fituar miliona kruna pa i deklaruar ato për tatim në Norvegji. Në Kosovë, vëllai i madh i tij, i cili u përjashtua nga Norvegjia në vitin 2008 për shkak të qëndrimit me letërnjoftim të falsifikuar, brenda një periudhe të shkurtër kohore u pasurua.

Sipas policisë, gjatë katër vjetëve të veprimtarisë së shqiptarit nga Kosova, Shkëlzen Shala, dhe kompanisë së tij “Aktiv Maler Service” (AS), kishin qarkulluar në të zezën 40 milionë kruna (gati 5 milionë euro).

Para pak kohësh, gjykata e qarkut në Oslo dënoi njeriun i cili mori pjesë edhe në riparimin e zyrave të autoriteteve tatimore, me pesë vjet e gjysmë burgim për qarkullim të mallrave të vjedhura dhe mashtrim financiar të ndërlidhur me TVSh-në dhe ia konfiskoi atij 8.4 milionë kruna.

Edhe Shala, edhe prokurori i rastit u ankuan ndaj këtij aktgjykimi. Policia e ka të qartë se së paku një pjesë e profitit nga kjo veprimtari është kanalizuar jashtë vendit. “Ne jemi duke punuar me autoritetet në Ballkan për të identifikuar asetet e blera në bazë të veprimtarisë kriminale në Norvegji,” thotë prokurori Andreas Meeg-Bentzen.

Ai ende ngul këmbë që Shalës t’i konfiskohen 40 milionë kruna. Policia i ka gjetur Shalës fare pak gjëra të vlefshme në vend, përveç shumës prej 2.2 milionë në llogari bankare dhe bashkëpronësisë mbi dy banesa.

“Në vendin tonë mund të fshihen shumë gjëra”, thotë Meeg-Bentzen.

Edhe vëllai i madh i Shkëlzen Shalës kishte punuar si bojaxhi në Norvegji, por u dëbua nga vendi për shkak se kishte shfrytëzuar identitet të falsifikuar. Tani, ai është biznesmen i suksesshëm në Kosovë.

Shkëlzen Shala thotë, përmes avokatit të tij Rene Ibsen, se ai as nuk ka transferuar para në Kosovë, e as nuk është i lidhur fare me bizneset e familjes së tij në vendlindje.

“Aftenposten” ka vizituar Drenasin në Kosovë ku familja e Shkëlzen Shalës ka shënuar sukseset e veta afariste.

Shkëlzen Shala kishte lindur si Shkëlzen Elshani, por më vonë kishte marrë mbiemrin e vajzërisë së nënës së tij – Shala.

Në kohën kur Shkëlzen Shala kishte ndërtuar karrierën e tij si aktor kyç në biznesin e bojaxhiut në Norvegji, përmes asaj që policia e konsideron shpëlarje parash dhe mashtrim, familja e tij në Kosovë shënonte progres tejet të shpejtë ekonomik.

Ndërsa Shala udhëhiqte biznesin e tij në Norvegji nën emrin Aktiv, edhe familja e tij në Kosovë kishte hapur kompani me po të njëjtin emër.

Lulëzimi i biznesit në Drenas

Ne morëm rrugën për Drenas me drojë. Ky vend gjendet në jugperëndim të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Përnjëherë e vërejmë një veturë me logon e njohur për ne – “Aktiv”.

Ne u ndalëm para zyrave lokale të Kryqit të Kuq ku ishte parkuar vetura. Ne pyetëm për kompaninë “Aktiv”. “ Po, ata e menaxhojnë këtë restorantin këtu,” na tha një punonjës i Kryqit të Kuq.

City Grill në Drenas

City Grill në Drenas

Ai bëri me shenjë drejt “City Grill”-it, një nga njësitë më të reja afariste në gamën e bizneseve të familjes Elshani. I njëjti shpjegon se si selia qendrore e firmës së tyre gjendet vetëm disa qindra metra larg.

Me veturë arrijmë në vend brenda vetëm një minute dhe shohim një kompleks të madh banesor në ndërtim e sipër. Shenja e vendosur para ndërtesës tregon se punishtja i përket “Aktiv Construction”. Përballë saj, në anën tjetër të rrugës, gjendet një ndërtesë administrative dhe një dyqan i madh që i përkasin zinxhirit “Aktiv” të familjes Elshani.

Identiteti i rrejshëm i vëllait të Shkëlzenit

Por tregimi ynë fillon në Norvegji. Një nga bojaxhinjtë që e kishte punësuar Shkëlzen Shala ishte i pajisur me identitet të rrejshëm (Ardian Curri). Në vitin 2008 ai dhe “Curri” kishin jetuar njëri pranë tjetrit në ndërtesat komunale në adresën “Stubbeløkkeveien” 33 E dhe F, në Moss.

Shala konfirmoi në gjykatë se e njeh “Currin”, por nuk tregoi se sa mirë e njeh atë. Këta të dy janë në fakt vëllezër që bashkërisht menaxhuan biznesin e tyre në Norvegji.

Përkundër faktit se jetonin në ndërtesa komunale dhe përfitonin beneficione të sigurimit social nga autoritetet, vetëm gjatë tre muajve të vitit 2008 në llogarinë bankare të kompanisë së “Currit” – “Aktiv Malertjeneste” ishin derdhur 6.1 milionë kruna.

Këto para me shpejtësi u ishin transferuar kompanive tjera dhe ishin tërhequr si para të gatshme. Autoritetet tatimore e konsiderojnë “Aktiv Malertjeneste” si fabrikë e shfrytëzuar për shpëlarje parash. Rreth gjysmë milioni kruna ishin transferuar nga kompania e vëllait të vogël, Shkëlzen Shalës. Megjithatë, aventura me shpëlarje të parave nën identitet të rrejshëm nuk zgjati shumë për “Currin”.

Më 20 gusht 2008 ai u zbulua.

“Ardian Curri” qëndronte para një bankomati në paralagjen e Oslos Lørenskog, kur u arrestua nga policia. Dy javë më vonë, gjykata e qarkut Nedre Romerike e dënoi atë me 45 ditë burgim për shfrytëzim të dokumenteve identifikuese të falsifikuara.

Pas vuajtjes së dënimit “Curri” u dëbua nga vendi duke u internuar në qendrën për azilkërkues të refuzuar në Trandum, në pritje të deportimit. Pas një kohe “Curri” e pranoi identitetin e vërtetë të tij.

Dikush ia solli atij letërnjoftimin dhe pasaportën e tij dhe ai u largua për në Kosovë me identitetin e tij të vërtetë, por në dukje i mbetur pa para.

Disa muaj më vonë, në nëntor, vëllai i madh 32-vjeçar i Shalës iu kthye biznesit tani në Kosovë dhe me dokumentet e tija identifikuese.

Nga ky moment, biznesi i tij sa vjen e rritet.

Ky 32-vjeçar që në Norvegji njihej si “Ardian Curri” themeloi një kompani për qiradhënie të veturave (rent-a-car). Pas disa muajsh, ai e ndërroi emrin në N.N.Sh. “Aktiv”, për të zgjeruar veprimtarinë e tij në disa zanate tjera, përfshirë zdrukthëtarinë, instalimet e ujit, vendosjen e pllakave dhe instalimeve elektrike.

Zyret dhe dyqani i “Aktiv” në Drenas

Sot, “Aktiv” ka një zinxhir të tërë të bizneseve, mes të cilave edhe një agjenci për importimin dhe shitjen e pajimeve “Hyundai” në Kosovë. Para dy vjetësh, kjo kompani filloi me hapjen e degëve të reja dhe sot zhvillon afarizmin e vet në Pejë, dy pika afër Prishtinës dhe një në Tiranë. Restoranti në Drenas është biznesi i fundit që e hapi kjo ndërmarrje në vjeshtën e fundit. Përveç kësaj, 32-vjeçari dhe “Aktivi” janë sponsorë kryesorë të ekipit futbollistik të qytetit – Ferronikelit.

Kompania “Aktiv Construction” u themelua në vitin 2013. 32-vjeçari dhe një person tjetër që ka punuar si bojaxhi në Norvegji kishin investuar nga 50.000 euro në të. Edhe babai i tyre thotë në Facebook se punon për “Aktiv” në Kosovë. Tani, familja Elshani në qytetin e tyre konsiderohet familje e pasur. Disa burime në Drenas e konfirmojnë këtë gjë, por të njëjtat dëshirojnë të mbesin anonime.

A u ka rënë policia në gjurmë transfereve të parave te familja në Kosovë?

Hetimet zbulojnë se paratë janë kanalizuar jashtë vendit përmes ndërmjetësuesve. Një i tillë u dënua për një rast të ndërlidhur me këtë çështje, sipas prokurorit Meeg-Bentzen.

Në kuptim të gjerë, ai kishte dhënë deklaratën në vijim: “Policia vëren se kriminelët e organizuar mbajnë një pip me të cilin thithin drejtpërsëdrejti nga thesari i shtetit. Pasuria e madhe e tyre, e cila do duhej t’u shërbente qytetarëve të vendit në formë taksash, mbase është duke u shfrytëzuar për një jetë luksoze të këtyre individëve jashtë vendit. Kjo është çështje serioze”, thotë ai.

Ne iu qasëm një punonjësi që qëndronte jashtë shitores së “Aktiv”-it në Drenas, u prezantuam si gazetarë dhe kërkuam takim me menaxherin (vëllanë e madh 32-vjeçar të Shalës, i cili punonte në Norvegji me dokumente të falsifikuara).

“Po, një moment, por ai nuk është këtu tani, ka shkuar në një takim me autoritetet komunale”, tha ai.

Zotëria u largua për ta bërë një telefonatë. Kur u kthye prapë, qasja e tij ndryshoi. Ai shpjegoi se si këtu shef është vëllai i tretë, i cili nuk ka mundësi të takohet me ne. Por, menaxheri i kësaj pike të shitjes është i pranishëm.

Ne hyjmë në dyqan, shikojmë vërdallë dhe presim. Aty shiten pajisje elektronike, lavatriçe, frigoriferë dhe shporete, materiale ndërtimore dhe bojëra. Menaxheri i shitores prezantohet me mirësjellje si Berati dhe na ofron kafe. Ai thotë se ata kanë disa shitore me gjithsej 18-22 punëtorë. Kur bëjmë pyetje për “Aktiv Construction”, Berati distancohet nga ajo kompani. Celulari i tij cingëron disa herë gjatë bisedës sonë. Pas pak, menaxheri stresohet dhe nuk u përgjigjet thirrjeve më.

Cili është qarkullimi i zinxhirit të “Aktiv”-it?

 
Berati nuk e di përgjigjen dhe përnjëherë shndërrohet vetëm në menaxher të burimeve njerëzore.

Ne i parashtrojmë disa pyetje lidhur me familjen Elshani, por Berati tërhiqet. Përnjëherë ai nuk ka çfarë të thotë më. Na udhëzon te vetë shefi dhe na e jep numrin e tij të telefonit.
Derisa ne bisedonim, fotografi del jashtë për të bërë disa fotografi të parcelës së madhe të “Aktiv”-it. Ai ndalohet menjëherë, me mesazhin se nuk lejohet fotografimi i pjesëve të jashtme. Berati shikon orën dhe është për ngut.

“Mos na thërrisni, ne do t’ju thërrasim juve! Unë do t’ua përcjell se dëshironi të flisni me vëllezërit Elshani, e ata do t’ju thërrasin nëse u përshtatet”, thotë Berati.

Askush nuk thirri.

“Klienti im nuk është pronar i asnjë aseti në Kosovë. Gjatë kohës sa kishte jetuar në Norvegji kurrë nuk kishte transferuar para në Kosovë”, thotë avokati i Shalës.

Ne u përpoqëm që të organizojmë një takim me Shkëlzen Shalën, por ai preferoi që të gjitha pyetjeve t’u përgjigjet përmes e-mailave nëpërmjet avokatit të tij.

Ai konfirmon se ka dy vëllezër në Kosovë, por mohon se ka lidhje mes biznesit të tij në Norvegji dhe atyre të vëllezërve të tij në Kosovë. Shala thotë se vëllezërit e tij kanë qenë të punësuar në pozita udhëheqëse në kompani të ndryshme për vite me radhë.

“Vëllezërit e klientit tim i kanë ngritur bizneset e tyre gradualisht, jo vetëm në qytetin e tyre të lindjes, por anembanë Kosovës”, shkruan Ibsen.

Shala thuhet se e ka ndërruar mbiemrin e tij në vitin 2000, disa vite para se të vinte në Norvegji.

Gjatë seancave gjyqësore, Shala u konfrontua me çështjen e pasaportës së falsifikuar të “Currit” dhe ai konfirmoi se fotoja e portretit të paraqitur është e personit që ai e njeh si “Curri”.

“Aftenposten” dërgoi me e-mail edhe pyetje lidhur me marrëdhënien e tij me “Currin”.  “Ju thatë në gjykatë se nuk e keni ditur që “Curri” kishte identitet të falsifikuar. Si mund të mohoni këtë, kur njeriu në fjalë është në fakt vëllai juaj?”

Ja përgjigjja e parë:

“Klienti im ka sqaruar në gjykatë se Ardian Curri fillimisht ishte angazhuar nga ai, e më pas kishte hapur biznesin e vet. Ai kishte kontraktuar për disa punë më të vogla për klientin tim. Këto vërtet ishin angazhime minore, siç mund të vëreni nga vlera e faturave. Çështja se si u njoh ai me Ardian Currin nuk u ngrit ndonjëherë në gjykatë. Ardian Curri kishte ardhur nga Belgjika dhe atij i ishte lëshuar leja e qëndrimit dhe kartela tatimore me këtë emër. Klienti im ka supozuar se Curri kishte marrë shtetësinë belge.”
 
“Aftenposten”-i e përsëriti pyetjen lidhur me “Currin” në një e-mail në të cilin informuam pranuesin edhe lidhur me dokumentimin e identitetit të vërtetë të “Currit”.

Më pas pranuam përgjigjen në vijim:

“Shala kishte besuar se vëllait të tij i është dhënë shtetësia belge nën emrin Curri. Duke qenë se atij i ishte dhënë leja e punës dhe kartela tatimore në Norvegji pasi që autoritetet e vendit kishin kryer kontrollin e identitetit, ai nuk kishte asnjë arsye për ta mos punësuar në kompani. Më vonë, Curri hapi biznesin e vet dhe klienti im e kontraktoi atë në disa raste. Shala nuk u pyet në gjykatë nëse kishte njohur Currin para se ta angazhonte atë. Prandaj, Shala vendosi që të mos sqarojë lidhjet familjare”, shkroi Ibsen në përgjigjen e tij këtë radhë.

“Aftenposten”-i nuk arriti të kontaktojë me vëllezërit e Shalës në Kosovë.

Më vonë, u përpoqëm të marrim disa herë numrin që na u dha, por tërë kohën lidheshim vetëm me sekretarinë automatike. Ne i dërguam edhe disa e-maila përmes Facebook-ut por nuk morëm përgjigje.

 

Tekstit i kontribuoi edhe Petrit Çollaku