Rrezikimi i Gjigantëve Industrialë

Dy miniera të ndërmarrjes “Trepça” tash e dy ditë nuk janë duke prodhuar. Ndërmarrja nuk është pajisur me licencë për shfrytëzimin e tyre, edhe pse “Trepça” është duke kërkuar në vazhdimësi që të licencohet.

Autoriteti që duhet ta bëjë këtë është Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.  Por ky institucion nuk mund të marrë vendime, pasi që nuk ka bord drejtues të kompletuar tash e 11 muaj.

Minierat e Stan-Tërgut dhe Artanës  janë jashtë prodhimit për mungesë të licencës.

Kur “Trepça” nëpërmjet një kumtese shtypi më 9 mars të këtij viti njoftoi për mbylljen e minierave, tregoi se është duke kërkuar licencimin që nga 24 janari i këtij viti.

Paralajmëroi se ndërmarrja do të jetë në gjendje të vështirë nëse nuk ndërmerren masa.

“Në pamundësi të prodhimit, në mungesë të licencës së shfrytëzimit, këto dy miniera por edhe ‘Trepça’  në përgjithësi, do të jetë në gjendje të rëndë financiare. Përveç gjendjes së rëndë financiare, pa fajin e ‘Trepçës’, minierat do të vijnë në gjendje të rëndë  edhe për çështje të sigurisë, të vendshfrytëzimeve dhe në përgjithësi të minierës”, thuhet në kumtesën për media të gjigantit metalurgjik me bazë në Mitrovicë.

Por mundësinë e një reagimi të shpejtë nuk e përmend KPMM-ja. Midin Bojaxhiu, drejtor i KPMM-së, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se kërkesat për licencim do të shqyrtohen pas kompletimit të bordit drejtues.

“Të gjitha kompanitë të cilat kanë aplikuar deri më tani, aplikacioni i tyre do të shqyrtohet në përputhje me ligjin dhe nuk kanë nevojë të paraqesin aplikacione të reja”, thotë Bojaxhiu.

Sipas tij deri më tani në KPMM janë dorëzuar 110 aplikacione për licencë.

Bordi i ri do të ketë para vetës 46 kërkesa për licencë në hulumtime minerare, 26 kërkesa për shfrytëzim dhe 38 kërkesa për aktivitete të veçanta.

Ndërkaq Zyra e Kryeministrit ka hapur konkursin për anëtarë të Bordit të KPMM-së më 6 shkurt të këtij viti. Konkursi ishte i hapur deri më 6 mars.

“Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve në Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, pas përfundimit të punës, do të sjellë në Qeveri për aprovim emrat e anëtarëve të Bordit të këtij Komisioni, të cilët më pas do të dërgohen për aprovim edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit nuk përmendi asnjë datë se kur mund të kryhet procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të bordit të KPMM-së.

Ky institucion ka mbetur me vetëm një anëtar të bordit që nga 27 prilli i vitit 2014.  Ligji për Miniera obligon që bordi i KPMM-së të ketë pesë anëtarë.
 
Përveç “Trepçës”, edhe një ndërmarrje tjetër e madhe ka probleme me mungesë të licencave.
Të njëjtat kërkesa në KPMM i ka bërë edhe “Ferronikeli”, gjiganti i privatizuar industrial me bazë në Drenas.

Licenca për shfrytëzimin e minierës në Gllarevë të Drenasit ka skaduar më 27 korrik të vitit 2014.
“Përveç dërgimit të kërkesës zyrtare të përgatitur me dokumentacion të plotë për vazhdim të licencës, NewCo ‘Ferronikeli’ po ashtu ka dërguar kërkesa shtesë për përshpejtimin e vazhdimit të lejes për minierën e Gllavicës”, tha Lindita Daija, zëdhënëse në “Ferronikel”.

Paralajmërimi i KPMM-së

Megjithatë KPMM-ja ka lejuar “Trepçën” që të kryejë disa punë, përkundër mungesës së licencës.
Bojaxhiu thotë se  në  ”Trepçë” aktualisht është duke u bërë sanimi i minierës që përfshin punën në sistemin e ajrimit dhe largimit të ujit nga miniera.

“Nëse për një kohë të gjatë mbesin pa u sanuar, atëherë mund të ndodhin shumë të papritura me të cilat mund të vije deri te rreziku i njerëzve që punojnë në Minierë”, thotë Bojaxhiu.

Ai thotë se pas kryerjes së sanimit dhe konsumit të sasisë aktuale të eksplozivit më nuk do të lejohet që të bëhet furnizim i ri me eksploziv.

Ndërsa, tha se do të ndalohet procesi i prodhimit.

“’Trepça’ do ta ndalë aktivitetin e prodhimit që nënkupton se nuk do te lejohet furnizimi me eksploziv deri sa të pajiset me licencë të shfrytëzimit”, thotë ai.

Ndërsa “Ferronikelit”, sipas tij, i është lëshuar vërejtje me të cilën është paralajmëruar se nuk ka të drejtë që të punojë pas skadimit të licencës.

Sipas Bojaxhiut kjo kërkesë është respektuar nga “Ferronikeli”.

Bojaxhiu theksoi se Inspektorati i Minierave është i vetëdijshëm për këtë situatë dhe do të marrë masa nëse shkelet ligji.

“Për të dy rastet si për ‘Trepçën’ me të cilën nuk do i lejojë përdorim të eksplozivit, po ashtu edhe për ‘Fereonikelin’ nëse makineria e punës operon në fushën e shfrytëzimit, do të përdoren masa parandaluese për operime të jashtëligjshme”, thotë Bojaxhiu.

Por “Trepça” e “Ferronikeli” po ankohen se mungesa e licencës do të dëmtojë këto ndërmarrje.

Daija thotë se vonesa e tepërt për vazhdim të licencës do të vështirësojë prodhimin me kapacitet të plotë në “Ferronikel”.

“Në qoftë se çështjet burokratike apo teknike nga ana e Qeverisë bëhen pengesë për volumin e prodhimit tonë, atëherë është e kuptueshme se kjo potencialisht mund të zvogëlojë operacionet tona”, thotë zëdhënësja e “Ferronikelit”.

Ndërsa Musa Mustafa, zëdhënësi i “Trepçës”, thotë se kanë problem me furnizime nga mungesa e licencës.

Edhe KPMM-ja e thotë këtë. Sipas drejtorit Bojaxhiu nëse vonohet emërimi i bordit, gjatë vitit 2015 do të ketë implikime në të hyrat për shkak të mosdhënies së licencave të reja.

Pagesa e rentës minerare

Të dy ndërmarrjet që po kërkojnë licencimin e minierave të tyre shënuan suksese vitin e kaluar për sa i përket rentës që e paguajnë në KPMM.

Bojaxhiu konfirmoi se KPMM-ja inkasoi më shumë në vitin 2014 sesa në vitet e mëparshme.

Ferronikeli gjatë vitit 2014 i pagoi KPMM-së 2 milionë e 281 mijë e 672 euro si rentë (taksë) minerare.
Nga kjo ndërmarrje në vitin 2013 ishin inkasuar mbi 1 milionë e 962 mijë euro, ndërsa në vitin 2012 janë inkasuar mbi 1 milionë e 905 mijë euro.

Ndërsa nga “Trepça” më 2013 dhe 2012 nuk ishte inkasuar asnjë euro, kurse gjatë vitit 2014 janë inkasuar mbi 66 mijë euro.