Kontrata Milionëshe- Përfitues Vetëm Fakulteti i Mjekësisë

Njësitë tjera akademike nuk e kanë pasur fatin e Fakultetit të Mjekësisë që të jenë përfituese nga projekti për furnizim me libra shkencorë, të paktën deri më tash.

Kontrata, përveç librave nga fusha e mjekësisë, parasheh edhe tituj librash nga fushat tjera, siç është ekonomia.

Megjithatë, dekani i Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti, thotë se nuk kanë përfituar asgjë nga kjo marrëveshje.

“Fakulteti Ekonomik nuk ka përfituar asgjë nga marrëveshja që ju e potenconi. Edhe kur janë blerë, nuk ka pasur ndonjë kërkesë eksplicite se për çfarë titujsh ka nevojë fakulteti”, thotë dekani Ahmeti.

As Fakulteti i Gjeo-shkencave në Mitrovicë – tash Universiteti “Isa Boletini”, i cili në kohën e lidhjes së kësaj kontrate ende ishte pjesë e UP-së, nuk ka përfituar nga ky projekt.

Izet Zeqiri, U. d. i prorektorit për çështje mësimore dhe shkencore në “Isa Boletin”, thotë se pavarësisht kërkesave që i kanë pasur për furnizim me libra, nuk kanë përfituar asgjë nga kontrata e lidhur mes autoriteteve në Kosovë dhe firmës maqedonase.

“Neve në takime të rregullta kemi pasur kërkesa për furnizim të bibliotekave me tekste të reja. Mirëpo lidhur me këtë ne asnjë tekst nuk e kemi marrë. Se a janë blerë ato libra dhe ku gjenden, aspak nuk jam në dijeni”, thotë Zeqiri.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Mitrovicë, i cili në kohën e lidhjes së kësaj kontrate ishte pjesë e UP-së, tash është pjesë e Universitetit “Isa Boletini”, nuk ka marrë asnjë tekst nga kontrata milionëshe e lidhur në tetor të vitit 2012.

Hakif Zeqiri – dekan i këtij fakulteti ka përgjigje të qartë.

“Jo. Nuk kemi kurrfarë njohurish, e as që kemi marrë ndonjë libër”, thotë dekani i këtij fakulteti.
Fakulteti Filologjik i bashkohet fatit të keq të njësive tjera akademike.

“Për tenderin e furnizimit me libra ju informoj se Fakulteti i Filologjisë deri më sot nuk është furnizuar, as nuk ka bërë kërkesë për furnizim me libra”, thotë Avdi Visoka – prodekan për çështje financiare në Filologjik.

Edhe Fakulteti i Edukatës Fizike është prej atyre që nuk përfitoi  asnjë libër nga kjo kontratë.

“Nuk jam në dijeni dhe nuk besoj se ndonjëherë në fakultetin tonë kanë ardhur libra nga ky burim që ju thoni”, thotë dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Sadik Krasniqi.

Sasia e madhe e librave i shkakton telashe UP-së

Sasia e madhe e librave që janë sjellë nga kompania maqedonase Tabernakul e ka sjellë UP-në në një situatë të vështirë për sistemimin e tyre.

“Për shkak të numrit të madh të teksteve ne jemi përballur me mungesë të hapësirës së mjaftueshme për vendosjen e tyre”, thotë Durim Berisha, zëdhënës i UP-së.

Ndonëse kontrata kishte për qëllim blerjen e librave për nevojat e UP-së, deri më tash, vetëm Fakulteti i Mjekësisë ka përfituar nga ky projekt.

“Disa nga fakultetet sikurse ai i Mjekësisë kanë përfituar nga ky projekt, në kuptim të shpërndarjes së teksteve”, thotë Berisha por nuk komenton për arsyen se pse njësitë tjera akademike nuk përfituan libra nëpërmjet kësaj kontrate.

Kontingjentet më të mëdha të librave, sipas Rektoratit, janë të vendosura në Bibliotekën Universitare dhe në Fakultetin e Mjekësisë.

Pjesa tjetër e librave, sipas tij, në mungesë të hapësirave brenda UP-së, janë vendosur përkohësisht në depo të Qendrës së Studentëve deri në krijimin e hapësirave për shpërndarjen e tyre nëpër njësi përkatëse akademike.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Salih Ahmeti, thotë se nga kjo marrëveshje ky fakultet ka përfituar 42 tituj librash me gjithsej 32 mijë e 505 ekzemplarë.

“Fakulteti i Mjekësisë bazuar në këtë marrëveshje është furnizuar deri më tani me 42 tituj të librave nga fusha të ndryshme të mjekësisë me gjithsej 32 mijë e 505 ekzemplarë”, thotë dekani i Mjekësisë.

Ai thotë se këto libra gjenden në  bibliotekën e Fakultetit të Mjekësisë. Meqenëse ekziston mungesë e literaturës në gjuhën shqipe për fusha të ndryshme të mjekësisë, ai thotë se titujt e librave të ardhur  janë mjaft relevantë dhe të nevojshëm për rritjen e cilësisë së studimeve.

Nga rrodhi ideja për furnizim me libra për UP-në?

Ministria e Arsimit thotë se blerja e librave u bë me kërkesë të UP-së.

“Procesit të blerjes së librave shkencorë, i ka paraprirë një kërkesë e Universitetit të Prishtinës për blerjen e 150 titujve të caktuar”, thotë MAShT-i.

Por në librin e protokollit të Universitetit të Prishtinës për vitin 2012, nuk ekziston asnjë kërkesë zyrtare me të cilën UP-ja ka kërkuar nga MAShT-i blerjen e librave të tillë.

“Nga zyrtarja e Arkivit u njoftuam se në regjistrin e dërgesave dhe në librin e protokollit nuk ka mundur të gjejë asnjë kërkesë të dërguar në MAShT për furnizim me libra gjatë vitit 2012”, thotë Dardan Berisha, zëdhënës i UP-së.

Por as Mujë Rugovës –ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës që shtyu përpara blerjen e tyre, nuk i kujtohet ta ketë nisur ndonjë kërkesë zyrtare drejt MAShT-it për këtë projekt.

Edhe pse është projekt milionësh, as MAShT-i e as UP-ja nuk e kanë parë të udhës që ta shënojnë si ngjarje mes këtyre institucioneve.

Në kalendarin e ngjarjeve të MAShT-it, e as të UP-së, as data 27 shtator, e as data 2 tetor nuk figurojnë si ngjarje e shënuar nga këto dy institucione, edhe pse është nënshkruar kontratë rreth 3 milionë e gjysmë.