“Vrima e zezë” e Kompanisë “Alpine Bau” në Ballkan

Në pasditen e hershme të 18 qershorit 2013, më shumë se 100 menaxherë të lartë të gjigantit të ndërtimit “Alpine Bau” zunë vendet në tavolinat e tyre në tërë botën për një telefonatë masive të konferencës. 

Korporata e dytë më e madhe ndërtimore e Austrisë kishte ndërtuar disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore të kohës sonë, nga stadiume të futbollit për kampionatin botëror, deri tek autostradat evropiane në Ballkan dhe arenën kontroverse të festivalit luksoz të “Evrovizionit” në Azerbajxhan. 

Salla e Kristaltë në Baku | Foto Wikipedia

Por megjithatë ajo nuk arriti t’i paguajë detyrimet e saj dhe u detyrua të aplikojë për falimentim qysh të nesërmen, në procedurën më të madhe të falimentimit në Austri që nga viti 1945.

Urdhrat nga selia austriake ishin të qarta: mbyllni të gjitha vendpunishtet e ndërtimit, ndërprisni makinerinë, siguroni dokumentacionin dhe informoni 15 mijë punonjësit. Filialet e panumërta të “Alpine Bau-t” nuk do të pranonin pagesa të mëtejme deri në një njoftim të radhës. 

Në fund, një menaxher me seli në Ballkan pyeti: “A të qëndrojmë këtu apo t’ia mbathim?”

Kjo pyetje ishte tërë dramë, pasi projektet e kompanisë jashtë vendit pas deklarimit të falimentimit ndodheshin në gjendje të jashtëzakonshme. 

Sipas likuiduesit të “Alpine Bau” GMBH në Vjenë kompania kishte 3.2 miliardë euro borxhe, 15,000 borxhlinj dhe një shteg mbarëbotëror të vendeve të papërfunduara të ndërtimit.  

Gjatë vitit të kaluar, revista austriake “DATUM” dhe gazetarët nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), hulumtuan kolapsin e papritur të “Alpine Bau-t”, duke siguruar dokumente konfidenciale dhe duke zhvilluar më shumë se 100 intervista dhe takime anonime me ish-punonjës në gjashtë shtete. 

Shënimet dhe deklaratat zyrtare nga ish-punonjësit paraqesin një pasqyrë mjaft të qartë të dështimeve sistematike të menaxhmentit, kredive dhe kontratave të dyshimta, si dhe transfereve të dyshimta të parave në llogari jashtë vendit.

Në qendër të kolapsit ishte Ballkani – ku kompania llogariste gjysmën e humbjeve të saj, por që përbënte vetëm një pjesë të biznesit. Dietmar Aluta-Oltyan, njeriu që drejtoi zgjerimin shkatërrimtar ballkanik të “Alpine Bau-t”, krijoi pushtet që kaloi pothuajse pa u kontrolluar, ndonëse ai nuk kishte rol udhëheqës. 

Falimentimin e përcolli një mori e veprimeve ligjore me pretendime për përvetësime, mashtrim financiar, shkelje të falimentimit dhe mosaplikim për paaftësinë e pagesës në kohë të duhur. Të gjitha këto po hetohen nga prokurorët.

Por deri më sot janë shpalosur vetëm disa pjesë të lajmeve të thata nga seancat e falimentimit në Vjenë. Ky proces të paktën edhe një vit nuk pritet t’ua kthejë paratë e tyre kontraktuesve të papaguar. 

Humbje joproporcionale në Ballkan 

Ndryshe nga veprimtaritë jashtë vendit, “Alpine Bau” ishte duke punuar me fitim në vendlindje në Austri. 

Përderisa falimentimi ishte i papritur, gati 80 për qind e fuqisë punëtore të Austrisë gjetën punë disa javë më pas, kur projektet e pakryera u morën përsipër me shpejtësi nga konkurrentët.

“Alpine Bau-n” e rrëzoi për toke borxhi i huaj, përkundër faktit që kishte derdhur më shumë se 1.3 miliardë euro në filialet dhe degët e saj jashtë vendit për një dekadë, sipas një raporti të shtatorit 2014 të Kompanisë së Kontabilitetit dhe Konsulencës Tatimore BDO.

Fitimet më të mëdha vjetore që kompania i kishte shënuar ndonjëherë në veprimtaritë e saj jashtë vendit ishin vetëm 36 milionë euro dhe kjo sipas raportit vjetor për vitin 2011 të “Alpine Bau-t” ndodhi në vitin 2005.

Jashtë Austrisë, “Alpine Bau” la pas vende të rrënuara të ndërtimit, rrugë të papërfunduara apo të realizuara dobët, qindra vende pune të humbura dhe një listë të gjatë borxhlinjsh.

Likuiduesit e “Alpine Bau-t” kërkuan raportin e BDO-së për të zbuluar se çfarë nuk kishte shkuar si duhet. 

Raporti pohon që “Alpine Bau” kishte vepruar jashtë Austrisë pa kontrolle të mjaftueshme dhe nënvizon zgjerimin e shpejtë në Ballkan, krahas Gjermanisë dhe Polonisë, si pikat kyçe të rënies së saj.

Nga 1.3 miliardë euro investime të humbura në projekte jashtë vendit, gati gjysma e tyre janë kanalizuar në Serbi, Kroaci, Rumani, Shqipëri dhe Maqedoni. Kjo ishte shumë joproporcionalisht e madhe, duke pasur parasysh punimet ndërtimore në këto vende. 

Nga personat e jashtëm Ballkani konsiderohej si xhevahiri në kurorën e korporatës, theksojnë informatorët e brendshëm. “Alpine Bau” kishte nisur projekte të mëdha në rajon që nga viti 2001 – duke u bërë pa dyshim ndërtuesi më i madh i rajonit, por milionat e investuara gradualisht u zhdukën.  

Kostot gjithnjë në rritje të autostradës në Serbi 

Ura e Beskës | Foto: Zoran Zestiq Ministria e Transportit

Në vitin 2006, “Alpine Bau” fitoi në Serbi një tender për ndërtimin e një ure mbi lumin Danub në Beska, 20 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit serb, Beogradit, në vlerë prej 34 milionë eurosh. Por informatorët i treguan BIRN-it se projekti u përball me probleme teknike dhe kostot përshkallëzuan në mbi 100 milionë euro. 

“Alpine Bau” u detyrua që të pranojë një pagesë prej 54 milionë eurosh pas procedurës së arbitrazhit dhe argumenteve të tejzgjatura me qeverinë e Serbisë dhe kompaninë rrugore shtetërore “Putevi Srbija”, siç konfirmojnë dokumentet e siguruara sipas Ligjeve të Lirisë së Informimit.

“Putevi Srbija” tani ka dorëzuar kërkesëpadi kundër “Alpine Bau-t”, e cila, rastësisht, kërkon shumën prej 54 milionë eurosh për punimet e pakryera dhe të dobëta në urë dhe projekte të tjera.

“Alpine Bau” është kontraktuar edhe në vitin 2010 për ndërtimin e autostradës pan-evropiane ndërmjet qytetit serb të Nishit dhe kufirit bullgar, por ky projekt nuk u zhvillua si duhet dhe ndërtimi u la anash për muaj të tërë. 

Një raport i brendshëm i analizuar nga “DATUM-i” dhe “BIRN-i” parashikonte humbje prej 45 milionë eurosh në vitin 2012 vetëm për këtë projekt. 

Gjithashtu, sipas dokumenteve të prokurorisë serbe, një pjesë e autostradës është ndërtuar me materiale ndërtimore të siguruara në mënyrë të paligjshme nga një udhëheqës kontrovers protestash nga pjesa e trazuar e veriut të Kosovës. 

Miliona “mungojnë” në Maqedoni 

Edhe në Maqedoni ndodhi e njëjta gjë. Jo vetëm që kontratat e mëdha të ndërtimit nuk arritën të sjellin fitime, por miliona euro u shpenzuan në kredi dhe kontrata të dyshimta, sipas një raporti të inspektimit të KPMG-së të qershorit 2012 dhe një raporti të auditimit të brendshëm të qershorit 2013, të siguruar nga gazetarët.

Dokumentet shpalosin një rrjet kompanish, kryesisht në pronësi apo me lidhje të ngushta me punonjësit, që pranonte “kredi dhe kontrata të dyshimta”. Auditorët për kritika të posaçme veçojnë Gjoko Dinev-in, menaxherin e përgjithshëm të “Alpine Bau GmbH Skopje” nga viti 2009.

Kontrata të këshillimit në vlerë prej mbi 3 milionë eurosh janë dhënë në periudhën 2010 dhe 2012 te“Sim Konsalting”, kompani kjo në pronësi të disa punonjësve të degës maqedonase të “Alpine…” Kjo është bërë përkundër faktit që kompania nuk kishte asnjë punonjës dhe nuk kishte prodhuar asnjë dëshmi të punëve të kryera.

Më shumë se 6 milionë euro të pagesave të dyshimta janë theksuar në raport që përbëjnë gati një të tretën e të gjitha të hyrave të degës së “Alpine Bau GmBH” në Shkup për vitin 2012. 

“Prapa çdo kontrate të vetme dhe çdo pagese ishte një shërbim [legjitim], së paku gjatë kohës sime si menaxher i përgjithshëm”, ngul këmbë Dinev. 

Pyetjes se kush i ka autorizuar pagesat, Dinev-i i përgjigjet duke përmendur kroatin Ivica Borosak, i cili ishte listuar si menaxheri i dytë i përgjithshëm në Maqedoni dhe kreu i degës në Kroaci. Borosak nuk u përgjigj në thirrjet dhe porositë tona telefonike.

Pas bankrotit të “Alpine…’, Borosak dhe Dinev u punësuan në kompanitë në pronësi të znj. Helena Aluta-Oltyan, gruas së Dietmar Aluta-Oltyan, ish aksionar dhe drejtor i “Alpine Bau-t”. 

Znj. Aluta-Oltyan kishte rol aktiv në aktivitetet e “Alpine…” në Ballkan – madje duke e përshkruar veten si “përfaqësuesja e Alpine për Ballkanin” – ndonëse informatorët theksuan se pozita e saj e vërtetë në kompani ishte larg nga të qenët e qartë.  

Shqipëri: paratë e transferuara në parajsa tatimore 

Në Shqipëri, 1.4 milionë euro janë transferuar gjatë vitit 2012 te një kompani e quajtur “Windforce Estate Limited”, e cila ishte në pronësi të një kompanie tjetër jashtë vendit, e regjistruar në Ishujt Marshall. Pronësia më vonë është bartur te punonjësit e një kompanie qipriote të avokatisë.

Transferimet janë theksuar edhe në raportin e “Deloitte”, që në atë kohë ende ishte i angazhuar si auditor në degën e “Alpine Bau” në Tiranë më 2013 dhe që është siguruar nga “DATUM-i” dhe BIRN-i.

Pagesat për “Windforce” gjatë tërë vitit 2012 ishin për punët që përfshinin “përfaqësimin dhe këshillimin, asistencën materiale në të gjitha takimet, diskutimet dhe informimet”, merret vesh sipas faturave të siguruara nga BIRN-i dhe “DATUM-i”.  

Faturat janë adresuar te menaxherët në Tiranë, Manfred Deppe dhe Amadeo Garcia, mirëpo auditorët nuk ishin në gjendje të gjejnë dokumente të tjera që kishin të bënin me marrëveshjen, duke përfshirë një kontratë ndërmjet “Alpine Bau-t” dhe “Windforce-s” të cekur në fatura. 

Këshillimet e “Windforce-s” lidheshin me dy autostradat që ishin në proces të ndërtimit nga dega në Tiranë e “Alpine Bau-t” dhe partneri grek i saj “AEGEK”, pasi “Alpine…” e fitoi kontratën më 2008. Këto projekte janë paguar nga fondet e BE-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Por rrugët në mes Vlorës, Tepelenës dhe Levanit filluan të përballen me kosto gjithnjë më të larta, duke e detyruar qeverinë që t’u drejtohet donatorëve për më shumë para. Madje edhe atëherë, projektet u kapluan nga probleme teknike dhe nxitën protesta të dhunshme nga fshatarët, të cilët ishin pronarë të tokës ku po ndërtohej.

Një segment vazhdon të jetë i papërfunduar gati pesë vjet pas datës së pritur të përfundimit më 2010.

“Deloitte” është ankuar se kompania këshilluese “Windforce” nuk ka siguruar dëshmi të punës së kryer dhe rrjedhimisht dështoi në auditimin e “Alpine Bau-t” për Shqipërinë për vitin financiar 2012. 

Auditorët vërejtën që pranuesi i pagesave dhe aksionari i vetëm i “Windforce” kishte vdekur në një spital grek në prill të vitit 2013 dhe si rrjedhojë nuk ishte në gjendje të ofronte hollësi të mëtejme të shërbimeve që i kishte ofruar. 

Nuk dihet se kush ishte pronari i vërtetë i “Windforce Estate”, meqë ata që aktualisht janë në listë të punonjësve si sekretarë, drejtorë dhe aksionarë janë punonjës të një zyre juridike në Qipro – taktikë e rëndomtë ligjore për të siguruar anonimitet në parajsat famëkeqe tatimore.

Një ish-anëtar i lartë i degës së “Alpine Bau-t” në Tiranë, që kishte theksuar se i kishte parë të gjitha kontratat e nënshkruara tha: “Kam punuar për vite me radhë për ‘Alpine…’ dhe jam e tronditur me shumën e parave që i kemi paguar kompanisë ‘Windforce Estate Limited’, meqë kurrë nuk pashë një kontratë apo dokument relevant të lidhur me këtë kompani”.

Gjersa paratë e gatshme derdheshin jashtë kompanisë drejt parajsave tatimore, nënkontraktuesit u lanë me borxhe shumëmilionëshe. 

Borxhi ndaj ndërmarrjes ndërtimore “Alban Tirana” është 2.5 milionë euro, pas procesit të suksesshëm gjyqësor kundër degës në Tiranë të “Alpine Bau-t” me pretendimin që kompania austriake padrejtësisht i kishte dëmtuar në favor të “AEGEK-ut”. Kjo ndërmarrje nuk ka pranuar as edhe një cent dhe druhet që nuk do t’i pranojë kurrë.

E-mail-at e këmbyer ndërmjet menaxherit të degës së “Alpine Bau” në Tiranë dhe likuiduesve shqiptarë gjatë muajit maj 2014 të siguruar nga “DATUM-i” dhe BIRN-i tregojnë që “Alpine…” në Shqipëri nuk ishte në gjendje të aplikojë për falimentim për disa muaj pas bankrotimit të filialeve të saj më 2013. Në fund, “Alpine…” në Shqipëri nuk kishte fonde të mjaftueshme për t’i paguar tarifat e duhura për të aplikuar për falimentim.

Dështime fatale të menaxhimit 

Në raportin e BDO-së të kërkuar nga likuiduesit e “Alpine Bau-t”, autorët pohojnë se zgjerimi i shpejtë i kompanisë jashtë vendit ishte “i orientuar drejt shitjeve dhe jo drejt fitimit” dhe se kjo është shtyrë nga “bashkëpronari afatgjatë dhe fytyra më e fortë e ‘Alpine Bau-t’, z. Aluta-Oltyan, dhe pronari i aksioneve shumicë spanjolle FCC”.

“Strategjia për të zgjeruar shtrirjen dhe përfundimisht hyrjen në tregjet e reja kishte ndikim rrënues në profitabilitetin e Alpine Group”, konkludon raporti.

Dietmar Aluta-Oltyan konsiderohet të jetë truri dhe vizionari i “Alpine Bau-t”. 

70-vjeçari iu bashkua kompanisë në vitin 1968 dhe punoi me zell për t’u bërë aksionar dhe drejtor.

Në prag të ndërrimit të mijëvjeçarit, nën udhëheqjen e tij, “Alpine” filloi të zgjerohet jashtë vendit. Por bashkaksionarët e tij Georg Pappas, themelues i “Alpine…” dhe inxhinieri Otto Mierl, mbanin nën kontroll të ngushtë kolegët e tyre më aventuristë.

Situata dukej se u kthye në dëm të Aluta-Oltyanit ambicioz, kur u dënua për korrupsion në Gjermani në shkurt të vitit 2006, lidhur me një pagesë që i kishte bërë një zyrtari të “Bayern Munich-ut” pasi që “Alpine Bau” kishte siguruar kontratën për ndërtimin e stadiumit historik “Allianz Arena”.

Atij i ishte shqiptuar dënim me kusht prej dy vjetësh dhe një gjobë prej 1.8 milionë eurosh, pasi që veçse ishte tërhequr nga pozita e drejtorit të “Alpine Bau-t”, krahut ndërtimor të kompanisë. 

Megjithatë, Aluta-Oltyan, ende ishte kryesues i “Alpine Holding”, ndërmarrjes amë që menaxhonte “Alpine Bau-n”. 

Kompania ndërtimore spanjolle “FCC” bleu aksionet nga të kujdesshmit Pappas dhe Mierl në tremujorin e fundit të vitit 2006, duke u bërë pronare e shumicës së tyre. Kjo i hapi rrugë Aluta-Oltyanit që ta nisë një turbo-zgjerim në Ballkan dhe më gjerë, përkundër faktit që më nuk kishte rol ekzekutiv, theksojnë informatorët e kompanisë.  

Auditimi i BDO-së forcon më tej këtë mendim, duke e përshkruar Aluta-Oltyan-in si personin “më të fortë” të “Alpine Bau-t”, i cili ishte “aktiv në nivel ekzekutiv pa asnjë kontroll dhe balancë që vlen të përmendet”.

“Niveli i menaxhmentit përgjegjës për zbatimin e kontrolleve të duhura ishte dominuar nga z. Aluta-Oltyan deri në fillim të vitit 2012”, thekson raporti. 

“Situata ishte e tillë përkundër faktit që ai nuk funksiononte formalisht si menaxher i përgjithshëm dhe as nuk ishte në organin mbikëqyrës të “Alpine Bau GmbH”. 

“Ky stil i udhëheqjes, i përshtatur enkas për një individ, si dhe kultura e korporatës që e shoqëronte këtë, kontribuuan në masë të madhe në mangësitë e identifikuara në kuptim të strukturave, kontrolleve dhe transparencës”, vijon raporti.

Paralajmërimet e “Kaosit të Ballkanit” 

Nga vitit 2008 kishte gjithnjë e më shumë ankesa në Salzburg për kolegët jugorë, theksuan informatorët për BIRN-in dhe DATUM-in. 

“Ishte kaos në Ballkan,” thekson një ish-punonjës në pozitë të lartë në “Alpine Bau” në Salzburg.  

“Për shembull, i kishim 16 sisteme të ndryshme të listës së pagave, askush nuk e dinte saktë se kush punonte ku dhe si ishin kontratat e tyre”.

Gjashtë ish-menaxherë të “Alpine Bau-t” konfirmuan ndaras nga njëri-tjetri se filialet e Ballkanit gëzonin liri më të madhe dhe se Aluta-Oltyan personalisht merrej me të gjitha veprimtaritë e biznesit të kompanisë jashtë Austrisë. 

Menaxherët e lartë në Salzburg ishin në dijeni për disa nga problemet me projektet e mëdha jashtë vendit, meqë ato raportoheshin në hierarki, por nuk është e qartë se kush ishte në dijeni të nivelit të humbjeve. 

Përfaqësuesit e aksionarit shumicë “FCC” vazhdimisht janë informuar për probleme të komunikimit me filialet e Ballkanit, sipas burimeve të afërta me ngjarjet. 

“Ne u thamë spanjollëve se kjo nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë”, tha një ish-menaxher. 

Sipas BDO-së, “Alpine Bau” në fakt veçse ishte e paaftë për të paguar borxhet në tetor të vitit 2010. 

Fakti që askush nuk e kishte vërejtur këtë më herët, mbetet një nga misteret e mëdha të falimentimit, ndonëse auditorët kritikojnë homologët e tyre ndërkombëtarë të “Deloitte”, të cilët nuk ia kishin arritur t’i identifikojnë problemet kur janë mbyllur llogaritë për 2009, 2010 dhe 2011.

Bankat kishin lëshuar kredi për “Alpine Bau-n” në vlerë prej qindra miliona nga viti 2010 e tutje, 180 milionë të të cilave janë garantuar nga taksapaguesit austriakë. Publiku gjithashtu ka marrë përsipër deri në 290 milionë euro në obligacione më 2011 dhe 2012, në përpjekjet e kompanisë për të injektuar para të gatshme në biznes.

Aluta-Oltyan la “Alpine Bau-n” në pranverën e vitit 2012, duke i shitur aksionarit shumicë “FCC” 19.3 për qind të aksioneve të tij për 52.6 milionë euro. 

Humbjet e zbuluara nga auditorët e rinj 

Shefi i ri Johannes Dotter që mori drejtimin nga marsi i vitit 2012, ish-kryesues i “Porr AG-ut” njërit nga konkurrentët austriakë të “Alpine Bau-t”, kishte kërkuar auditimet të reja të veprimtarisë së “Alpine” dhe mbylljen e zyrave në dështim e sipër të kësaj kompanie jashtë vendit. 

Gjetjet e KPMG-së të publikuara në verën e vitit 2012 ishin tronditëse: kompania kishte fatura të konsumatorëve në vlerë prej 300 deri 400 euro të cilat nuk do të paguheshin kurrë, duke i vënë një vrimë marramendëse bilancit të gjendjes së kompanisë. 

Këto ishin ngarkesa që “Alpine…” kishte shpresuar t’i kompensonte nga konsumatorët pas rritjes së kostove për projekte mbi çmimin fillestar të kontraktuar. 

Në tetor 2012, lajmi i raportit të KPMG-së doli në shtyp. Kjo ishte “puthja e parë e vdekjes” për “Alpine Bau-n” që përfundimisht bankrotoi në qershor të vitit vijues. 

Por, për znj. Aluta-Oltyan, gruaja e ish-drejtorit të “Alpine Bau-t”, biznesi në Ballkan vazhdon të prosperojë.

Në mars të këtij viti ajo nisi një biznes të ri të mihjes, duke blerë gurthyes në vlerë prej 12 milionë eurosh. Ajo bleu mes gurthyesve tjerë edhe një kompani të mihjes me seli në Serbi, “Alpine Kamen” – të shitur nga likuiduesit e kompanisë së saj amë, “Alpine Bau”.