Të Organizuar Hapur Kundër Shtetit

Tetë vjet pas miratimit në qershor të vitit 2006 të udhëzimit administrativ që obligon shfrytëzuesit e ujit të paguajnë taksën ujore, qindra shfrytëzues të ujit nuk e kanë kryer këtë obligim. 

Dëmet e shkaktuara konsiderohen se janë miliona euro.  

Ministria e Mjedisit obligohet që  të kujdeset që të obligojë shfrytëzuesit për të paguar taksën. 

Mirëpo, zyrtarët në Ministrinë e Mjedisit nuk kanë informata të sakta se sa shfrytëzues të resurseve ujore janë në Kosovë. 

Prej vitit 2004 e deri më sot, Ministria e Mjedisit i ka dhënë 158 leje ujore, derisa nuk dihet sa operues ilegalë mund të jenë. 

Nga këto 158 leje të dhëna për kompani publike e private, vetëm për 12 prej tyre dihet borxhi i saktë. 

Derisa nga këto 12 kompani për të cilat dihet saktë borxhi në emër të taksës ujore, vetëm 3 kompani e kanë parë të udhës që t’ia paguajnë shtetit obligimet e veta.

Drejtues të  Ministrisë së Mjedisit potencojnë se nuk kanë informata se sa është numri i shfrytëzuesve të ujit dhe sa është borxhi që ata kanë ndaj shtetit. 

Dardan Gashi, ministër i Mjedisit, edhe përkundër kësaj, thotë se në Drejtorinë e Ujërave, çdo gjë është normale.

 “Nëse flasim për ata që e përdorin ujin për ta shitur më vonë si ujë të pijshëm – të ambalazhuar, më duket se janë diku 20 apo 25 kompani dhe prej tyre disa kanë leje ujore, disa nuk kanë. Por sa i përket kësaj se sa operatorë mund  të jenë pa leje ujore, mund të them se janë me dhjetëra mijëra, nëse i marrim edhe puset private që i kemi nëpër shtëpi. Realisht edhe për këto ishte dashur të ketë leje ujore, sepse ashtu e parasheh ligji”, tha Gashi.

Ligji i shpërfillur

Ligji për Ujërat është miratuar dhe ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2013.

Që nga ajo ditë taksat ujore përveç me udhëzimin administrativ të hyrë në fuqi më 2006  janë rregulluar edhe me këtë ligj, i cili nuk po zbatohet nga autoritetet.

Por, si u bë që vetëm 12 kompani t`i binden këtij ligji, e mijëra shfrytëzues të tjerë jo?

“Operatorët privatë nuk i kanë paguar këto borxhe për 5- 6 vjet. Dhe deri para mandatit tim nuk është marrë askush me këtë çështje. Por që kur e kam marrë detyrën, kemi filluar të merremi me këtë çështje, që ato borxhe t`i kthehen shtetit”, tha ministri Gashi, sipas të cilit bizneset janë toleruar deri tani për faktin se për shumë vite nuk kanë paguar. 

Ai tha se Ministria nuk ka bërë dallime në mes të operatorëve ekonomikë dhe se të gjithë ata që janë borxhlinj i kanë proceduar për gjykatë.

Ministri e pranon se edhe pse deri sot nuk është përfillur, nga tash e tutje ligji do të zbatohet. 

Se Ministria e Ambientit nuk e ka kryer punën e vet ashtu siç e kërkon Ligji për Ujërat, e tregon edhe mungesa e të dhënave të sakta se sa janë të hyrat dhe humbjet nga mospagesa e taksës ujore.

“Pas insistimit tuaj, ne kemi nxjerrë të dhënat dhe deri në fund të vitit 2012 shuma totale e pagesave është rreth 609 mijë euro. Dhe përafërsisht edhe rreth 100 mijë euro janë të vitit 2013.Borxhet nuk mund t`i kalkulojmë, por përafërsisht borxhet mund të jenë trefishi i shumës së inkasuar”, tha Naser Bajraktari, drejtor i Departamentit të Ujërave në këtë ministri.

Të bashkuar kundër ligjit 

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, është njëra ndër kompanitë më të mëdha në vend dhe është ndër borxhlinjtë më të mëdhenj.

Selatin Retkoceri, drejtor financiar, thotë se Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka mundësi që të bëjë pagesën e këtij borxhi, por nuk janë duke e paguar në shenjë solidarizimi me ujësjellësit tjerë.

“Duhet t`i kemi mbi 200 mijë euro borxh, sipas llogaritjes sonë. Ne kemi mundësi financiare ta paguajmë këtë borxh, por në shenjë solidarizimi me ujësjellësit tjerë të cilët kanë vështirësi, nuk jemi duke e paguar”, tha Retkoceri.

Këtë vendim, e kanë marrë të gjithë ujësjellësit e Kosovës. 

Gjatë këtij bojkoti të organizuar, këto kompani nuk kanë hezituar që taksën ujore t’ua kalkulojnë dhe faturojnë qytetarëve të Kosovës në faturat e ujit. 

Përpos kompanive publike, borxhlinj janë edhe kompanitë private që merren me ambalazhim të ujit. Ato kanë vepruar njëjtë sikur kompanitë publike të ujësjellësve. 

Sami Maksuti, menaxher i prodhimit në  Fabrikën e Ujit “Kllokoti”, thotë se ata nuk kanë mundësi të paguajnë taksën për shfrytëzimin e ujit.

“Taksën ujore nuk kemi mundur ta paguajmë se është shumë e madhe, është kosto prej 0,009 centë, vetëm për një komplet me ujë ngarkohemi më 0,11 centë dhe kjo është e papërballueshme për ne kur kihet parasysh konkurrenca jolojale që na vjen nga importi”, tha ai.

Fajtore e moszbatimit të ligjit për pagesë të taksës ujore është vetë Ministria e Mjedisit,   e cila as sot e kësaj dite nuk i ka të faturuara të gjitha kërkesat e saja ndaj kompanive të cilat e kanë shfrytëzuar ujin, e kanë mbledhur profitin, e nuk e kanë paguar taksën.  

Mirëpo, ministri Gashi thotë se ajo çka ka ndodhur para mandatit të tij nuk është përgjegjësi e tij.

“Unë e kisha mirëpritur edhe një involvim më të thellë të gjykatave këtu, ose të hetuesisë që të shikohet pse dhe në çfarë mënyre janë toleruar [kompanitë]”, thotë ai. 

Ndërkohë, bazuar në dokumentet që  janë siguruar nga “Drejtësia në Kosovë” llogaritet se dëmi i evidentuar prej të gjithë operatorëve privatë e publikë është së paku mbi 1 milion euro. 

Por, ministri Gashi thotë se borxhi mund të jetë deri në 2 milionë, ndërsa drejtori Naser Bajraktari thotë se borxhi është rreth 2.4 milionë. 

Ndërkaq  llogaritja e dëmit buxhetor të shkaktuar nga kjo neglizhence e Ministrisë së Ambientit është totalisht e pamundur, sepse në radhë të parë, nuk dihet as numri i atyre që e shfrytëzojnë ujin. 

Borxhi i eksploatuesve të lumenjve

Borxhli ndaj shtetit janë edhe kompanitë private që merren me separacion të rërës dhe zhavorrit. 

Ato duhet të paguajnë taksë jo vetëm për dëmtim të shtretërve të lumenjve, por edhe për përdorim të ujit për shpëlarje të rërës dhe zhavorrit.  

“Nëse KPMM-ja ua ka dhënë licencën këtyre operatorëve pa e pasur lejen ujore, atëherë shkelësit e parë të ligjit janë ata, shkelësit e dytë jemi ne që nuk jemi kujdesur”, tha ministri Gashi.

Mirëpo, Bashkim Zeqaj, zyrtar ligjor në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, thotë se nuk e kanë për obligim që t`ua kërkojnë lejet ujore operatorëve ekonomikë për eksploatim të rërës dhe zhavorrit.

“Ligji ka paraparë që për me pajisur një person me leje për aktivitete të veçanta, duhet ta ketë pëlqimin mjedisor nga Ministria e Ambientit, pra ligji nuk e parasheh që ne ta kërkojmë lejen ujore”, tha Zeqaj.

Se eksploatuesit e rërës dhe zhavorrit, të cilët janë të licencuar nga KPMM-ja, nuk kanë leje ujore, e konfirmon edhe kryetari i shoqatës së tyre Sami Çeku. Ai na tha se kjo nuk u është kërkuar nga askush.

“Ne jemi të licencuar nga KPMM-ja, deri tash nuk na është kërkuar leja ujore, sikur të na ishte kërkuar ne ishte dashur ta kemi para se të licencoheshim nga KPMM-ja”, tha ai.

Në situatën kur të gjithë kanë vendosur të mos i binden ligjit për taksën ujore, ekipi i “Drejtësisë në Kosovë” ka gjetur se megjithatë ka kompani të cilat kanë vendosur t`i kryejnë obligimet ndaj shtetit.

Shfrytëzues i ujit, i pajisur me leje ujore nga Ministria e Mjedisit, është edhe kompania “Vëllezërit Ibishi” nga Dobërçani i Gjilanit. 

Pronari i kësaj banjeje, Ibish Ibishi, thotë se para se të fillojnë me biznesin e tyre ata janë pajisur me leje përkatëse dhe se të gjitha obligimet i kryejnë me kohë ndaj ministrisë. 

“Me dokumentacion jemi të pajisur komplet. Edhe lejen ujore e kemi marrë nga ministria para se të fillojmë me biznes. Taksën ujore e paguajmë rregullisht”, tha Ibishi, edhe pse e konsideron të lartë taksën ujore. 

Në anën tjetër, edhe rastet tjera të cilat hipotetikisht do të donin ta paguanin taksën ujore, kanë problem. Shumë nga këto kompani thonë se nuk e kanë plotësisht të qartë se në cilën xhirollogari duhet ta kryejnë këtë pagesë. 

Fazli Bytyqi, nga kompania “Trofta e Re” në Istog, thotë se çdo muaj paguan nga 1,400 euro në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal të Pejës “Hidrodrini”. 

Por hurdha e peshqve “Trofta e Re”, sipas ligjit, i nënshtrohet regjimit të taksës ujore. 

 Tash, a duhet kjo kompani t’ia paguajë taksën drejtpërdrejt Ministrisë së Ambientit, apo kjo paguhet përmes faturës të cilën ia paguan “Hidrodrinit”, apo “Trofta e Re” duhet ta paguajë edhe “Hidrodrinin”, edhe taksën ujore?

“Ne paguajmë nga 1,400 euro çdo muaj në ‘Hidrodrin’, por në ministri më kanë thënë se duhet të paguaj te ata, mirëpo nuk na e kanë sjellë deri më tani asnjëherë faturën”, tha Bytyqi.