Aeroporti- Shpërfillja e Madhe e Ministrave të Thaçit

Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është promovuar publikisht nga qeveritarët si një prej punëve më të mëdha të kryera nën udhëheqjen e kryeministrit në largim Hashim Thaçit, por dokumentet tregojnë një histori tjetër.

Gjatë vitit 2012, kur komiteti qeveritar për mbikëqyrje të punëve në Aeroportin e Prishtinës që udhëhiqej nga ministri i atëhershëm i Financave Bedri Hamza, tash guvernator i Bankës Qendrore, kishte ndodhur që të mbahej vetëm një takim në vit.

Shefi i tij, Hashim Thaçi ja dha këtë detyrë Hamzës në fillim të vitit 2012 për të mbikëqyrur projektin e parë dhe më të madhin në vend sa i takon partneritetit publiko privat (PPP).

Komiteti i ministrave operon bazuar në rregulloren e tij të brendshme që obligon ministrat të takohen një herë brenda një muaji. 

Bedri Hamza, i intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, arsyetohet se viti 2012 ka qenë vit i ndërtimit dhe mbikëqyrjen ia kanë lënë kontraktorit privat.

“Mbledhjet e Komitetit të Ministrave organizohen në bazë të kërkesës së autoriteteve kontraktuese,  ku mund të ketë ndonjë projekt-propozim, apo çështje të ndryshme të ndërlidhura me PPP-në”, tha Hamza. 

Komiteti i Ministrave që mbikëqyrë koncesionimin, aktualisht udhëhiqet nga Besim Beqaj, ministër në largim i Financave.

Zyra për Media e kësaj ministrie nuk pohoi se komiteti nën udhëheqjen e Beqajt ka mbajtur mbledhje të rregullta mujore.

Kjo ministri ka pasur për obligim që të themelojë edhe Njësinë për Menaxhimin e Projektit në Aeroportin e Prishtinës e cila do t’i shërbente Komitetit të Ministrave. Nuk ka arritur ta bëjë këtë.

“Ministria e Financave ka pasur dy tentime përmes kontraktimit, të angazhojë ekspertë shtesë për këtë qëllim dhe në të dy rastet nuk ka pasur oferta të përgjegjshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave dhënë Gazetës Jeta në Kosovë. 

Pamundësia e krijimit të kësaj njësie është përmendur edhe në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm që ka audituar përiudhën 2010-2013 të punëve ndërtimore në Aeroportin e Prishtinës. Raporti i ZAP-it është publikuar në gusht të këtij viti.

Takimi i fundit në gusht të 2013-ës?

Auditori ka konkluduar se Komiteti i Ministrave ka pasur një numër të vogël të takimeve, ndërsa sipas rregullores duhej të takohej një herë në muaj, mirëpo brenda 30 muajve komiteti ka mbajtur 11 takime. 

Auditori po ashtu ka gjetur se një procesverbal ka mbetur i panënshkruar më 18 gusht 2013nga udhëheqësi i Komitetit, Bedri Hamza, atëherë ministër i Ekonomisë dhe Financave.  

“Sa i përket gjetjes së auditorit për mosnënshkrim, mund të ju sigurojmë se procesverbali nënshkruhet nga  pjesëmarrësit në takimin  e radhës, në rastin konkret, me siguri nuk ka patur takim të radhës”, tha Hamza. 

Anëtar i këtij komiteti ka qenë edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili nuk deshi të komentojë mungesat e shumta të takimeve për projektin më të madh në vend me partneritet publiko-privat.

“Adresa për interesimet tuaja është Ministria e Financave, përkatësisht Njësia për Partneritet Publiko-Privat në këtë ministri”, tha Lah Nitaj, këshilltar i ministrit Mujota.

Anëtare tjetër në këtë komitet ka qenë edhe asokohe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. 

Ajo nuk dha përgjigje në pyetjen se pse ka dështuar komiteti të takohej më shpesh.

Përgjigje ka dhënë Fadil Ismajli, ministri i Zhvillimit Ekonomik, por ka pohuar se nuk mund të thotë me siguri se kur janë mbajtur takimet e komitetit. 

‘’Unë kam marrë pjesë disa herë në Komitet, por nuk e di saktesisht sa herë…Më duhet të konsultoj dokumentet, por është më mire ta pyesni Ministrinë e Financave, sepse ata i kanë bërë gjithmonë ftesat për pjesëmarrësit e Komitetit dhe e kanë caktuar rendin e ditës. Ata e dinë saktësisht sa takime janë realizuar’’, tha Ismajli për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mungesa e mbikëqyrjes së koncesionimit nga ana e ministrave kritikohet nga ekspertë të ekonomisë. 

‘’Nga marreveshja për koncesionim, koncesionari do të duhej të investonte 100 milionë euro në Aeroportin e Prishtinës. “Limak” dhe “Aeroports de Lyon” shprehen se këto investime janë bërë, por nuk kemi një raport të pavarur i cili vlereson nëse në të vërtetë janë bërë këto investime’’, thotë Agron Demi, njohës i ekonomisë.

Telashet me ndërtimin e terminalit

Ministria e Mjedisit këtë muaj ka lëshuar vendimin për legalizimin e terminalit të ri. “Limak” kishte aplikuar në korrik të këtij viti.

Vendimi është nxjerrë më 22 tetor dhe legalizon vetëm terminalin e ri, ndërsa thekson se të gjitha punët tjera të ardhshme duhen të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Ndërtimi i terminalit të ri është trajtuar me Ligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, i cili është nënshkruar në fund të vitit që shkoi dhe ka hyrë në fuqi në fillim të 2014-ës.

Konsorciumi turko – francez, Limak & Aeroports de Lyon, kishte aplikuar që nga fillimi për leje ndërtimi, por që nuk e ka fituar atë dhe rrjedhimisht nuk e kishte as certifikatën për përdorimin e objektit.         

Lejen e ndërtimit e ka pasur për obligim që ta lëshojë Ministria e Mjedisit, por nuk ishte në gjendje të bëjë një gjë të tillë për një kohë të gjatë. Auditori ka kritikuar këtë zvarritje.

“Zyrtarët e kësaj ministrie kanë pohuar se nuk kanë arritur të pajisin me leje ndërtimi terminalin e ri se projekti i terminalit të ri ishte kompleks dhe plan dinamik që Ligji për Ndërtim nuk ka parashikuar projektet e tilla”, thuhet në raportin e auditorit.

Pak para inaugurimit të terminalit të ri në tetor 2013, ishte Lëvizja “Vetëvendosje” që njoftoi se terminali i ri po lëshohet në qarkullim pa leje ndërtimi. 

Një tjetër problem që i ka dalë konsorciumit është edhe çështja mbi pronën që është shfaqur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, e cila ka rezultuar në moszbatimin e tërësishëm të planit rreth terminalit.

Kësisoj, konsorciumi nuk ka realizuar ende katër pika të planit ndërtimor të cilat përfshijnë 23 pozicione të punëve ndërtimore.

Lorik Fejzullahu, kryesues i Departamentit Qendror për Partneritete Publiko-Private (DQPPP) tha se Qeveria e Kosovës kishte lajmëruar KFOR-in në vitin 2010 për ndërtim, por që nuk ka marrë përgjigje atëkohë dhe në vitin 2012 KFOR-i ka kërkuar që të ndalen punimet afër tyre. 

Në takimin e nëntorit të vitit 2013, është rekomanduar ndryshimi i certifikatës së pronësisë pasi që qeveria nuk arriti të përmbushë obligimet dhe zotimet e saj të dhëna partnerit privat lidhur me shfrytëzimin e pakufizuar të pronës.

Në një nga procesverbalet e takimit të KPPP-së, Fejzullahu kishte theksuar se në një takim me KFOR-in ishte ngritur mundësia për nënshkrimin e një marrëveshjeje në mes Qeverisë së Kosovës dhe këtyre forcave. 

Qëllimi i marrëveshjes ishte identifikimi dhe formalizimi i hapësirës të cilën KFOR-i e shfrytëzon brenda pronës së ANP-së.

KFOR-i ka refuzuar të komentojë këto çështje me Aeroportin e Prishtinës. “Kontaktoni me Autoritetin Civil të Aviacionit për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të KFOR-it dhënë  Gazetës Jeta në Kosovë. 

Drejtori gjeneral i Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonabalaj, thotë se autoriteti nuk ka kompetencë profesionale dhe institucionale për ta komentuar  nëse Rezoluta 1244 e pengon KFOR-in për të lidhur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Gjonbalaj tha se në vitin 2004, KFOR-i ka lidhur 18 marrëveshje teknike me UNMIK-un, përmes së cilave ka deleguar operimin e Aeroportit të Prishtinës dhe kontrollin e trafikut ajror.

“KFOR-i nga këndvështrimi i vet vazhdon t’u referohet atyre marrëveshjeve teknike si bazë juridike për operimet civile të Aeroportit të Prishtinës dhe Kontrollit të Trafikut Ajror”, i tha Gjonbalaj Gazetës Jeta në Kosovë.

Nuk arrihet kapaciteti i duhur në aeroport

Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve me KFOR-in, aeroporti ka mbetur pa përfunduar edhe katër pika të marrëveshjes që kanë të bëjnë me kapacitetin dhe sigurinë e aeroportit.

Punët e papërfunduara kanë mbetur në zonën e sigurisë në fund të pistës (RESA) në rastet kur aeroplani nuk mund të ndalet brenda shtegut të pistës. 

Të papërfunduar kanë mbetur edhe krahët e rrugës për akomodimin e aeroplanëve, platforma për shkrirjen e akullit dhe zona e improvizuar e trajnimit të zjarrfikësve. 

“Punët e lartpërmendura nga ju, janë pezulluar me kërkesë të Komitetit Vlerësues për disa ndryshime nga ana e tyre në master-plan dhe për mundësinë e ndërtimit të disa objekteve ushtarake për shkak të nevojave të KFOR-it. Pas finalizimit të proceseve të lartpërmendura, Komiteti Vlerësues është për të vendosur për vazhdimin e projekteve”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Valentina Gara, menaxhere për marrëdhënie me publikun në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas Marrëveshjes PPP, RESA ekzistuese duhet të zgjatet dhe të zgjerohet me qëllim të ngritjes se nivelit të sigurisë. Ky është rekomandim edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ONAC). 

“Sa u përket çështjeve të sigurisë, raporti i fundit i Autoritetit te Aviacionit Civil të Kosovës nuk ka gjetur asnjë nonkonformitet në ANP ‘Adem Jashari’ Limak Kosovo”, tha Gara.

Dritan Gjonbalaj, drejtor gjeneral i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, thotë se rekomandimi nga ONAC-u nuk është i detyrueshëm për Aeroportin e Prishtinës dhe se RESA atje i plotëson të gjitha standardet.

“ANP ‘Adem Jashari’ është i certifikuar nga AAC-ja si aeroport që i plotëson të gjitha standardet e ONAC-ut për kategorinë përkatëse në të cilën operon (4C). Ndërtimi i objekteve të përmendura prej jush do të kishte impakt pozitiv në operime, por nuk ndërlidhet me nivelin e sigurisë, sepse standardet e sigurisë tashmë janë të zbatuara plotësisht”, tha Gjonbalaj për Gazetën Jeta në Kosovë.