“Zog Mobile”- Përplasja e Dytë Mes të Mëdhenjve

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ende nuk ka marrë një vendim rreth ankesave të operatorëve të telefonisë mobile- “Z Mobile” dhe “Vala”, lidhur me “Zog mobile”. 

“Zog mobile” është prezantuar në treg si brend i Kompanisë “IPKO”, kurse “Z mobile” dhe “Vala” pretendojnë se në fakt ai është operatorë i ri i telefonisë mobile.

ARKEP-i në përgjigjen dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, nuk ka treguar një afat kur do të bën publik vendimin e tij. 

 “Në procedurë të rregullt ligjore dhe administrative, së shpejti do të nxirret qëndrim/vendim lidhur me çështjet që janë subjekt i kërkesës/ankesës”,thuhet në përgjigjen e ARKEP-it.

Bazuar në Rregulloren për Procedurën e Zgjidhjes së Konflikteve, ARKEP-i obligohet që brenda gjashtë javëve të vendosë për pranimin, apo refuzimin për t’u marrë me kërkesën e një pale. 

Pas pranimit për t’u marrë me kërkesën, ARKEP-i duhet të vendosë brenda një muaji se a ka, apo jo, të drejtë pala ankuese.

Në ARKEP me datë 25 shtator të këtij viti janë dorëzuar  ankesa nga dy kompanitë që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike- “Z mobile” dhe “Vala”, lidhur me. siç pretendojnë ato, paraqitjen në treg të “telefonisë më të re mobile” “Zog mobile”. 

Operatorët kërkojnë shpjegime se a është licencuar operatori i ri nga ARKEP-i.

Reagimi i dy operatorëve shënon përplasjen e dyte të tyre me Kompaninë “IPKO”. 

Para dy vjetëve, “IPKO” përmes një padie kërkoi nga “Vala” e “Z-Mobile”, ta kompensojnë atë në shumën prej mbi 14 milionë e 367 mijë euro, me arsyetimin se këta operatorë duke bashkëvepruar mes vete, e kanë dëmtuar rëndë atë. 

Gjykata Themelore pati marrë vendim më 30 shtator të vitit të kaluar se kompetent për të marrë vendim lidhur me këtë çështje është ARKEP-i.

ARKEP-i, deklaroi se ishin të pabaza pretendimet e Kompanisë “IPKO” kundër një marrëveshjeje mes ndërmarrjes publike- PTK dhe kompanisë private “Dardafone” që ka në pronësi operatorin “Z-Mobile”. 

Marrëveshja parashihte çmime të ulëta brenda rrethit të “Valës” dhe “Z-Mobile-it”.

Kurse operatori mobil “IPKO”, me të kuptuar vendimin e Gjykatës Themelore, kishte bërë ankesë  më 9 tetor të vitit të kaluar, por Apeli ende nuk ka shqyrtuar ankesën e kompanisë së dytë për kah numri i përdoruesve të telefonisë mobile.

Bazuar në raportin e fundit të ARKEP-it për përdoruesit e telefonisë mobile gjatë vitit 2013, del se “Vala” ende është lidere në këtë treg. 

Ka 54 për qind të përdoruesve të telefonisë mobile në Kosovë. Ky operator ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2010 kur kishte 70 për qind të tregut. 

“IPKO” është e dyta. Kishte 23 për qind më 2011, por ka shënuar rritje përgjatë viteve. 

Gjatë vitit 2013 kishte 33 për qind të tregut.

Ndërkaq “Z-Mobile”, operatori virtual i “Valës” që më 2010 kishte 1.09 për qind të tregut, ka shënuar rritje. Më 2013 kishte 10 për qind të tregut. 

“Devolli” i referohet “IPKO-s” si operator i huaj 

Ndërkohë në përballjen e dytë që ndodhi këtë muaj, është “Z –Mobile” që ankohet. 

Ka dërguar ankesë në ARKEP, ku pretendon se “Zog Mobile” është futur në treg jashtëligjshëm. 

“Operatori i huaj në Kosovë është duke sulmuar tregun në mënyrë të padrejtë dhe jashtëligjshme dhe kështu dëshiron të dëmtojë operatorët vendorë”, thuhet në ankesë, sipas përgjigjes së “Devolli Group” dhënë Gazetës Jeta në Kosovë. 

“Z-Mobile” është në pronësi të Blerim Devollit, biznesmen nga Peja.

Funksionon si operator virtual i “Valës”, telefonisë publike të telekomunikimit. “Vala” njihet për përdorimin e motos “Vala është e Kosovës”, nëpër reklamat e saj. 

Ndërkaq “IPKO-ja”, operatori i dytë për kah numri i klientëve është kryesisht në pronësi të “Telecom Slovenia” që posedon 75 për qind të aksioneve. Pronarë të pjesës tjetër janë edhe biznesmenë amerikanë mes tyre edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Korbel Albright. Aksionarë vendorë në “IPKO” janë edhe Akan Ismajli, ambasador i Kosovës në ShBA dhe biznesmeni Bujar Musa.

Ndërkohë në ankesën e “Z-Mobile-it” përmenden pretendimet e tij se pse në këtë rast ARKEP-i duhet të vendosë kundër “IPKO-s”.

Sipas “Z Mobile-it” kur aktivizohet kartela në rrjet, emri i rrjetit është “Zog Mobile”, e jo “IPKO” dhe që sipas tyre kjo e bën “Zogun” operator në vete, e jo brend të kompanisë “IPKO”.

Por Alban Kastrati, zëdhënës i “IPKO-s” tha se “Zog”…është produkt i ri i telefonisë mobile që menaxhohet nga “IPKO-ja”.

“Numeracioni që është në dispozicion për këtë produkt është alokuar nga ARKEP-i për nevojat e ‘IPKO-s’, e cila pastaj mund ta përdorë atë sipas nevojave të veta komerciale”, tha Kastrati.

ARKEP-i më 12 gusht të këtij viti vendosi që t’i lejojë Kompanisë “IPKO” përdorimin e 200 mijë numrave të rinj telefonikë.

Sipas Kastratit, “Zog Mobile” është pjesë e strategjisë së brendimit të “IPKO-s” që u dedikohet përdoruesve mobilë që duan produkte dhe shërbime të thjeshta. 

Në ankesën e saj “Z Mobile” gjithashtu shkruan se numrat e “Zog Mobile” shiten në treg pa u deklaruar pronari.

Por këtë e ka mohuar Alban Kastrati zëdhënës i Kompanisë “IPKO”.

“Çdo numër i ‘Zog Mobile’ duhet të regjistrohet në format zyrtare, konform Rregullores së ARKEP-it”, tha Kastrati.

Ndërkaq edhe Menduh Abazi,  drejtor i Departamentit për Relacion me Publikun, tha se Kompania “Vala” ka bërë ankesë në ARKEP, pasi që sipas tij, ishte dhe mbetet i paqartë operimi i këtij operatori.

“Jemi duke pritur përgjigjeje nga ARKEP-i se a është duke operuar ‘Zog Mobile’ duke u bazuar ne legjislacionin ne fuqi dhe rregulloret e brendshme te ARKEP-it”, tha Abazi.