Naftëtarët Mbesin të Paprekur

Para katërmbëdhjetë ditësh ishte mbledhur shoqata e naftëtarëve për të diskutuar një hall të tyre. 

U mobilizuan për t’ju kundërvënë Administratës Tatimore të Kosovës. E bënë këtë duke dorëzuar një kërkesë për hetim në EULEX. 

“Kjo kompani (Gekos) bashkë me ATK-në po bënë presion tek ne për vendosje të arkave. Pra i bëjmë thirrje EULEX-it ta hetojë këtë rast”, pati thënë Ramadan Maloku përfaqësues i Kompanisë “Racional”, me bazë në Prishtinë. 

Në këtë takim u përmend 1 tetori si afati i fundit që u ishte dhënë naftëtarëve për fiskalizim.

“Nga 1 tetori, do të vinë të na shqiptojnë gjoba, kështu që nuk është mirë t`ia bëjmë vetes qefin, por duhet të merremi shumë seriozisht me ato çka u vendos se nuk kemi kohë”, pati thënë Fahri Retkoceri nga “Standard Benz” në Lipjan.

Ai mbante në dorë një njoftim të ATK-së që kërkonte që naftëtarët duhet që gjatë muajit shtator të pajiseshin me arka speciale fiskale. 

Sipas këtij njoftimi të ATK-së bizneset që nuk i përgjigjen kërkesës ligjore për t’u pajisur me pajisje elektronike fiskale, do te jenë objekt i përndjekjes për shkelje penale.

Por me datën 1 tetor, Administrata Tatimore e Kosovës nuk doli në terren.

Valentina Bytyqi – Sefa, zyrtare për informim, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ATK-ja nuk ka caktuar afatin e përmendur [datën 1 tetor].

Kur u pyet nëse ATK-ja ka dalë në terren për të dënuar kompanitë që nuk kanë vendosur ende arkat speciale, ajo tha se “Administrata Tatimore e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj, në çdo rast, si edhe në të kaluarën, kur shitja e mallrave apo shërbimeve me para të gatshme, nuk shoqërohet me kupon fiskal”, tha Bytyqi – Sefa.

Por zyrtarja e ATK-së nuk dha ndonjë afat se kur do të jetë përfundimi i këtij procesi.

“Fiskalizimi është proces i vazhdueshëm, po ashtu edhe vendosja e arkave speciale në çdo pikë të karburanteve”, tha ajo.

Por Fadil Beriani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve  thotë se “ATK-ja nuk guxon ta bëjë këtë gabim t`i gjobitë bizneset në këtë krizë e cila e ka kapluar Kosovën”.

Edhe Beriani tregoi se ATK-ja nuk ka dalë në terren me 1 tetor.

“Nuk ma merr mendja që dalin për këtë, sepse arkat janë të instaluara,  ATK-ja duhet vetëm të dalin në terren të kontrollohet a po lëshohen kuponë fiskal”, tha Beriani.

Ai thotë se nuk janë kundër fiskalizimit me arka speciale.  Por thotë se ATK-ja duhet të lejojë edhe kompani  tjera përveç “Gekos-it” që të shesin arka speciale. 

Fiskalizimi i 760 biznese të shitjes së derivateve me arka speciale, kishte filluar në mars 2012. 

Planifikohej të përfundonte në qershor të vitit 2012.

Por prej nisjes kanë kaluar 2 vjet e 6 muaj dhe ende nuk ka përfunduar ky proces.

Zyra për Informim e ATK-së, në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë tregoi se ende nuk janë pajisur 117 pika të shitjes së karburanteve që janë në pronësi të tatimpaguesve të mëdhenj, nga 181 pika të shitjes sa janë gjithsejtë.

Gazeta Jeta në Kosovë këtë të hënë raportoi për zvarritjet në këtë proces.