Ndërrimi i Pushtetit nuk Largon NLB-në

Një filial i “NLB Bankës” ku është aksionar Hashim Deshishku, ish-deputet i LDK-së,  vazhdon të operojë në hapësirat e objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës. 

Komuna e udhëhequr tash nga Shpend Ahmeti i “Vetëvendosjes” që për të marrë këtë pozitë mposhti kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, thotë se është e detyruar për të lejuar operimin e NLB-së. 

 “Në rrethana të tilla, si Komunë jemi të detyruar t’u përmbahemi kushteve kontraktuale, ndërsa pas skadimit të kontratës do ta vlerësojmë se si të veprojmë tutje”, tha Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të Ahmetit. 

Ajo shpjegoi se “NLB Banka” dhe Komuna e Prishtinës kanë kontratë valide deri më 2015. 

Komuna e Prishtinës ende nuk ka dhënë përgjigje se deri në cilin muaj të vitit 2015 përfundon kontrata e lidhur mes palëve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në maj të vitit 2012 lidhur me  vazhdimin e kontratës mes autoriteteve të atëhershme komunale dhe “NLB Bankës”. 

 Në vitin 2010 është ripërtërirë kontrata e lidhur në vitin 2004 mes Komunës së Prishtinës dhe “Kasabankës” që i mundëson NLB-së të mbajë filialin e saj në ndërtesën e komunës. 

“NLB Prishtina” ka trashëguar “Kasabankën”, pasi “Nova Ljubljanska Banka” (NLB) kishte blerë këtë biznes.

Sipas afatit të kohëzgjatjes, në vitin 2010 nga qeverisja e kaluar kësaj banke i është vazhduar kontrata edhe për 60 muaj, ose pesë vjet.

Ish-deputeti i LDK-së Hashim Deshishku, i cili ishte hisedar e kryetar Bordi në “Kasabank”, tash është aksionar edhe në “NLB Bankë”  me diku rreth 2.5 për qind të aksioneve.

Përgjegjësit komunalë në kohën e LDK-së nuk kishin komentuar lidhur me  vazhdimin e kontratës e as kohëzgjatjen e marrëveshjes kur ishte lidhur së pari.

Por kishin deklaruar se Komuna e Prishtinës fiton 160 euro në muaj nga marrëveshja e qiradhënies.

Ndërkohë qytetarët paguajnë një euro në NLB, kur kryejnë një pagesë në këtë filial, ndërsa 50 centë paguajnë bizneset kur paguajnë një taksë komunale.