Arkitektët- Përplasje e Akuza për Përfshirje Politikanësh

Valdet Osmani, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës (AAK) tash e një vit nuk ndihet i lirë në ushtrimin e postit të tij.

Ndonëse është në krye të një asociacioni që ka një adresë legjitime, vulë, emblemë dhe anëtarë të rregullt, ai ndihet i penguar në punën e tij nga persona të cilët, sipas tij, kanë uzurpuar jashtëligjshëm asociacionin.

Thotë se zyrtarë politikë kanë përkrahur të afërmit e tyre për t’ia marrë pozitën atij, ndonëse këtë e kishte fituar në zgjedhjet legjitime të nëntorit të vitit 2011.

Ai theksin e vë te ministri Blerand Stavileci dhe shefja e kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Laura Perjuci-Zherka, duke e akuzuar të parin se ka përkrahur dhëndrin e tij Ilir Murselin për t’u vënë jashtëligjshëm në krye të asociacionit.

AAK është organizatë jo-qeveritare e arkitektëve e cila ka për qëllim avancimin e arkitekturës, urbanizmit dhe mbrojtjes së ambientit.

Osmani në krye të këtij asociacioni është zgjedhur në vitin 2011 me mandat trevjeçar që skadon në nëntor të këtij viti. Të njëjtën pozitë si të Osmani pretendon se mban edhe arkitekti Ilir Murseli.

Përplasjet mes Osmanit e Murselit kanë bërë që asnjëri prej tyre të mos përfaqësojë arkitektët në Bordin për Licencimin e Arkitektëve që operon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor.

Ky bord vendos për licencimin ose jo të një arkitekti në vend. Pjesëmarrja në këtë bord e fuqizon drejtuesin e Asociacionit të Arkitektëve.

“Asnjëri nga ta për MMPH-në nuk është përfaqësues legjitim”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Fadil Maxhuni, zyrtar për informim në MMPH.

Ai tha se deri te ky vendim është ardhur pas marrjes së një njoftimi nga Ministria e Administratës Publike që mbikëqyrë organizatat joqeveritare.

Në një shkresë të MAP-it drejtuar Dardan Gashit, ministrit të Mjedisit më 1 prill të këtij viti, thuhet se “Asociacioni aktualisht nuk ka përfaqësues të autorizuar”.

“Departamenti për OJQ-Ministria e Administratës Publike, duke u bazuar në parregullsitë e shfaqura në Asociacion… lidhur me organizimin e brendshëm, kundërthëniet e mëdha në mes dy grupimeve rivale, të cilat kanë krijuar konfuzion në opionion dhe institucione, me qellim të tejkalimit nga kjo situate, vlerësojmë se është e domosdoshme mbajtja e një kuvendi të ri zgjedhor në organizatë”, thuhet në këtë shkresë të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Por Zeqir Bekolli, udhëheqës i Zyrës për Informim në MAP, thotë se Murseli është i autorizuar i Asociacionit.

“Sa i përket pohimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, që thotë se asnjëri prej tyre nuk janë legjitim! Kjo ka vlejte vetëm për periudhën prej 01.04.2014 deri me 14.05.2014. Ndërkaq, që nga kjo datë përfaqësues i autorizuar i kësaj organizate është z. Ilir Murseli”, tha Bekolli.

Më 10 prill 2014 ishte mbajtur Kuvendi që e zgjedh Murselin si udhëheqës të Asociacionit.

Por  mbajtja e këtij kuvendi kundërshtohet nga Valdet Osmani.

Osmani: Murseli nuk është as anëtar i Asociacionit

Njohja e Murselit nga MAP ka çuar deri në përplasje mes grupeve të arkitektëve.

Një letër-konfirmim i MAP-it që mban datën  23 maj 2014, e njeh Murselin si përfaqësuesin e Asociacionit.

Por ndonëse bëhej fjalë për të njëjtën organizatë, MAP-i e ndryshon adresën.

Adresa kësaj radhe vendoset në rrugën Ahmet Krasniqi, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Më herët Asociacioni figuronte se ka zyrën në sheshin “Nënë Tereza”.

Në këtë zyrë në qendër të Prishtinës vazhdon të funksionojë Asociacioni i drejtuar nga Valdet Osmani.

Ai thotë se është i shokuar nga veprimet e Murselit, por edhe të ministrit Stavileci që, sipas tij, e ka përkrahur atë. Sipas tij ministri Stavileci ka lobuar te zyrtarët e MAP-it që dhëndri i tij të njihet si kryetar i Asociacionit.

MAP-i drejtohet nga Mahir Yagcillar i partisë turke KDTP që është në koalicion me PDK-në.

Ministri Stavileci ende nuk ka dhënë një koment lidhur me këto pohime.

Ndërsa Murseli ka dhënë një përgjigje të shkurtër për gazetën duke thënë se ”ligji e ka zgjedhur këtë problem tashmë”, duke refuzuar të flasë më shumë.

Problemi mes Osmanit dhe Murselit ishte shprehur edhe nëpërmjet e-mailave të cilët ishin shpërndarë tek arkitektët e tjerë.

Me 26 shkurt 2014, kur Murseli dhe Gazmend Bunjaku ishin ftuar në një debat në një nga emisionet e Klan Kosovës, ata i kishin njoftuar nëpërmjet e-mailit arkitektët se do të debatojnë në emër të asociacionit.

I menjëhershëm kishte qenë reagimi i Asociacionit të Arkitektëve ku Valdet Osmani dhe Arbër Sadiku i kishin njoftuar arkitektët se personat e apostrofuar nuk janë pjesë e AAK-së.

Kishte pasuar kundërpërgjigjja e Murselit.

“Shko bre q… nonen tone mo me  keto emaila policore. Ilir Murseli personalisht. E emisionin ndaq kqyre e ndaq mos e kqyr. Sulltani është në kanal D”, thuhet në emailin e Murselit dërguar Osmanit.


Iliri Murseli

Por Osmani thotë se ekziston një argument bindës se pse Murseli nuk mund të bëhet kryetar i AAK-së.

Thotë se ai nuk është as anëtar i kësaj organizate. Statuti i Asociacionit parasheh që arkitektët të bëjnë një pagesë prej 30 eurosh në vit si pagesë anëtarësie.

Gazeta ka siguruar edhe transaksionet që janë bërë në arkën e AAK-së në “Raiffeisen Bank” e në të cilën vërtetohet anëtarësia dhe numri i anëtarëve të rregullt.

Emri i Ilir Murselit nuk figuronte në listën e paguesve të anëtarësisë për vitin 2013.

Gazeta ka kërkuar nga Murseli certifikatën e anëtarësimit në këtë asociacion. Por ai ende nuk e ka ofruar një dokument të tillë, e as nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Osmanit.

Tubimet e PDK-së

Murseli ka qenë  pjesëmarrës i mitingjeve të Partisë Demokratike në pushtet.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka siguruar fotografi nga fushata elektorale e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit e në të cilën Murseli ishte bashkë me ministrin Stavileci dhe Laura Perjuci-Zherkën.

Ata ishin në përkrahje të ish-kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Agim Çekut.

Stavileci e Perjuci-Zherka ishin kandidatë për asamblistë komunalë të PDK-së në Prishtinë. Të dy morën votat e duhura për të qenë ligjvënës komunalë.

Derisa Stavileci ende nuk ka dhënë një koment, është kolegia e tij partiake që ka një shpjegim se pse ndërhyri në përplasjen mes arkitektëve.

Ajo thotë se Murseli dhe Osmani kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Drejtësisë dhe pasi ajo është arkitekte, ministria e ka vënën në dispozicion për ta.

“Unë jam takuar ne takime te ndara me dy palët edhe me Valdet Osmanin edhe me Ilir Murselin, në zyrën time.  Me këtë rast qe te dy kane shprehur qëndrimet e tyre dhe argumentet rreth te drejtës për të qene përfaqësues legjitimë te asociacionit, te cilat ishin diametralisht te kundërta”, ka thënë Zherka.

Por Osmani mohon të ketë kërkuar takim me të dhe thotë se ajo e ka përkrahur Murselin që të marrë në dorë Asociacionin e Arkitektëve.

“Krejt çka kam kërkuar nga Laura është që mos të përzihet në çështjet e asociacionit, sepse nuk i takon asaj që nga Ministria e Drejtësisë të ndërhyjë në çështjet e brendshme tona”, thotë ai.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga Perjuci-Zherka që të shohë ankesat qe ajo thotë t’ia ketë dërguar Osmani si dhe kërkesën për takim.

Ajo  tha se shkresat ndodhen tek sekretarja e ministrisë e cila, sipas saj, ndodhet në pushim.

Ligjërisht Ministria e Drejtësisë nuk është palë në krijimin e funksionimin të Asociacionit të Arkitektëve. Të vetmet dikastere që lejohen të kenë implikim në mbikëqyrjen e kësaj OJQ-je janë Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

MAP-i akuzon Osmanin për mashtrime   

Por Osmani kundërshtohet nga Bajram Kosumi, drejtor në Departamentin për OJQ –të që operon në kuadër të MAP-it.

Kosumi është personi i cili ka nënshkruar dy dokumente në të cilat si përfaqësues të autorizuar për të njëjtën organizatë i njeh dy persona të ndryshëm. Ai e jep versionin e MAP-it lidhur me përplasjen e arkitektëve.

Thotë se MAP-i tash e njeh vetëm Murselin si udhëheqësin legjitim të organizatës pasi, sipas tij, atë e kanë zgjedhur mbi 150 arkitektë.

Sipas Kosumit, me 4 korrik të vitit të kaluar ishin mbledhur anëtarët e asociacionit për të shprehur pakënaqësitë me ish-kryetarin Valdet Osmani.

Një vit më vonë, më 10 prill 2014, sipas tij,  ishte organizuar një  kuvend me mbi 150 arkitektë që e zgjodhën  Murselin për udhëheqës.

Kur pyetet se si mund të bëhet udhëheqës i organizatës një person që nuk është anëtar i saj, Kosumi  thotë se nuk është në interes të departamentit të dijë lidhur me anëtarësinë.

“Nëse anëtarësia e ka zgjedhur z. Ilir Murselin përfaqësues të autorizuar ne si departament nuk kemi pse mos ta pranojmë. Çështja e të qenurit anëtar apo jo … Përsëri ata anëtarë që kanë votuar me siguri kanë pasur njohuri të mjaftueshme”, ka thënë ai.

Kosumi thotë se Osmani ishte ai që më 7 maj të vitit të kaluar bëri kërkesë për ndërrimin e përfaqësuesit të autorizuar për AAK-në duke sjellë nënshkrimet e 15 anëtarëve të organizatës.

 “Duke besuar se nuk kemi të bëjmë me lajthitje  zyrtari ligjor i ka përgatitur vendimin dhe si drejtor e kam nënshkruar”, thotë Kosumi.

Sipas tij, kur anëtarët e organizatës e kanë zbuluar këtë veprim të Osmanit, atëherë kanë mbajtur kuvendin e tyre më 4 korrik të vitit 2013 ku kanë shprehur pakënaqësi ndaj Osmanit dhe vendimit të MAP-it.

Kosumi thotë se kundërshtuesit e Osmanit kanë argumentuar se  kryesia e organizatës i ka 13 veta dhe se Osmani nuk ka mundur të vihej në krye të OJQ-së me vetëm miratimin e tetë vetave, pasi që ka munguar kuorumi i mjaftueshëm për të marrë vendime të tilla.

Ndërkohë Osmani thotë se ky version i MAP-it është absurditet.

Thotë se nuk ka bërë kurrfarë kërkese për ndryshimin e personit të autorizuar të AAK-së pasi që kjo do të nënkuptonte dorëheqjen e tij nga ky post.

 “Asnjëherë nuk e kam bërë një kërkesë të tillë, pasi nuk ka qenë e nevojshme. Le të sjellin çfarëdo dokumenti MAP-i, ku unë apo asociacioni e ka nënshkruar”, thotë Osmani.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga MAP-i kopjen e kërkesës së Osmanit që e përmend Kosumi.

MAP ende nuk e ka ofruar këtë.

Për problemet e asociacionit kishte dëgjuar edhe Unioni Ndërkombëtar i Arkitektëve në të cilin është e anëtarësuar AAK-ja.

Ky union i kishte shkruar letër kryeministrit Hashim Thaçi ku kishte shprehur shqetësimin për intervenimet politike brenda asociacionit.

“Kërkojmë që të lejohen që anëtarët e rregullt të Asociacionit të jenë të pavarur dhe të menaxhojnë asociacionin sipas dispozitave të veta statutore dhe rregulloreve të brendshme, pa ndërhyrje politike ose duke favorizuar jo anëtarët të uzurpojnë asociacionin”, thuhet në letrën e Albert Dyler, kryetarit të Unionit Ndërkombëtar që mban datën 18 tetor 2013.

Zyra ligjore e Kryeministrit, në një përgjigjje me shkrim thanë se janë të njoftuar lidhur me problemin e arkitektëve dhe se palët mund të kërkojnë zgjidhjen e problemit nëpërmjet gjyqit.

E plotësuar 17.09.2014

Kelmendi i quan shpifje pretendimet e Osmanit   

Pas publikimit të artikullit ka reaguar Shemsi Kelmendi, kryetar i Kryesisë së Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës. 

Kelmendi thotë se Osmani nuk është përfaqësues i Asociacionit, pasi që ai është i shkarkuar në korrik të vitit 2013. 

Ai i cilësoi si të pabaza akuzat e Osmanit se njerëz të politikës kanë ndikuar që Murseli të bëhet drejtues i Asociacionit.

“Nuk janë këta të apostrofuar (Stavileci e Perjuci-Zherka)  ata që më 10 prill 2014 me votat e tyre zgjodhën Ilir Murselin, perfaqesues të autorizuar të Asociacionit”, thotë Kelmendi. 

Kelemendi thotë se Murseli eshte zgjedhur në Kuvendin e mbajtur më 10 prill 2014 pas shkarkimit të Osmanit, i cili duke shkelur Statutin e Asociacionit ia zgjati mandatin vetes për pesë vjet.

Kelmendi kundërshtoi edhe deklarimin e Zyrës për Informim të Ministrisë së Mjedisit që thotë se asnjë prej arkitektëve nuk përfaqësohen në Bordin për Licencim të Arkitektëve.

“Arkitektët përfaqësohen në Bordin e Përkoheshem të Licencimit me vendim të ministrit, i cili për shkaqe të panjohura për ne nuk po vepron konform vendimit të fundit të Kuvendit te Asociacionit dhe konfirmimit te MAP-it”, thotë Kelmendi në reagimin e tij me shkrim. 

Kelmendi në reagimin e tij kritikon Osmanin për mosinformim të Ministrisë së Administratës Publike lidhur me Asociacionin, deri në maj të vitit 2013, kur edhe u shkarkua.

Thotë se Osmani pas humbjes nuk pranoi të dorëzonte zyrën dhe se përfaqësuesit legjitimë të Asocacionit është dashur të ndërrojnë adresën zyrtare të tij.

“I apostrofuari Osmani mund të mbajë zyra ku te dojë, por tani më ato nuk janë më peshë për Asociacionin”, thotë Kelmendi.

Ai mohon se Murseli ka fyer ndonjëherë kundërshtarin e tij Osmanin.

“Totalisht e pakuptimtë dhe joreale”, thotë Osmani.

Kelemendi kritikon edhe pohimet se Murseli nuk ka paguar anëtarësinë dhe se nuk mund të llogaritet anëtar i Asociacionit. Sipas tij edhe Osmani më 2008 nuk ishte anëtar i AAK-së dhe se pagesa e anëtarësisë nuk është obligative sipas Statutit të Asociacionit.

Lidhur me pohimet se Murseli ka marrë pjesë në tubime të PDK-së, Kelmendi thotë se në të njëjtat kishte marrë pjesë edhe Osmani. 

 “E gjithë LDK-ja qenka bërë PDK”, pasi që disa herë nëpër zyrat institucionale kishte akuzuar me thëniet se: “ata janë të gjithë LDK dhe po punojnë kundër PDK-së”, thotë ai.

Ai thotë se Osmani ka vënë në lajthitje MAP-in.

“…me një  vendim kinse të Kuvendit të Asociacionit ku me nenshkrimet e 8 anëtarëve të kryesisë paraqitet se ka mbajtur Kuvendin dhe se ai është zgjedhur përfaqësues i autorizuar. (Kjo është në kundershtim me Statutin pasi që numrin e anëtarëve të Kryesisë e zvogëlon nga 13 ne 9 si dhe bën zgjatjen e mandateve po ashtu në kundërshtim me Statutin e Asociacionit)”, thuhet në reagimin me shkrim të Kelmendit.

 Sipas tij nuk është i vërtetë as pohimi i Osmanit që Unioni Ndërkombëtar i Arkitektëve i ka shkruar letër kryeministrit Hashim Thaçi ku ka shprehur shqetësimin për intervenimet politike brenda asociacionit.

“Shpifje e kuzhinës Osmani”, thotë Kelmendi lidhur me këtë pohim.