Komuna e Leposaviqit Anulon Procedurat e Kontratës së Kritikuar nga Antikorrupsioni

Kontrata lidhej me blerjen e veturave zyrtare për personelin komunal.

Komuna e Leposaviqit më 14 korrik 2014 kishte shpallur njoftimin  për kontratë furnizimi me vetura zyrtare për nevojat e saj.

Pas publikimit të njoftimit në vebfaqen komunale, Agjencia Kundër Korrupsion duke  trajtuar këtë procedurë të prokurimit sipas detyrës zyrtare erdhi në përfundim se njoftimi për kontratë në disa aspekte nuk është në pajtim me Legjislacionin në fuqi në fushën e prokurimit në Republikën e Kosovës.

Zyrtari përgjegjës për prokurim në Komunën e Leposaviqit Haxhimet Ferati,  përmes telefonit  tha për Gazetën Jeta në Kosovë se komuna ka filluar procedurën për anulimin e njoftimit  të kontratës.

“Po  pas një takimi me zyrtarët e AKK-së kemi filluar procedurën për anulimin e njofimit për kontratës në pajtim me opinionin e AKK-së, gjithashtu kemi marrë edhe instruksione se si duhet të veprojmë në vazhdim”, tha Ferati.

Ferati është i autorizuar nga Komuna e Leposaviqit për t’u marrë më çështjet e prokurimit pasi kjo komunë nuk kishte pasur një person të kualifikuar për atë pozitë.

Agjencia Kundër Korrupsion duke e analizuar njoftimin për kontratën e blerjes së veturave gjeti se dosja e tenderit nuk ishte përgatitur në kohën kur u shpall njoftimi për këtë aktivitet.

Sipas ligjit të Prokurimit Publik, dosja e tenderit ku përshkruhen edhe ofrohen të gjitha informatat përkatëse lidhur me kontratën duhet të jetë e gatshme kur  të bëhet shpallja e njoftimit për tender.

Operatorët ekonomikë të interesuar për këtë njoftim e kishin kërkuar dosjen e tenderit nga zyrtari i prokurimit në Komunën e Leposaviqit, por kishin marrë përgjgijgen se dosjen mund ta merrnin vetëm më 18 korrik, katër ditë pas publikimit të njoftimit.

Kjo komunë veriore te pika III.2.3 e njoftimit për kontratë kishte kërkuar që në këtë tender të marrin pjesë kompani që kanë qarkullim financiar minimum 300.000 mijë euro.

AKK-ja konstatoi se nga operatorët ekonomikë sipas Udhëzimit Administrativ nr.02/2014 të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik nuk duhet kërkuar shuma e qarkullimit financiar që kalon dyfish vlerën e kontratës, edhe pse autoriteteve kontraktuese me këtë udhëzim u lejohet që të vërtetojnë me dëshmi aftësinë ekonomike dhe financiare të operatorëve ekonomikë.

Edhe specifikimet teknike të njoftimit për kontratë Agjencia Kundër Korrupsion i ka cilësuar të mangëta.

Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe MItrovica Veriore, pas luftës nuk u janë bindur ligjeve të autoriteteve kosovare.

Situata ka filluar të ndryshojë ngadalë pas marrëveshjes së Brukselit vitin e kaluar dhe sidomos që nga zgjedhjet lokale të vitit 2013 kur serbët që përbëjnë shumicën e popullsisë në pjesën veriore të vendit morën pjesë në to.