Çmimet e Dyshimta Akademike nga Organizata Spanjolle

Biznese nga Kosova janë të përfshira në partneritet me një kompani me bazë në Madrid me reputacion të diskutueshëm që ndan çmime për cilësi në këmbim të parave.  

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se kjo organizatë me kredibilitet të kontestuar ka shpërblyer përgjatë viteve me çmime ndërkombëtare dy universitete, një hotel dhe një restorant. 

Pikërisht në kohën kur universitetet në Kosovë kanë hapur konkurset për pranim të studentëve të rinj, njëri prej tyre-Universiteti për Biznes dhe Teknologji njofton se është shpërblyer nga kompania nga Spanja- “Business Initiative Direction” si fitues i çmimit  “ Ylli Ndërkombëtar për Cilësi në Udhëheqje”.   

UBT më 24 qershor promovoi marrjen e çmimit duke njoftuar se rektori i këtij universiteti Edmond Hajrizi  pranoi  në Paris çmimin nga Jose E.Prieto, president i BID-it. 

Hajrizi ka deklaruar që rasti i UBT-së nuk ka ndërlidhje me atë të UP-së që kishte paguar 3 mijë e 900 euro për këtë këtë çmim.

“UBT është shpërblyer pasi ishte më i miri në mesin e konkurrentëve”, tha Hajrizi.

Ndërsa ai ka pranuar se ka bërë disa pagesa për BID-in, por nuk ka sqaruar se për çfarë pagesash bëhej fjalë. 

Ndërkaq Sarah Contenido, zyrtare për komunikim nga organizata BID ka dhënë version të ndryshëm nga Hajrizi. 

Ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se  ndarja e çmimit për UBT-në nuk është bërë në bazë të konkurrencës, por nga vlerësimi që ka bërë organizata për këtë institucion arsimor në Kosovë. 

“BID-i nuk ka bërë vizitë (në UBT). Por performanca mund të shihet bazuar në dokumentet dhe raportet e publikuara nga UBT-ja”, thotë Contenido. 

E njëjta organizatë nga Spanja para dy vjetësh, në qershor të vitit 2012, i dorëzoi çmimin Mujë Rugovës atëkohë rektor i Universitetit Publik të Prishtinës. 

Atëherë ceremonia ishte bërë në New York.

Gazeta Jeta në Kosovë pati zbuluar se UP-ja kishte paguar 3 mijë e 900 euro, ku përfshiheshin një dhomë hoteli për dy netë, ceremoninë e ndarjes së çmimit dhe disa pritje të tjera më të vogla gjatë dy ditëve.  

UP-ja pati refuzuar të komentonte, ndërsa Sandra Balkan nga BID-i i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë se UP-ja ishte zgjedhur me kujdes, bazuar në “100 pika” të kritereve, edhe pse ajo pati pranuar se askush nuk e kishte vizituar universitetin para vendimit dhe nuk mund të thoshte nëse dikush e flet gjuhën shqipe në këtë organizatë, në mënyrë që të vlerësojë performancën e institucionit arsimor. 

“Ky [çmim] nuk është absolutisht diçka që ne e japim për të gjithë”, pati thënë ajo.

Organizata BID e cila e ka selinë qendrore në Madrid të Spanjës  që disa vite është duke u kritikuar se po u ndan çmime bizneseve, jo duke u bazuar në merita, por se është duke i shpërndarë në këmbim të parave. 

Në vebfaqen e organizatës thuhet që BID-i është themeluar në vitin 1986 nga José E. Prieto.

Ndonëse organizata shkruan që është në koalicion me partnerët ndërkombëtarë, ajo nuk jep të dhëna se kush janë partnerët e saj, apo edhe ku e ka selinë qendrore. 

Bazuar në faqen e tyre, BID-i thuhet të ketë qëllim promovimin,  ndarjen dhe zbatimin e kulturës së cilësisë në kompanitë kryesore të botës. 

Çmime për hotele e restorante në Kosovë 

Përveç universiteteve në Kosovë, nga kjo organizatë kanë fituar çmime edhe hotele e restorante.

“Arxhena” është një hotel në fshatin Brod të Dragashit, zonën malore tradicionale të Kosovës. 

Hoteli i qytetit më jugor të Kosovës u vlerësua  si “Yll Ndërkombëtar i Cilësisë” me datën 28 qershor të vitit 2013. 

 “Kompania ka bërë hapa të mëdha këtë vit si një udhëheqës jo vetëm për sektorin e vet, por edhe në Kosovë”, është arsyetimi i BID-it për ndarjen e këtij çmimi bazuar në kumtesën për media të dërguar me atë datë nga fituesi i shpërblimit. 

Ndonëse ky hotel në faqen zyrtare në internet e paraqet veten si hotel me katër yje, ai nuk është i tillë. 

Hysen Sogojeva, zyrtar i lartë i Hotelerisë dhe Standardeve Turistike në Ministrinë për Tregti dhe Industri, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ky hotel nuk është i kategorizuar që sipas tij nënkupton që nuk ka asnjë yll.

Naser Arifi, pronari i këtij hoteli i cili e ka marrë çmimin, tregon se si ishte dashur të paguante 3700 euro për t’u anëtarësuar fillimisht në këtë organizatë, ku më pas edhe u shpërblye. 

“…është organizu një ceremoni aty dhe është dashtë me bo një pagesë  3700 euro për pjesëmarrje atje”, thotë Arifi. Sipas tij këto para kanë qenë vetëm për anëtarësim, ndërsa tregon se si ishte dashur të paguante edhe shpenzimet e hotelit gjatë qëndrimit në Gjenevë. 

Ai thotë fillimisht që përfaqësues të BID-it kishin ardhur në Kosovë për të parë për së afërmi biznesin e tij, ndërsa më vonë edhe ia kishin bërë ftesën për të marrë çmimin. 

Një çmim të ngjashëm si të hotelit që ndodhet 12 kilometra larg Dragashit, e ka marrë edhe një restorant i ndodhur në Prishtinë. Restoranti “Pjata” u shpërblye nga organizata spanjolle me 27 nëntor të vitit të kaluar. 

Por ndryshe nga hotel “Arxhena”  të cilin BID-i e cilësoi si “Yll Ndërkombëtar”, restorant “Pjatën” ajo e vlerësoi me çmimin “Kurora Ndërkombëtare për Kualitet”.

Nuk ka sugjerime që tregojnë që edhe “Pjata” ngjashëm si “Arxhena” ka paguar për të fituar çmimin, por megjithatë edhe ky biznes u shpërblye nga organizata spanjolle me kredibilitet të diskutueshëm.

Jeton Nixha, pronar i këtij restoranti tregon se si kjo organizatë ia kishte dërguar ftesën me të cilën ai njoftohej se restoranti që udhëheq ishte shpërblyer. 

Ai mohon që ndonjëri prej zyrtarëve të organizatës të ketë ardhur në Kosovë për ta parë restorantin, por thotë që vlerësimet i kanë bërë nëpërmejt internetit. 

Ndërsa kur është pyetur se a ka kërkuar BID-i  të bëhet ndonjë pagesë paraprakisht, ai e ka mohuar këtë. 

Nuk janë vetëm bizneset dhe institucionet nga Kosova të cilat marrin çmime nga kjo organizatë. 

Edhe në Shqipëri janë shpërblyer nga BID-i disa biznese duke përfshirë  universitete, ndërmarrje publike e kompani të telefonisë.  Posta Shqiptare është kompania më e madhe publike në Shqipëri e shërbimeve postare dhe financiare. Kjo kompani në qershor të 2009-ës është vlerësuar nga BID-i me çmimin e “Erës së Cilësisë Ndërkombëtare te Shekullit” në kategorinë e diamantit. 

Ndërsa çmime nga BID-i më 13 qershor të vitit 2013 kanë marrë edhe universiteti “Aleksandër Xhuvani” i qytetit të Elbasani si dhe “Nisatel-i”, operator publik i telekomunikacioneve. 

I pari është shpërblyer me “Çmimin Ndërkombëtar të Cilësisë”, ndërsa i dyti me “Çmimin Ndërkombëtar të Evropës”. 

Mashtrimet e BID-it

Ndonëse në faqen e internetit kjo organizatë lavdërohet për promovimin e cilësisë në biznes, kritikat për mashtrimin nga ana e saj nuk kanë munguar.  

Erwin Winkler, një gazetar i gazetës  “Ruanda Focus”, në një shkrim autorial të publikuar në prill të vitit 2010 me titull “Të mos impresionohemi nga çmimet e dyshimta” shkruan se si kjo organizatë i kishte bërë ftesë gazetës së tyre për të marrë një çmim për të cilin ata nuk ishin meritorë. 

Për më tepër ata paraprakisht duhet të paguanin 3700 euro për ta marrë çmimin, përndryshe sipas tij nëse nuk paguan kthehesh pa çmim. 

“Për të na quajtur një ‘Udhëheqës Ndërkombëtar në Cilësi’ është absurde”, shkruan Winkler, duke iu referuar titullit të çmimit që i ofronte organizata, e për të cilin ai thotë që gazeta ku punon nuk është meritore.  

Ai shkruan më tej se si organizata BID nuk i ka kontaktuar ndonjëherë, se si nuk kishte një vështrim të afërt në atë që gazeta bënte, si punojnë dhe çfarë ndikimi kanë.

Po ashtu  “Consumer  Watchdog”, një organizatë për mbrojtjen e konsumatorëve, me seli në Botsvana, shkroi në shtator të vitit 2010  se dëshmia që flet më së shumti se çmimet e BID-it  përbëjnë një mashtrim është shumë e thjeshtë.  

Një kompanie të quajtur “Imarpres” iu dha në shtator të vitit 2010  “Çmimi Ndërkombëtar për Cilësi” megjithëse nuk merrej me tregti që nga viti 2003.